Opinione

Shkruan: Azem OSMANI

Po e filloj këtë shkrim me një thënie që shpesh e dëgjoj te qytetarët: “Po t’i pyesësh edhe zogjtë n’hava, e dinë që Kosova kurrë nuk ka qenë më shumë se tani në krizë politike dhe morale”.
Ulesh në kafene, pa një pa dy ta gërryejnë veshin bisedat pesimiste rreth krizës. Të njëjtin llaf e dëgjon kur je në mes të kolegëve, në konak tek të afërmit apo tek miqtë, kur je në autobus, kur je në taksi, po ku jo se! Njani hunit e tjetri konopit! E faji gjithmonë bartet sa në njërin cep e sa në tjetrin. Faji ma qo mallin e topthit të pingpongut, herë në njërën anë e herë në tjetrën. Edhe populli i gjorë mundohet në kaçikun e vet të analizoj ngjarjet për të gjetur një zgjidhje të kësaj gjendjeje mjeruese.
Jam përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe t’i analizoj zërat që dalin nga individ apo grupe të pavarura të kësaj shoqërie.
Tani dua vetëm pak të merrem me tjerët, me ata të cilët gjykojnë, thënë më mirë, që i dekodojnë mesazhet sipas interesave të partive apo grupeve që u përkasin. Grupet e tilla të individëve nuk lëvizin dot nga pozicionet e tyre, meqë trurin e kanë të shpërlarë. E keqja është se na dalin në pah disa lloje të shpëlarjeve: shpërlarja nga “meselet” ideologjike, nga ndikimet e kultit të liderit, nga etja për të përfituar poste e para, nga gogësimat e atyre që përfituan një vend pune dhe nga “mbushja e barkut” me asfalt.
Me t’vërtet po habitem! Një pjesë e qytetarëve nuk e kupton akoma se punësimi apo ndërtimi i infrastrukturës është obligim pa kushte i shtetit, ai bëhet nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve, dhe jo nga xhepi i tyre personal.
Po kthehem sërish te zërat e individëve apo grupeve të pavarura. Këta për mua janë shpresa e zgjidhjes së krizave, janë ardhmënia e ndritur e këtij shteti. Këta më bëjnë të shoh dritën në tunelin e gjatë e të errët. Për fat të mirë, qytetarë të tillë ka shumë, edhe pse tani për tani të pafuqishëm…!?
Një mbrëmje, në një odë të madhe të një fshati, të mbushur plot e përplot mysafirë të të gjitha moshave (ma ngjalli nostalgjinë e odës dhe mikpritjes bujare shqiptare) filloi të vloj biseda rreth krizës politike dhe morale që po e përjeton shteti ynë i ri. I dëgjoja me vëmendje e s’flisja, sepse kështu, kisha më shumë kohë e mundësi të analizoja idetë dhe të gjeja emëruesin e përbashkët të kësaj bisede. Një gjë që më bënte të ndihem mirë, ishte fakti se dominonte mendimi i pavarur e i paanshëm. Në këtë grup mendimesh për fatin e mirë hasa edhe individ që më parë kishin qenë militant partish, por që tani janë ngopur me pallavra, hipokrizi e mashtrime politikanësh.
Në qendër të vëmendjes të këtij debati të nxehtë ishte mendimi i një plaku me moshë të shtyrë, në supet e të cilit i imagjinoja “gradat” e përvojës jetësore dhe pjekurisë njerëzore. Në momentin kur plaku filloi të fliste, njëri nga pjesëmarrësit e debatit më preku në krah dhe më pëshpëriti në vesh: “është plak i mençur, i knueshëm, lexon pa pushim…” Plaku vazhdoi të fliste, e odën e kaploi heshtja nga vëmendja për të dëgjuar fjalët e tij.
“Vëllezër të dashur, kjo klasë politike që nga paslufta e këndej e ka pasur rastin të tregohet e suksesshme, por ka dështue, bile edhe në gjanat më të thjeshta. Paramendoni, asnjëherë nuk janë kanë në gjendje me u marrë vesh mes veti për me formue qeverinë pa ndihmën e ndërkombëtarëve. Hajt, ku mundesh me prit mirë prej tyre! Edhe kur i formuen qeveritë, u vardisën me i realizue interesat e tyne, e harruan interesin e shtetit, e harruan interesin e popullit. Ngërç pas zgjedhjeve të kalueme, ngërç tani, ngërçi kurrë s’u hoq, mashtrimet kurrë s’i ndalën, sa neve e sa mes veti. Po dalin publikisht e po të rrejnë, u del rrena në shesh, edhe as që skuqen për këtë punë, shthurje e katandisje morale. Çdo institucion e kanë fut nën kontroll, çdo gjë e kanë politizue. Me një fjalë na e kanë humb orientimin, nuk na kanë lënë shteg për me i besue dikujt”, plaku la të kuptoj se po e përmbyllte bisedën me një ide për zgjidhje të krizës, duke vazhduar tutje të flas: “Vëllezër të dashtun, unë nuk po shoh te kjo qeveri asnjë fije shprese, po ashtu edhe një pjesë e opozitës ka qenë pjesë e të keqes në gjithë këto vite të qeverisjes së tyre, kurse një pjesë tjetër e opozitës aktuale po përdorë elemente të gabueshme ideologjike për zgjidhjen e kësaj krize. Megjithatë te kjo e fundit e gjej të keqen më të vogël, sepse të mira ende nuk po shoh. Unë mendoj se kur popullit i humb busulla, ai duhet të kërkoj nga shtresat e pastra intelektuale dhe nga familjet e personaliteteve të mëdha shqiptare, sidomos familjet e dëshmorëve që të dalin në skenë e t’i vijnë në ndihmë popullit. Unë shpresoj shumë se tani ka ardhë koha të vetorganizohen grupet e elitave të artit e të shkencës (këngëtarë, aktorë, piktorë, shkrimtarë, sportistë, profesorë shkollash e universitetesh, arkitektë, inxhinierë, mjekë etj.) njerëz që kanë qenë afër popullit dhe larg politikës, ose edhe të tillë që tani më janë zhveshur nga politika ditore si rezultat i zhgënjimeve. Të tillët nuk janë rob i mendimeve të amputuara nga klasa aktuale politike, por të lirë për të gjetur zgjidhje në interes të këtij shteti. Këto grupe të shoqnisë duhet të dalin bashkë me popullin, me shoqninë civile, me studentët, me nxënësit dhe me punëtorët të mbushin rrugët, të protestojnë paqësisht, të ndikojnë në fillimin e grevave të përgjithshme nga punëtorët. Të paralizohet çdo gjë përderisa kjo qeveri të largohet. Të kërkohet formimi i një qeverie teknike, të çkapen institucionet e sidomos gjyqësia, sepse kështu do të futeshin në fllad ata që e sollën këtë gjendje, ku edhe partitë aktuale politike do të pastroheshin nga individët e tillë. Jam i bindun se zëri i këtyre elitave do të dëgjohet, boll kanë jetuar në heshtje, e kanë obligim moral e kombëtarë. O tani, o kurrë!”, mbaroi plaku i mençur mendimin, fjalët e të cilit gjetën vend tek të gjithë të pranishmit të atë odë burrash.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.

