Aksione të shumta ka zhvilluar Policia e Kosovës nëpër komuna të ndryshime në vendet ku s’janë respektuar masat anti-covid, shkruan Llapi.info.

Së bashku edhe edhe Inspektorati Sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, gjatë tre muajve të fundit janë shqiptuar mbi 600 gjoba për operatorët e bizneseve.

Por, se sa biznese dhe sa qytetarë janë gjobitur për mosrespektim të masave kundër koronavirusit, Policia e Podujevës nuk ka dhënë as edhe një detaj.

Llapi.info ka tentuar disa herë t’i marrë statistikat nga zyrtarë të këtij stacioni në këtë komunë, por edhe nga zyrtarë të drejtorisë së Policisë për Rajonin e Prishtinës, mirëpo nuk është kthyer as edhe një përgjigje.

Në këtë kohë pandemie, Stacioni i Policisë në Podujevë nuk kaloi pa skandale. Për këtë, nga Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK), suspendoi tre policë pasi të njëjtit nuk i patën respektuar vendimet e Qeverisë.

Tre zyrtarë policorë të stacionit policor të Podujevës, janë suspenduar në muajin gusht, për shkak të dyshimit se nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare me rastin e ndërhyrjes në një aheng familjar-dasmë, i cili mbahej në një restorant duke shpërfillur vendimin e qeverisë.

“Inspektorati Policor i Kosovës më (09 Gusht 2020), gjatë realizimit të Planit Operativ “Monitorimi i respektimit të vendimeve mbi zbatimin e masave parandaluese kundër përhapjes së Covid-19″, ka hasur në mos zbatim të Vendimit të Qeverise së Republikës së Kosovës për masat ndaj Covid-19 nga tre zyrtarë policorë në Podujevë. “Krahas kësaj të njëjtit dyshohen edhe për mos zbatimin e Urdhrit Operativ të policisë për gatishmëri dhe reagim për Covid-19. duke mos reaguar në një informatë që kishin pranuar për mbajtjen e një ahengu familjar (dasmë) në komunën e Podujevës. Si pjesë e procedurave administrative hetimore të njëjtit janë suspenduar me rekomandim të IPK-së”, kanë thënë në gusht nga IPK-ja.

Në ndërkohë, që nga data 25 gusht, PK ka nisur shqiptimin e gjobave ndaj personave fizikë, por edhe juridikë, të cilët s’i kanë zbatuar vendimet e Qeverisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Siç mëson Llapi.info, mbi 40 mijë gjoba janë shqiptuar ndaj qytetarëve që s’i kanë përfillur masat. Sipas statistikave ditore të PK-së, vetëm je 1 mijë 168 persona kanë marrë gjobë nga zyrtarët policorë në Kosovë.

Vendosja e maskës, izolimi nëse je konfirmuar me COVID-19 dhe ndalimi i qarkullimit pas orës 22:30 deri në orën 05:00, kanë qenë disa nga masat që Qeveria e Kosovës të vendosura për parandalimin e përhapjes së virusin korona.

Çdo person që nuk mban maskën dënohet me 35 euro, kurse ai që nuk respekton ndalim-qarkullimin do të dënohet me 200 euro. Sipas këtyre masave, ata që nuk e respektojnë izolimin do të dënohen me 500 euro./Llapi.info