Sport

Përfundon ndeshja e cila ishte duke u luajtur në stadiumin “Riza Lushta” në qytetin e Mitrovicës, rezultati në të mirë të ekipit llapjan.

1 me 2 në favor të ekipit llapjan ka përfunduar ndeshja KF “Trepça 89” dhe KF “Llapi”, rezultat ky  i pa ndryshuar që nga pjesa e parë.

Ky rezultat i siguroi ekipit llapjan tri pikë më shumë në kuotën e pikëve në Raiffeisen Superligën e Kosovës.

Me këtë fitore KF. “Llapi” renditet në vendin e tretë me 23 pikë./Llapi.info

Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes KF “Trepça 89” dhe KF “Llapi” e cila është duke u luajtur në stadiumin e KF “Trepçës 89” në Mitrovicë.

Në favor të ekipit llapjan ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes KF “Trepça 89” dhe KF “Llapi”. Pas shënimit të golit të parë nga lojtari i KF “Trepça 89” D.Mustafa, lojtarët llapjan ishin ata të cilëve i’u nevojitën vetëm nëntë minuta për ta kthyer rezultatin në favor të tyre. Golashënues për KF “Llapi”-n ishin : Ilir Blakçori në minutën e 30’ dhe Alban Mavriqi në minutën e 39’.

Rezultati i pjesës së parë : KF “Trepça 89” 1:2 KF “Llapi”./Llapi.info

Klubi i Basketbollit Prishtina, ka nënshkruar kontratë të re me kompaninë Albaqeramika e cila do të jetë sponsore e këtij klubi edhe për vitin 2015-2016.

Marrëveshja përfshinë mbështetjen e klubit dhe të lojërave për periudhën 1 tetor 2015 – 1 qershor 2016 në Superligën e Kosovës në basketboll si dhe në Ligën Ballkanike dhe Eurocup.

Ceremonia e nënshkrimit të kontratës u mbajt në Prishtinë, ku të pranishëm ishin përfaqësues dhe lojtarë të Klubit të Basketbollit Prishtina, si dhe menaxhmenti i Albaqeramikës.

“Përkrahja e sportit është shumë e rëndësishme sidomos tani kur klubet tona po bëhen gjithnjë e më të pranishme në arenën ndërkombëtare. Ne besojmë fuqishëm se promovimi i një vendi mund të bëhet më së miri përmes sporteve prandaj edhe përkrahja jonë ndaj këtyre klubeve nuk do të mungojë. Ne të gjithë u gëzohemi sukseseve të kampiones sonë Majlinda Kelmendi, dhe shpresojmë që shumë shpejt të shohim edhe sportistë të tjerë të na sjellin tituj kampionësh”, tha me këtë rast Valdet Deçani, partner menaxhues i Albaqeramika.

“Ekipi i basketbollit Prishtina përveç garave në Superligën e Kosovës, merr pjesë edhe në Ligën Ballkanike dhe ne FIBA Europe Cup gjë që e bën përkrahjen ndaj klubit edhe më të rëndësishme”, thuhet në komunikatën e Albaqeramika.

Foto arkiv

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e vlerësoi si shumë të rëndësishme ndeshjen që skuadra e tij e zhvillon sot në stadiumin ‘Riza Lushta’ ndaj Trepçës ’89. Kjo ndeshje e hap xhiron e 13-të të Raiffeisen Superligës. Ky është edhe takimi i vetëm që luhet sot e fillon në ora 13:00.

“Asnjëherë nuk mendojë ndryshe, por vetëm për rezultat pozitiv. Na pret një ndeshje e fortë pasi që të dyja ekipet po ‘luftojnë’ për titull. Do të jetë derbi i vërtet dhe ne do të mendojnë ta aplikojmë lojë tonë sikurse në çdo ndeshje tjetër. E rëndësishme është se ne nuk kemi presion. Mendoj se presion është në anën e kundërshtarit”, ka deklaruar Tahir Batatina.

Mbrojtësi nga Prishtina, Amir Rrahmani, vazhdon të lë gjurmë në kampionatin kroat, nën fanellën e RNK Split.

Ai është përzgjedhur në 11-shen e javës nga mediet në Kroaci, transmeton Gazetaolle.com.

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë ishte i shkëlqyer në ndeshjen që skuadra e tij e fitoi ndaj Hajdukut të Splitit në udhëtim, me rezultat 3:0. Kjo nuk është hera e parë që 21-vjeçari përzgjidhet për 11-shën më të mirë të javës. Gjithashtu, edhe futbollisti tjetër shqiptar i Rijekës, Leonard Zhuta, gjendet në ekipin e javës në elitën e futbollit kroat. (Gazetaolle.com).

Sot duke filluar nga ora 13:00 në stadiumin e KF. “Trepça ‘89” zhvillohet takimi i javës së 13-të në kuadër të Raiffeisen Superligës së Kosovës, në mes të KF. “Trepça ‘89” dhe KF. “Llapi”.

Ndeshja zhvillohet për pikë. Deri tani, KF. “Trepça ‘89” gjendet në pozitën e dytë me 23 pikë, derisa KF. “Llapi” gjendet në pozitën e katërt me 20 pikë.

Ky është takimi i vetëm që zhvillohet sot në kuadër të Raiffiesen Superligës së Kosovës.

Ndeshjet mes ekipeve tjera zhvillohen nesër dhe të enjtën./Llapi.info

Ish-mjekja e klubit të Chelseat, Eva Carneiro, ka vendosur të paditë trajnerin e të kaltërve, Jose Mourinho.