Shkruan: Florim ZEQA

Nga frika e humbjes së pushtetit, qeverisja aktuale, pas takimit me presidenten, me ç’rast e keqpërdorën katërçipërisht pjesmarrjen e njërit prej liderëve të opozitës në atë takim (Ramush Haradinajt),…nuk ka mbetë hapësirë dialogu mes pushtetit dhe opozitës.

Së fundmi vazhduan me takimin tjetër me një pjesë të përshtatshme të shoqërisë civile dhe disa analistëve të përzgjedhur nga ana e tyre, për t’u rrëfyer për “legjitimitetin” e marrur (vjedhur) përmes votës qytetare, më pas të kontrabanduar disa herë për interesa personale dhe klanore të një grupi të ngusht njerëzish të papërgjegjshëm,…me ç’rast disa herë në vazhdimësi u thirren në të “drejtën” për të qeverisur me vendin.

Përderisa lideri i PDK-së dhe i qeverisë në largim të Republikës së Kosovës, pretendenti për marrjen e postit të presidentit të shtetit e ka të drejtën e thirrjes në votat e subjektit të tij politik,…vartësi i tij, “kryeministri” Mustafa nuk e ka të drejtën e abuzimit të mbi 190 mijë votuesve të LDK-së që në zgjedhjet e fundit votuan për ndryshimin e kursit qeverisës në vend, për largimin e Hashim Thaçit nga pushteti. Mbi 25 % e elektoratit të LDK-së, në të cilin padrejtësisht dhe në mënyrë abuzive thirret lideri i saj, kishin votuar për ndryshim dhe kundër vazhdimit të keqeverisjes së vendit,…kur kësaj i shtohen edhe përqindjet e partive tjera shqiptare dhe jo serbe që votuan PRO ndryshimit qeverisës në vend, atëherë na delë argumenti bindës se kjo qeveri nuk e ka mandatin politik të mbi 65 % e elektoratit kosovar për të shkuar tutje me qeverisjen e vendit.

Thënë më qartë, qeverisaj aktuale, mandatin e saj politik e ka filluar pa legjitimitet juridik, me vjedhje dhe kontrabandim të vullnetit të qytetarëve të vendit. Për fat të keq, këto fakte i kanë të njohura edhe disa nga “miqt” ndërkombëtar që po vazhdojnë me mbështetjen e së keqës në Kosovë.

Alterrnativa e vetme e daljes nga kriza politike dhe e shpëtimit të vendit nga më e keqja, janë zgjedhjet e reja, apo siq e parapëlqej t’i quaj të jashtëzakonshme, pasi të tilla i ka bërë vet situata politike.

Vetëm një grupacion i ri politik, me figura të reja dhe të pakorruptuara politike, me një mendësi të re qeverisëse, me zotimin para popullit dhe para zotit se do ta vëjë drejtësinë, rendin dhe ligjin në binar të shëndoshë, mund të jetë motiv shtesë për dalje masive të elektoratit në zgjedhje, njiherit do të shtonte shpresat qytetarëve të këtij vendi për jetë dinjitoze në vend të vet.

Në të kundërttën, me figura të dyshimta, me akuza dhe dosje të hapura në prokurori, vetëm sa mund të prodhohet një situatë akoma më e rënduar se që është akualisht, përkundrazi mund të kemi përseritje të skenarëve të ngjajshëm të mbjatjes, respektivisht ardhjes në pushtet.

Në përfundim të këtij shkrimi, e ndjejë të nevojshme t’u drejtohem lexuesve me disa fjalë, pavarësisht pikpamjeve ideologjike apo partiake.

Çdo njeri intelegjent, qoftë politikan, shkencëtar, doktor, mësues, bujk apo murator, e zotëron një mënyrë të veqantë të vrojtimit dhe përshkrimit të botës që e rrethon.

Edhe pse nuk jam aktor i drejtëperdrejt në politikë, me shkrimet e mia të pavarura dhe pandikuara prej askujt, me (pa) dashje jam bërë pjesë e politikës. Shkrimet e mia janë politike në kuptimin më të thellë të fjalës.

Të jesh politik do të thotë të jetosh kohën tënde, të jesh një njeri i kohës që e jeton. Gjithnjë me pendën time mundohem të pasyroj në mënyrë sa më besnike realitetin në të cilin jeton populli im në vendlindjen time të dashur.

Gazetaria është një profesion sa i dashur po aq i vështirë. Gjithnjë mundohem të mbajë anën e drejtësisë, duke shfrytëzuar lirinë e shprehjes pa fyer e ofenduar njerëzit e papërgjegjshëm të politikës, këta kusarët politik të ditëve të sotme, që në vend të parajsës së premtuar, popullit i sollën vetëm vuajtje e mjerim, thyerje shpirtërore deri në humbje të shpresave për jetë në vendin më shtrenjtë dhe më të çmuar në këtë botë-vendlindjen.

Edhe pse mirrem me tama politike, ambiciet e mia nuk janë të karakterit politik!

