Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, sot në poligonin e Policisë së Kosovës u mbajtë ceremonia e certifikimit të përbashkët të pjesëtarëve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës me rastin e përfundimit të suksesshëm të trajnimit për snajperë.

Në ceremoninë përkatëse, të pranishëm ishin komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, të cilët ndanë certifikatat për personelin e trajnuar. Me këtë rast, gjeneral Rama dhe drejtori Mehmeti vlerësuan lartë angazhimin e përbashkët në mes dy institucioneve dhe u zotuan për bashkëpunim dhe koordinim edhe në të ardhmen në fushat e interesit të përbashkët.

Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës bashkëpunimin e tyre po e realizojnë me aktivitete konkrete dhe me angazhime e trajnime të përbashkëta në ngritjen e kapaciteteve njerëzore e taktike.

Ngritja e kapaciteteve profesionale dhe taktike është prioritet i FSK-së. Nga sot FSK-së i shtohen kuadro specialistike, mirë të përgatitura nga instruktorë të Policisë së Kosovës edhe në këtë fushë shumë të rëndësishme operacionale.