Mediat britanike bëjnë të ditur se Carneiro do të padisë portugezin, për ofendimet që ia shkaktoi në ndeshjen e parë të këtij sezoni, derisa ajo ishte duke mjekuar një futbollist të Chelseat.

Carneiro ishte larguar nga klubi disa ditë më vonë. Tani i mbetet Mourinhos të paraqitet gjyq bashkë me Carneiron. /Olle

Milani fitoi sfidën e luksit në Olimpico. Kuqezinjtë triumfuan 3-1 përballë Lazios së pathyer në shtëpi në 7 ndeshje gjatë këtij edicioni të Serisë A italiane. Suksesi i siguroi “Djallit” vazhdimësi në rezultate, me skuadrën e Mihajloviç që regjistroi fitoren e tretë radhazi. Por, triumfi vlen edhe për garën për një vend në Europë.

Në një ndeshje shumë taktike dhe me duele të forta në mesfushë, Milani u shfaq më kërkues drejt portës kundërshtare. Bonaventura provoi në të 11-ën, pas zhvillimeve të një goditje këndi, me topin që përfundoi pak mbi portë. Një sinjal për golin. Mbrojtja solide e Lazios vuajti vazhdimisht nga inkursionet e Cercit nga e djathta. Ishte pikërisht nga këmbët e tij që në të 25-ën u krijua edhe aksioni i golit që zhbllokoi sfidën.

Goditja në formë krosi e Cercit gjeti të papërgatitur Marchetti-n. Nga gafa e portierit të Lazios, që nuk largoi si duhet, përfitoi Bertolacci, që vetëm sa e shtyu topin në rrjetë. Një episod që theu mbrojtjen bardhkaltër, e cila nuk pësonte gol prej afro 500 minutave lojë mes kampionatit dhe kupave. Milani dominoi lojën dhe Cerci shkaktoi sërish alarm në të 38-ën. Por, e majta e sulmuesit u përplas në shtyllë. Lazio u shfaq thuajse e pafuqishme dhe reagimi i vetëm erdhi me tentativën e lehtë të Biglia-s, që u frenua nga portieri Donnarumma

Në startin e pjesës së dytë, Milani u detyrua të luajë pa Alex, që përfundoi pa ndjenja në tokë pas përplasjes së fortë me portierin e tij. Braziliani u zëvendësua nga Mexes, të cilit i mjaftuan vetëm pak sekonda në fushë për të gjetur golin Francezi përfitoi nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes laciale dhe një tjetër dalje e dobët e Marchetti-t. E kundërta ndodhi në krahun tjetër, ku edhe pse vetëm 16-vjeçar, gardiani Gianluigi Donnarumma ishte një garanci, si në rastin e tentativës së neutralizuar ndaj Lulic. Lojtarët e Lazios arritën ta thyenin portierin rekordmen të futbollit italian, pas goditjes së Felipe Anderson që ai devijoi, por Kishna ishte në pozicion jashtë loje përpara se ta shtynte topin në rrjetë. Për ti dhënë fund shpresave të vendasve erdhi goli i Carlos Bacca. Sulmuesi depërtoi mes dy mbrojtësve, kaloi portierin dhe me portën e boshatisur trefishoi shifrat. Goli i nderit nga lacialët erdhi në të 85-ën, duke përfituar edhe nga superioriteti numerik, pasi Montolivo po kurohej jashtë fushe. Kishna lëshoi një predhë nga distanca e afërt, ndaj së cilës Donnarumma nuk mund të bënte asgjë. Goli i parë i pësuar në tre ndeshje nga talenti i portës. Me disfatën 3-1, Lazio humbi ritmin nga kryesuesit. Ndërkohë, Milani i rrëmbeu vendin e gjashtë pikërisht bardhekaltërve të Piolit dhe barazoi Sassuolon në kuotën e 19 pikëve.

Lorik Cana nuk arriti ta ndalte ish-skuadrën e tij, Olimpikun e Marseilles në javën e 12-të të Ligës së parë franceze. Nanta e kapitenit të kombëtares shqiptare u mposht 0-1 në fushën e saj, pasi u ndëshkua nga Nkudou në minutën e 53-të të këtij takimi.

Cana u aktivizua titullar nga trajneri Der Zakharian dhe ishte lideri i mbrojtjes së Nantes, megjithatë nuk mundi ta shmangte golin që i shkaktoi skuadrës së tij humbjen e pestë në kampionat dhe të parën pas tri fitoreve radhazi.

Qëndroi gjatë gjithë kohës në stol në këtë përballje futbollisti tjetër shqiptar i Nantes, Emir Lenjani, i cili pas debutimit me gol me Nanten, nuk është aktivizuar në vazhdimësi me kanarinat.

Kampionati francez vazhdon të kryesohet nga Paris Saint Germmain në kuotën e 32 pikëve, i shkëputur ndjeshëm nga skuadrat që vijnë më pas.

Pierre-Erick Aubameyang po zhvillon një sezon fantastik me Borussia Dortmund, por sulmuesi nuk dëshiron të ndalet me kaq.

26-vjeçari i ka idetë e qarta se çfarë kërkon të arrijë në të ardhmen dhe nuk e fsheh. Aubameyang pohoi se dëshiron të arrijë nivelin e Messit dhe Ronaldos dhe pse jo të bëhet lojtari më i mirë në Botë. Lojtari nga Gaboni theksoi se argjentinasi dhe portugezi në një ndeshje shënojnë 3 gola në tjetrën 4 dhe është pikërisht kjo forma që dëshiron të arrijë dhe ai.