Krejt çka shkruaj e themë, rrjedh nga thellesia e shpritit për dashurinë që ndjejë ndaj popullit dhe atdheut tim të shtrenjtë.

Ambiacia ime personale është e njëjtë me ambicen e çdo mërgimtari, që ka për dëshirë dhe synim ta shofë shtetin e Kosovës në rrugë të mbarë të zhvillimit, prosperitetit, mirëqenjes qytetare dhe stabilitetit socio-ekonomik,…që ngjallë shpresat e neve mërgimtarëve për kthim në vendlindjet tona, të braktisura nga dhuna dhe represioni sistematik serb përgjatë viteve të ’90-ta.

Shkrimet, komentet, analizat e mia,apo si do që t’i quani, nuk janë tendencioze për uljen e imazhit të njërit apo ngritjes së tjetrit lider partiak,…ngase, sikurse që nuk e gëzojnë respetin, nuk mund ta kenë as urrejtjen time personale.

Ato që i urrejë skajshmërisht, janë fenomenet negative të shfaqura në shoqërinë kosovare këtyre viteve të fundit si; korrupsioni, krimi organizuar, haraqi, kontrabandimi dhe shpërndarjea e substancave narkotike nëpër institucione shkollore, rritja e numrit të vrasjeve për motive të ndryshme, qofshin ato pronësore, biznesore apo motive tjera të ulëta,…që përveq imazhit negativ për vendin, kanë krijuar pasiguri për jetën e qytetarëve dhe ndaljen e investimeve të huaja në Kosovë.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.

Shkruan: Kushtrim GASHI

Presidenti republikës është figurë institucionale dhe më e lartë përfaqësuese në vendin tonë. Kushtetuta e vendit i jep atij funksione të rëndësishme, nga ajo e përfaqësimit të unitetit të popullit dhe e garantit të parimeve kushtetuese deri në funksione të natyrës politike dhe ekzekutive.

Cilësitë e një Presidenti për të drejtuar vendin dhe përfaqësuar unitetin e popullit nuk i ka askush tjetër pos Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi!

1. Hashim Thaçi është një ndër themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjatë viteve të luftës ishte drejtues politik i saj, gjë që dëshmon kontributin për vendin dhe popullin.

2. Gjatë Konferencës ndërkombëtare për Kosovën, të mbajtur në Rambuje të Francës Hashim Thaçi ishte kryesues i delegacionit të Kosovës, ku Konferenca përfundoj në Paris pas nënshkrimit të palës shqiptare dhe iu hapë rrugë intervenimit ushtarak të Paktit NATO për Kosovën.

3. Gjatë procesit negociator të drejtuar nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Presidenti Marti Ahtisaari, Hashim Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit, ku dokumenti i Ahtisaarit rezultojë me Pavarësinë e Kosovës.

4. Me 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës shpallë Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

5. Hashim Thaçi ishte lideri politik i UÇK-së, Kryeministër i Përkohshëm i Qeverisë se Kosovës si dhe Kryeministri i parë i Qeverisë se Republikës se Kosovës. Si një njohës dhe akter i çështjeve historike nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë, ai ka aftësinë që tu paraprijë proceseve.

6. I vetmi lider i cili fitojë 6 palë zgjedhje në vendin tonë nuk është askush tjetër pos Hashim Thaçit.

7. Hashim Thaçi është lideri politik me i votuar në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në vendin tonë që nga viti 2007.

8. Lideri i vetëm i cili do të përfaqësonte dhe mbronte interesat e qytetarëve denjësisht është Hashim Thaçi. Me guximin, përvojën, vendosmërinë dhe karimzën që ka, ai mund të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve.

9. Hashim Thaçi ka aftësi të rralla komunikuese, ka takt të mirë të bisedimit dhe ka ndjenjë të përgjegjësisë se fjalës publike.

10. Cilësia kryesore që duhet të ketë një president është përkrahja, respekti dhe dashuria e qytetarëve. Kush tjetër ka përkrahjen, respektin dhe dashurinë e qytetarëve pos Hashim Thaçit.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.

Shkruan: Faik KRASNIQI

Jeta është kthyer në një shfaqje me maska. Në fakt gjithmonë kështu ka qenë, por dikur njerëzit i vendosnin këto maska vetëm në raste të veçanta, ndërsa sot vetëm në raste të veçanta i heqin…

Mbase arsye për këtë është fakti që njerëzit janë detyruar të afrohen shumë në një kohë që dashuria për njëri-tjetrin është zbehur prej “luftës së madhe”…

Lufta, një farë Darvinzmi Social… Nuk besoj në Darvinizëm, por nëse do ishte e vërtetë, ky tip evolucioni do na kthente në majmunë (ose ndonjë kafshë tjetër) prapë…

Kulmi i hipokrizisë!

Hipokrizia është si miopia. Thuhet që nuk ka njeri në botë që mos të ketë një defekt sado të vogël me miopinë. Ka që kanë nevojë për syze, ka edhe nga ata që nuk i shqetëson. Është një pyetje që e kam pasur në mendje. Por, është ndryshe të mendosh për të, apo të kërkosh t’i japësh ndonjë përkufizim, dhe ndryshe ta jetosh dhe të përballesh me hipokrizinë.

Të jesh hipokrit do të thotë të mos jesh vetvetja. Dhe ajo që kam kuptuar deri tani është se, sikur edhe asgjë të mos i besh, asnjë dëm të mos i shkaktosh dikujt, vetëm duke qenë hipokrit me të, tashmë e ke lënduar. Dhe nuk ka gjë më të keqe se një marrëdhënie njerëzore që fillon e vërtetë, për të përfunduar në hipokrizi. Shija është e hidhur sa s’bëhet.

Nëse sillen me hipokrizi ndaj nesh, të tillë fillojmë bëhemi edhe ne. Oh, sa më mirë do ishte të ndryshonim gjërat sapo fillojmë dallojmë diçka të tillë. Të mos pajtohemi me gjendjen, aq më keq të biem pre e saj, por të kërkojmë të kemi një marrëdhënie siç duhet. Dhe nëse ‘sëmundja’ shërohet, kemi fituar/rifituar një marrëdhënie njerëzore. Nëse duket se është e vështire të arrihet kjo gjë, zgjedhja ime do të ishte më mirë ta shkëpusja atë komunikim sesa të shikoja të ushqehej hipokrizia tek unë dhe personi tjetër.

