Çekia zyrtarisht mbështet liberalizimin e vizave me Kosovën

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi priti në takim emisarin e Republikës Çeke për Ballkanin Perëndimor dhe ish-komisionerin e Bashkimit Evropian për zgjerim dhe politika të fqinjësisë, Stefan Fule.

Thaçi falënderoi ish-komisionerin Fule dhe shtetin çek për mbështetjen dhënë shtetit kosovar në rrugëtim e tij evropian.

“Marrëveshja për Stabilizim Asociim është hyrje në marrëdhënie kontraktuale me BE-në”, u shpreh Thaçi dhe shtoi se Kosova do të qëndrojë prapa obligimeve të veta ndërkombëtare, raporton Koha.net.

Thaçi tha se dialogu me Serbinë do të vazhdojë dhe se marrëveshjet e arritura do të zbatohen, ndërsa theksoi se Republika Çeke mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës drejt integrimit të vendit në BE dhe NATO.

Nga ana tjetër, emisari i Republikës Çeke për Ballkanin Perëndimor, Stefan Fule përgëzoi zëvendëskryeministrin Thaçi për arritjet e Kosovës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por shprehu shqetësimin e tij me zhvillimet e brendshme politike.

Fule dorëzoi letrën zyrtare me të cilën autoritetet e Kosovës njoftohen se Praga zyrtare e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

Emisari Fyle u interesua edhe për zhvillimet e brendshme në Kosovë dhe u tha se “Kuvendi nuk bën të jetë vend për ‘manovra ushtarake’, por vend i debatit dhe ku zgjidhen problemet”.