Sepse mendoj se nuk ka gjë më rraskapitëse për shpirtin njerëzor se të mos qenit vetvetja, mbajtja e maskave që peshojnë, të cilat shpejt bëjnë që edhe ato pak virtyte që mund të kenë mbijetuar, t’i shikosh të vdesin pak nga pak prej kësaj gjendjeje. Shpirti është krijuar për të qenë i lirë, dhe për sa kohë burgoset në qeli si ajo e hipokrizisë, ai nuk do arrijë të jetë kurrë i lumtur dhe i plotë.

As Zoti nuk na bie në fije!

Hipokrizia është gjithkund, fatkeqësisht…Por tek ne shqiptarët hipokrizia është tepër e theksuar. Hipokrizia për shqiptarët është shndërruar mbi të gjitha në një luftë për ’ekzistencë’. Lufte e atillë që vetëm të ’zgjuarit’ ia arrijnë ta çojnë deri në fund. Jemi hipokritë të mëdhenj. Mashtrues dhe gënjeshtarë. Në njërën anë themi se e ’duam’ aq shumë atdheun, por në anën tjetër çdo ditë e plaçkitim, e vjedhim, e dhunojmë, e shkatërrojmë, e degradojmë. Nuk lëmë gjë pa i bërë. E pastaj themi: Pse jemi katandisur aq keq? As Zoti nuk na bie në fije.

Njeriu mund të harrojë momentalisht, mund të dehet dhe të mendojë veten ndryshe nga ç’është në të vërtetë, por diku thellë në ndërgjegjen e tij e dinë mirë se kush është.

Prandaj, njeriu Zotin dhe veten s’mund t’i gënjejë asnjëherë…

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.

Shkruan: Islam KRASNIQI

Përfaqësuesit tanë, pa fije turpi për çdo veprim të vetin raportojnë në Facebook, për dreka e darka,  udhëtime private e zyrtare, me pare të popullit të varfër,  një shtresë e popullit s’di çfarë të hanë në mbrëmje e s’dinë çka në mëngjes, i ka lodhur varfëria, skamja, mjerimi, kanë mbetur në mëshirën e Zotit.

Ata kanë harruar së populli i ngriti në atë pozitë, (për ti turpëruar një ditë), ku duke e keqpërdorur dhe abuzuar me votën e tyre, dhe po mendojnë se komunikimi me qytetarë bëhet vetëm përmes postimeve në llogarit e tyre ne Facebook.

Liderët tanë mbyllen dhe izolohen në zyrat e tyre, dukë i bërë publike veprimet e tyre dhe për të ju ikur mediave,  sepse janë të zgjedhur të popullit dhe kanë obligim që të ju përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.    Kur qytetaret i kritikojnë,  në postimet e tyre në rrjetet sociale, ata irritohen dhe i bllokojnë ata qytetar që të mos kenë mundësi që të kyçën përsëri në llogarit e tyre, dhe në llogarit e tyre mbajnë vetëm militant të partive të tyre, të cilët i përkrahin për mosdijen e tyre.

Askush nuk është kundër njoftimeve apo edhe reklamave të tyre, nëpër rrjetet sociale,  por ata duhet të jenë të afërt me mediet, të krijojnë marrëdhënie bashkëpunimi dhe assesi të konfrontohen me ta. Ata duhet ti ikin sistemit të njëanshëm, dhe jo transparent të informimit publik, siç është ai i komunikatave dhe postimeve në llogarit e tyre në rrjetet sociale” ku në shumë raste mediat dhe gazetarët njoftohen vetëm përmes postimeve në llogarit e tyre Facebook apo Twiter.

Liderët tanë ju ikin mediave për arsye të pyetjeve të gazetarëve dhe ballafaqimit me ta, dhe bëhen nervoz atëherë kur kritikohen për veprimet e tyre të ndyta apo amorale që i bëjnë për vetëkënaqësi, Kur shikojmë postimet e tyre në rrjetet sociale, një fjali dhjetë gabime, që do të thotë së as Shqip nuk dinë të shkruajnë pastër.

Shpesh herë e shprehin mllefin dhe nervozen e tyre dukë ofenduar kolegët e tyre që kanë mendime të ndryshme nga ta, për arsye së në rast së kritikohet nga populli, për postimin e tij, që të ju shmanget debatin e panevojshëm, arsyetohet se me është sulmuar faqja nga hakerët, si rast konkret mund ta përmendim postimin në faqen e Kryeministrit Mustafa kur drejton akuza drejt liderit të AAK-së z.Haradinaj.

Para një viti, një deputete e Parlamentit Evropian nga Kroacia, në një takim me gazetarë iu drejtua me këto fjalë: Nëse doni bashkëpunim me mua unë jam gati. Nëse nuk doni s’kam problem sepse e kam Facebook-un. E politikanet tonë e thirrin Republikën e Kosovës “Kosovë Europiane” ama po harrojnë se ata vetë janë komunistë dhe kurrë s’do të këtë Europë me egoistë e titistë, të cilët  mendojnë vetëm për barkun e tyre!..

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.

Shkruan: Faik KRASNIQI

Ka kohë që në PDK është duke u zhvilluar një ”luftë ” mes Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, se cili do të jenë në krye të partisë, edhe për një kohë të gjatë. Kjo ”luftë” mes tyre tashmë nuk është diçka sekrete. Hashim Thaçi është në mes të dy dilemave. Nëse zgjidhjet President, atëherë automatikisht e humb kreun e partisë, e cila bie në dorën e dyshit të partisë, Kadri Veselit, njeriut më të fuqishëm në PDK, por edhe në skenën politike të Kosovës. Dhe pas mbarimit të mandatit pesëvjeçar në kreun e Presidencës, Hashim Thaçi do ta ketë vështirë, ose më mirë të them do të një mision i pamundur, për t’u rikthyer lider i partisë. Prandaj, dyshoj që Hashim Thaçi e ka seriozisht postin e presidentit, sepse që në atë moment që zgjidhet president, do të thotë fundi i karrierës së tij politike. Duke marrë parasysh moshën e tij, nuk besoj që edhe aq shumë i intereson posti i presidentit, edhe pse po hiqet si shumë i interesuar që të zgjidhet president i Kosovës. Hashim Thaçi është lojtar shumë i fortë në politikë dhe gjithmonë i bën gjërat të duken ashtu siç i thotë, por në fakt vepron të kundërtën e asaj që thotë. Prej futjes së Kadri Veselit në politikë dhe numrit aq të madh të deputetëve të PDK-së, që vijnë nga radhët e SHIK-ut, kjo parti edhe zyrtarisht është në duart e SHIK-ut. Por, ndikimin e madh SHIK-u në PDK e ka pasur edhe para se Kadri Veseli dhe deputetët e tjerë të SHIK-ut, të bëheshin edhe zyrtarisht pjesë e politikës. Në fatin e Hashim Thaçit do të luajë rol të madh edhe Gjykata Speciale, nëse do të jetë edhe ky një ndër të akuzuarit nga kjo Gjykatë. Njerëzit e kësaj partie, janë më të inkriminuarit në krim dhe korrupsion, dhe nuk dallojnë shumë njëri nga tjetri. Sidoqoftë, mendoj që z. Kadri Veseli në një të ardhme shumë të afërt, do ta marrë timonin e partisë. Sepse çdo kalkulim politik është duke shkuar në favorin e tij.
                                                                      Dinaku Isa Mustafa
Të gjithë e dimë tashmë që Isa Mustafa është njeri i pabesë. Kur thotë diçka gjithmonë del e kundërta. E tradhtoi Fatmir Sejdiun, e tradhtoi edhe z. Behxhet Pacollin, para fushatës parazgjedhore. Kështu veproi edhe me koalicionin VLAN, të cilin në fund e tradhtoi, për hir të pushtetit dhe postit të kryeministrit, post për të cilin kishte marrëveshje me z. Ramush Haradinaj,  në mënyrë që z. Haradinaj të zgjidhej kryeministër.  Por, lakmia e postit të kryeministrit, Isa Mustafën dhe partinë e tij i dërgoi në prehrin e Hashim Thaçit dhe SHIK-ut. Prandaj, këtij njeriu nuk i zihet besë për asgjë, sepse është dhelpër dinake. Në çdo variant LDK-ja do të dalë humbëse, sepse Hashim Thaçi këtë gjë e ka planifikuar qysh prej fillimit. Matematikisht i bie që Thaçi nuk e ka problem të zgjidhet president, sepse votat prej pjesës dërrmuese të deputetëve të LDK-së i ka, përveç votat e Vjosa Osmanit, Adem Salihajt, Alma Lamës, Armend Zemajt, Arben Gashit dhe dy ose eventualisht tre deputetëve të tjerë të LDK-së që nuk i ka.
                                                           Koalicioni nuk është jetëgjatë, me apo pa Thaçin president
Por, edhe nëse Thaçi zgjidhet president, prapëseprapë do të kemi prishje të koalicionit nga ana e PDK-së,  sepse do të jetë mu PDK-ja ajo e cila do ta prishë koalicionin me LDK-në, në mënyrë që ta ketë edhe postin e presidentit, e në zgjedhjet e ardhshme ta synojë edhe postin e kryeministrit. Dhe nga e gjitha kjo lojë e ndyrë mes dy partnerëve të koalicionit, PDK-së dhe LDK-së, kjo e fundit do të dalë e lagur, shkaku i lakmisë së pushtetit dhe i kapriçove të kryetarit dhe servilëve të kësaj partie.  Ky njeri, Isa Mustafa, kryesia dhe këshilli i përgjithshëm i kësaj partie, do të mbahen në mend dhe do të futen në histori, që qëllimisht e shkatërruan këtë parti, që në kohën e Presidentit Rugova, ishte partia më e mirë dhe e rrethuar me intelektualët më të mëdhenj, e sot fatkeqësisht ka ngelur në dorën e servilëve dhe mjeranëve. Tragjedia akoma më e madhe për këtë parti do të jetë zgjedhja e Hashim Thaçit president, me votat e LDK-së, me votat e të ashtuquajturve ”rugovista”!
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.

 

Shkruan: Agim HOXHA

Shpeshherë jemi mësuar të dëgjojmë zëra si: njerëzit në Kosove flasin vetëm për politikë ose është politizuar gjithçka? Të jetosh në Kosovë ku çdo mëngjes, që nga momenti kur ndezë televizionin, kur bënë hapin e parë dhe del nga shtëpia e deri në mbrëmje kur edhe njeriu kthehet në shtëpi të imponohet të flasësh për politikë.

Si katalizator i gjithë kësaj është gjendja e rëndë institucionale, sociale dhe ekonomike. Sot, të gjithë ne jemi dëshmitar se po jetojmë në një kohë krize ku janë thelluar problemet dhe vazhdojnë të thellohen edhe më shumë. E për fat të keq, si zakonisht viktimë e mashtrimeve dhe abuzimit me ndjenjat dhe shpresat mbetet populli, i cili e tëra që kërkon është një mirëqenie më të mire sociale dhe ekonomike, ku nuk do të brengoseshin se çfarë po ndodhë në parlament por preokupim kryesorë do të kishin të shkonin në punë, ta jepnin kontributin e tyre secili në profesionin e tij dhe kështu jeta do të normalizohej dhe secili do të lëvizte si sistemi i planeteve në galaktike ku e kanë udhëpërshkrimin e tyre dhe nuk goditen planetet nga njëra tjetra.
Ndodhemi në kohën kur kemi qeveri por është jo funksionale, kemi gjyqësi por nuk gjykohet drejtë, kemi polici por kohë pas kohe di të jetë e njëanshme dhe di të bëjë veprime selektive sipas instruksioneve të atyre që e kanë pushtetin. Shëndetësia, me ato të meta që i ka mundohet sadopak t’i shërbejë këtij populli i cili ka marrë plagë të mëdha si para lufte ashtu edhe pas saj. Sistemi arsimor kurrë nuk ka pasur kushte më të mira sesa sot, u ndertuan shumë shkolla, por për çudi niveli i diturisë tek nxënësit është shumë më i dobët se gjeneratat e mëhershme të cilat kaluan në kushte më të veshtira dhe sprova me te medha se gjeneratat qe po shkollohen sot.
Ku qëndron problemi? Ose më mirë të themi qe sa ekziston ky problem? Është pak e vështirë, por qeverisja e keqe i ngjanë një topi dëbore i cili lëvizë nga lart dhe duke rrëshqitur vazhdon të rritet. I tillë është fati i Kosoves që nga faza e pasluftës. Secili popull i cili kalon fazën e tranzicionit përballet me këto probleme, mirëpo si duket Kosova është ngujuar në këtë fazë edhe e ka shumë të vështirë të dalë. Përderisa në botën demokratike mjaftonë një skandal, një plagjiature ose një shkelje e kushtetutës nga një deputet ose ministër përkatës të bëhet dhe ai vetëvetiu jep dorëheqje. Në Kosove shohim plotë skandale e dëme që i bëhen këtij vendi, dhe i sheh në televizion ku ministra të caktuar thonë ” nuk jap dorëheqje dhe pikë ” pothuajse atë karrikë dhe atë post e ka të trashëguar nga paraardhësit e tij brez pas brezi.
Pozita dhe Opozita janë duke i ngjarë atij tregimit të cilin besoj se të gjithë ne e kemi mësuar në shkollën fillore dhe e mbajmë mend edhe sot? Tregimi quhet ” Dy dhitë dhe ura “. Dy dhi jetonin në një fshat, një ditë ato vendosin ta kalojnë lumin dhe të dalin në anën tjetër. Ato shkuan tek ura, por nuk mund të vendosnin se cila të kaloj e para. Njëra dhi thoshte se është më e vjetër dhe se ka përparësi që të kalojë e para. Tjetra dhi thoshte se kopeja e saj është më e madhe dhe ka përparësi që të kalojë e para. Duke u shtyrë me njëra tjetrën se kush duhet të kalojë e para ato ranë nga ura dhe u mbytën që të dyja në ujë.
Besoj se e kuptuat për kënd është fjala në tregimin tonë aktual?!
Në një anë kemi diktaturë, arrogancë, jo transparencë, ikje e pergjegjesisë dhe debatit nga Pozita. Në anën tjetër kemi gazin lotësjellës, dëmtimin e pronës shtetërore, dhunën, e që kjo e fundit gjatë zhvillimeve dhe fakteve historike na del se nuk është mjeti i duhur i zgjidhjes së problemeve.
Një thënie e Albert Ajnshtajn thotë: ” Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet duke përdorur të njëjtin lloj të të menduarit që kemi përdorur kur i kemi krijuar ato (probleme). ”
Nëse Pozita dhe Opozita ia duan të mirën këtij vendi dhe dëshirojnë të punojnë për të mirën e këtij populli ashtu siç flasin dhe kanë gojën plotë premtime për ndryshime në të mirën e qytetarëve në çdo fushatë zgjedhore, atëherë mendoj se koha ka ardhur që këto të dyja të ulen, të diskutojnë dhe të reflektojnë për zgjidhjen e kësaj krize politike dhe të punojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
Ose skenari i dytë, ndërhyrja e palës së tretë, trokitja e ” postierit ” në derën e udhëheqësve politik dhe “ zarfi i famshem “ i cili shpeshherë po na del që nuk është zgjidhja më e mirë por e domosdoshme për ta kaluar këtë krizë politike e cila më vete po bartë pasoja në çdo fushë të jetës së qytetarëve të Kosovës.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.

Shkruan: Florim ZEQA

Protesta e 9 Janarit, që njiherit ishte edhe protesta më masive e pasluftës në Kosovë, i ka lëkundur fuqishëm thëmelet e kalbura të kësaj qeverie. Dy drejtuesit e qeverisë, Thaçi e Mustafa janë duke provuar të mbrojnë “lëkurën” e tyre me të gjitha mjetët që kanë në dispozicion duke filluar nga mediat publike, ato elektronike dhe të shkruara e deri tek shërbyesit e tyre publik; ministra, zv. ministra, këshilltar, militant partiak e çka jo tjetër, duke i përdorur si “kondom” politik kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Tendenca e hapur e “kondomëve” politik për minimizimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila evidentoj shkeljen e hiq më pak se të 22 neneve të kushtetutës, ka për qëllim mbrojtjen e interesave personale të një klani mafioz në qverisjen e vendit.
Nuk e di që mund të ketë marrëzi më të madhe, se sa ajo kur dëgjon shqipfolës duke mbrojtur interesat e Serbisë në Kosovë (Zajednicën)!
Nga ana tjetër sa “kondom” të tjerë i kanë vënë në shërbim të realizimit të marrëveshjes private  (jo partiake) për “zgjedhjen” e Hashim Thaçit për president të vendit!
Ky, përveqse është skenar i keq, është i vetmi kusht për vazhdimin e bashkqeverisjes mes dy partnerëve kontravers të koalcionit, që skanë asgjë të përbashkët mes vete, përveq aferave korruptive.
Arroganca e qeveritarëve të ardhur në pushtet me votën e kontrabanduar të qytetarëve të lirë të këtij vendi ka arritur kulmin.
Injorimi i peticionit të nënshkruar prej mëse 200 mijë qytetarëve  të këtij vendi dhe injorimi nga ana e pushtetarëve, e kërkesave të drejta dhe legjitime të qindëramijëra qytetarëve të Kosovës në protestën më masive nga paslufta e këndej, paraqet rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve dhe të ardhmën e vendit.
Kjo formë e referendumit popullor, përveqse e delegjitiminon në mënyrën të fuqishme qeverisjen aktuale të uzurpatorëve të shtetit, të kësaj klase të korruptuar politike,…paraqet kërkesën e shoqërisë kosovare për ndryshimin e kursit qeverisës në vend.
Nga 9 Janari, lirisht mund të themi se mori fund “agonia” e pritjes së qytetarëve të vendit, nga ajo ditë filloi rënja këtij pushteti antidemokratik dhe antipopullor, e këtij pushteti të grupeve të interesit, që për 16 vite rresht u pasuruan në mënyrë të paligjshme nga shpërdorimi i pushtetit, përmes aferave korruptive, gjatë tenderimit dhe shitjes të ndërmarrjeve publike të vendit tonë.
Vetëm vullneti i popullit mund t’ua hjekë nga duart privilegjet pushtetarëve dhe një pjese të opozitarëve, që kontrollojnë bashkarisht të gjitha bizneset e pista në Kosovë.
Largimi i pozitës nga pushteti dhe zavëndësimi me opozitën e tanishme vetëm sa do të prodhoj efekte “domino”! Prap do të kemi perseritje të bllokadave politike, kërcënime dhe shantazhe të ndërsjella mes dy blloqeve politike.
Që kjo të mos ndodhë, ka ardhur momenti i fundit, që të zgjohet nga “agonia” politike elektorati i heshtur rugovian,…fillimisht për ta pastruar nga mbrenda LDK-në, shtëpinë e vjetër e të mykosur nga korrupsioni, familjarizmi dhe nepotizmi i grupeve të interesit, largimin njëherë e përgjithmonë të diktaturës komuniste, kërcënimeve dhe shantazheve të instaluara nga lideri aktual, praktika këto të paqëna në subjektin rugovian.
Një iniciativë e shëndosh politike për ndryshime rrënjësore dhe përmbajtësore në LDK-në rugoviane, do të krijonte premisa të fuqishme për ndryshimin në tërësi të skenës politike kosovare,…për çka, mbrenda një kohe realitivisht të shkurtër në sheshet dhe bulevardet e Prishtinës mund të duboheshin mbi 1 milion njerëz të pakënaqur, apo mbi 50 % e elektoratit pasiv, të pas zgjedhjeve të 2004-s e këndej.
Kjo forcë e ndryshimit real kërkon largimin nga skena politike e të gjithë liderëve partiak, të implikuar në afera të ndryshme kriminale dhe korruptive.
Nëse vërtetë liderët e partive opozitare, e kanë me gjithë mendje interesin e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, zhvillimin ekonomik dhe interesin e qytetarëve të vendit, duhet të deklarohen publikisht para qytetarëve të vendit, për  tërheqjen e tyre nga skena politike në momentin e rrëzimit të kësaj qeverie, për t’i lënë hapsirë ardhjes në pushtet të një klsae të re, te pa korruptuar dhe padjallëzuar politike.
Në të kundërtën, ndërrimi i roleve në skenën e vjetër politike, jo vetëm se do të ndikonte në rënjën e interesimit të qytetarëve për dalje në zgjedhje,…do të ndodhë akoma më keq, largimin masiv të qytetarëve nga vendi, ngase  kasta aktuale  politike e vendit është bërë tepër e urryer dhe e papërballueshme për jetën e qytetarëve në këtë vend.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.

Shkruan: Islam KRASNIQI

Protesta e 9 janarit është datë për tu mbajtur mend, datë me të cilën tregohet se populli ka  filluar  të vetëdijesohet, ka  filluar  ti dalloi të bardhën nga e zeza, të mirën nga e  keqja.

Protestës ishte madhështore me pjesëmarrje masive edhe  të pa pritshme, të organizuar prej tri partive opozitare, qytetarët iu kishin përgjigjur thirrjes  për të protestuar dhe ishte një ndër protestat me  të mëdha që kishte ndodh ndo një herë pas përfundimit të luftës.

Inatet politike sërish u shfaqën në masë nga të dyja palët, serish treguan se sa të pa përgjegjshëm janë përfaqësuesit e  popullit, të cilët që nga  mëngjesi filluan në mënyrat e tyre.

Protesta ishte paralajmëruar se do të ishte paqësore nga opozita, kundër marrëveshjeve të Brukselit me Serbinë për një asociacion të komunave me shumicë serbe dhe me Malin e Zi për demarkacionin kufitar.

Pozita dhe  opozita  kanë filluar  një luftë mes  vete, ku qeveria shkeli 23 nene të Kushtetutës se Republikës së Kosovës  për  ti plotësuar  dëshirat e  Beogradit  dhe behët  që sikur  nuk ka  ndodhur asgjë, gjersa  opozita  kërkon largimin e saj sepse siç thotë ajo së qeveria jonë ka  humbur  fuqinë dhe  për  kërkesat e  Beogradit  po e dëmton shtetin dhe po humb sovranitetin.

Qysh në mëngjes e djeshëm është ditur së protesta do të eskaloj sepse qeveria e  Kosovës duke i përdorur policin i ka  provokuar qytetaret , duke i ndalur autobusit që ishin nisur për protestë, për të iu marrë emrat, dhe për ti i kontrolluar kush po shkon për  protestë,  disa edhe  duke i kthyer gjersa edhe  masa  është mllefosur nga  veprimi i policisë që dirigjohet nga  larg.

Protesta  filloi mirë, por u dashtë të ndërpritet sepse  disa  huligan filluan të shprehin pakënaqësinë e tyre dukë hedhur koktej molotovi mbi objektin e  qeverisë, i vetmi i cili u mundua që të qetësoi dha  ndalë masën ishte deputeti i VV Rexhep Selimi, por  një gjë e tillë ishte e  pa  mundur dhe  gjithçka  doli nga  kontrolli, por  mos të harrojmë sepse protestat e  ardhshme mund edhe të marrin jetëra   njerëzish,  nëse  nuk gjejnë një zgjedhje.

Duhet liderët  tanë që të ulën sa  me  parë dhe ti thërrasin mendjes, që sa me shpejt që është e  mundur, të gjejnë një zgjedhje për të tejkaluar gjendjen aktuale, sepse  çdo ditë e me shumë po rëndohet  mbi kurrizin e qytetarit, e që për qeverinë qytetari ka vlerën zero.

Që në fillim kur janë arritur këto dy marrëveshje qeveria  është dashur që të ulët dhe të bisedoj me partitë opozitarë për një zgjedhje  me të mirë  për të gjithë, mirëpo Kryeministri thoshte ejani bisedojmë, por nënshkrimi nuk tërhiqet, gjersa  zëvendësi i tij i parë dhe Ministri  i Punëve të Jashtme thoshte së nuk janë lojëra fëmijësh marrëveshjet ndërkombëtare, dhe nuk mundë të tërheqin.

Shpëtimi i vetët i zhbllokimit të institucioneve dhe qetësimit të opozitës janë zgjedhjet  e  reja që ti ikim ndo një luftë civile, e cila mund të shpërthej në çdo moment, sepse masa e  njerëzve  nuk mund të kontrollohet  letë as  nga  opozita  as  nga  policia.

Duhet  të vetëdijesohemi që të dhamë llogari për  veprimet tona, e  jo çdo problem të gjen zgjedhje  vetëm me  dhunë, e  me shkatërrim, sepse  po e  quajmë Kosova e  vogël Evropiane.

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.

Shkruan: Azem OSMANI

E vështroj prej së largu rrugën kryesore të shehrit e mbushur si kalavesh rrushi. Nuk ishte rrush, edhe pse prodhonte ndjesi t’ëmbla, por ishte rinia jonë, ardhmënia e Kosovës. Futem në Qendrën e Kulturës, plot gjallëri artistësh të rinj, ca pikturonin në atelie e ca të tjerë aty afër ushtronin vallëzimin.

E kishim lënë me një mik timin të dalim për kafe. E mora dhe hymë në njërën nga kafeteritë e çarshisë. Çka me pa! Vezullima flokësh, biseda me plot e përplot ngjyrime humori, kope buzëqeshjesh e n’sfond zhurmonte një melodi që i rrinte tamam atmosferës. Thash me vete! Edhe pse ne në rini nuk e kishim këtë përjetim, ndihem i lumtun që t’paktën këta e kanë. Këtë tog fjalësh ia përcolla një të riu të cilin e kisha afër.

-Eh, jemi ba aktorë t’mirë, ndoshta kafet makiato “na trajnuan”, po bëhemi sikur parajsën e kemi jashtë këtyre dyerve, e n’fakt, gjendja ekzistuese politike dhe sociale është si mos më keq, na e kanë vra ardhmëninë k’ta far përbindëshash qe gjashtëmbëdhjetë vite, u shpreh me mllef i riu të cilit si vetëtimë i humbi disponimi. Vrullshëm, me mimika, ja miratuan mendimin shokët e tij të tavolinës.

Sipas statistikave të fundit, mosha mesatare e popullsisë së Kosovës është 29.5 vjeçare. Viteve të mëhershme ky indeks ka qenë edhe më i ulët. Kjo tregon se në Kosovë pasuria më e madhe njerëzore është rinia.

Për fatin e keq, konjuktura politike ekzistuese ka shënjuar gjithmonë rininë për ta manipuluar në grabitjen e votës së tyre. Ata, sakaq edhe i instrumentalizuan nëpërmes të forumeve rinore, të cilat veprojnë tek shumica e partive politike.

Rinia jonë gjatë gjithë këtyne viteve të pasluftës e mori “hiletin” nga seniorët e mbrapsht politik të cilët vendin e kanë sjellë në një gjendje të pashpresë. Mënyra tjetër e grabitjes së votës së tyre ka ndodhur nëpërmes të imponimit nga ana e kryefamiljarëve, e sidomos të atyne që i quajmë militantë.

“Hajt bre djemtë e mi e çikat e mia, ngone babushin, edhe qisaj here duhet patjetër me gjue voten qaty ku e kena gjue gjithë. Nashta po do Zoti e po muushen men. Edhe jo për tjeter, veç për rahmetlinë Rugoven, se tybee, s’jau kish kërkue dhami “

“Une pe shoh bre bablok q’i met i kanë lanë, krejt po vjedhin, po gazitin, e rjepen kit Kosovë, veç po duhet me menue për nej ven t’punës. Heren tjetër na rrejtën, po qisaj here osht e sigurt, sagllamë. Edhe, kanë luftue kta, s’um punon dora me ja dhanë tjetër kuj, e ju duhet me votue qaty ku ju thom une”

Kështu përafërsisht u janë drejtuar kryefamiljarët patriarkal fëmijëve të tyre.

Rinia e pasluftës është rritur në rrethana më të favorshme për të kuptuar dhe gjykuar më drejtë se kujt duhet t’ia japin besimin për të na qeverisur. Ata janë tepër mirë të informuar falë zhvillimit të teknologjisë informative dhe të sistemit të avancuar të televizionit kabllorë.

Rinia jonë e arsimuar është shumë më e integruar në proceset bashkëkohore dhe demokratike të botës perëndimore. Qasja e tyre ndaj proceseve politike është shumë më racionale dhe gjykuese. Ata qëndrojnë larg kulteve lideriste dhe ideologjike. Thjeshtë, kërkojnë dhe u besojnë koncepteve të reja, bindëse dhe praktike për t’i avancuar proceset në rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Rinia nuk guxon të bie pre e presioneve dhe imponimeve politike as nga partitë dhe as nga kryefamiljarët. Situata momentale nuk është aspak e favorshme për ta. Këtë e bazoj nga një hulumtim shkencor që e kam bërë para pak viteve në rajonin e Podujevës, ku lideri lokal i opinionit (individët me ndikim: babai, nëna, i afërmi, miku, kolegu…) ka ndikim në masën prej 55 % në formimin e bindjes për një problem të caktuar shoqëror në raport me mediat. Gjendja duhet të jetë përafërsisht e njëjtë në tërë Kosovën, bazuar në rrethanat ekzistuese dhe perceptimet që i nuhasim çdo ditë.

Kjo situatë jo e favorshme duhet ta nxis rininë e Kosovës të mos pranoj imponimin e askujt. Të rinjtë tanë duhet të vendosin vet me këmbëngulësi se kujt dëshirojnë t’ia japin besimin.

Rini, lufto për pavarësimin e përcaktimit tënd politik! Ju jeni ardhmënia e Kosovës!

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.