Lajme nga Shqipëria

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe kreu i LSI-së, Petrit Vasili sapo kanë përfunduar takimin me ish- kryeministrin Sali Berisha.

Në një prononcim të shkurtër për mediat Meta u shpreh se shpresonte që çdo gjë e paktit Rama- Basha të bëhet publike.

“Jam shumë i lumtur që patëm një marrëveshje edhe pse jam informuar nga mediat.

Ëndrra ime është të ketë një marrëveshje dhe kontributi im është për një marrëveshje. Unë nuk kam qenë ndërmjetësuesi i kësaj marrëveshjeje por kam qenë imponuesi bashkë me LSI e PDIU e partitë e tjera.

Të bëhet publike dhe t’i shërbejë demokracisë dhe qytetarëve

Zoti Berisha është dobësia ime dhe në çdo kohë jam i gatshëm, në çdo kohë shërben takimi me të”, tha Meta.

Shqipëria renditet e treta në rajon, e 24-ta në NATO dhe e 92-ta në botë për nga fuqia ushtarake, shkruan sot Koha Ditore.

Në rajon Shqipëria lë pas Maqedoninë, e renditur e 116-ta dhe Bosnjë-Hercegovinën në vendin e 121-të. Ndërkohë, Serbia renditet e 83-ta dhe Kroacia e 67-ta në botë. Kosova dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e listës, kurse Greqia renditet në vendin e 28-të në botë dhe Turqia në vendin e 8-të. Tre vendet e para të listës janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina. Këto janë të dhënat e Indeksit të Fuqisë Ushtarake që analizon 127 vende të botës duke i listuar në bazë të fuqisë ushtarake.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Brian Yee i cili shoqërohej prej Ambasadorit të SHBA në Shqipëri Donald Lu.

Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA ndaj forcimit të institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe vuri theksin mbi rëndësinë e thellimit të këtij partneriteti strategjik në interes të avancimit me reformën në sistemin e drejtësisë dhe me procesin e integrimit evropian të vendit.

Yee e uroi Metën për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Republikës dhe vuri në dukje se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Duke diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, Kryetari i Kuvendit, Meta theksoi se mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme kërkon më tepër përgjegjshmëri e më shumë gjithëpërfshirje.

“Bojkoti nuk është zgjidhje dhe opozita duhet të gjejë të gjitha forcat për t’u përfshirë në procesin zgjedhor, për t’i shërbyer demokracisë dhe të ardhmes evropiane të vendit. Njëkohësisht, mazhoranca duhet të tregojë vullnet maksimal për përfshirjen e opozitës dhe respektimin e kërkesave dhe të drejtave të saj”, theksoi Meta.

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta u shpreh se gjithëpërfshirja dhe dialogu konstruktiv janë vendimtare për përshpejtimin e integrimit evropian, për sundimin e ligjit, për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për legjitimitetin e institucioneve të vendit.

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili e sheh si një mundësi për të arritur në kompromis politik, vizitën e zëvendësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee, të hënën në Tiranë.

“Një shans për kompromisin, që mundëson vazhdimin e integrimit evropian dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një shans për normalitetin dhe qetësinë që duam dhe aspirojmë të gjithë”, shprehet Vasili.

Zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit vjen në Tiranë pas dështimit të negociatave të ndërmjetësuara nga Brukseli, për gjetjen e gjuhës së përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Lulzim Basha.

Pasi palët refuzuan paketën e zv.presidentit të Partive Popullore Evropian David McAllister, LSI në këtë rast sheh si një shans të fundit për zgjidhje, vizitën e zyrtarit amerikan.

Opozita prej rreth 3 muajsh proteston kundër qeverisë Rama, me kërkesën për krijimin e një qeverie teknike me kryeministër të ri që të garantojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Deri më tani, kur kanë përfunduar të gjitha afatet ligjore për t’i hapur ‘shteg’ pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje, Shqipëria shkon në votime më 18 qershor me 15 parti në garën elektorale për të përcaktuar Parlamentin e ri.

Edhe pse është regjistruar në zgjedhje, LSI i ka vlerësuar zgjedhjet pa opozitën si absurde dhe që do të krijonin kaos.

Megjithatë, gjithçka do të varet nga negociatat politike, prej të cilave mund të kemi edhe një datë të re zgjedhjesh nëse opozita bie dakord të jetë në këtë garë elektorale

Presidenti në detyrë i Shqipërisë, Bujar Nishani, u nderua në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me titullin “Qytetar Nderi” i Prizrenit, në përmbyllje të vizitës së tij disaditore në Kosovë.

“Përpos qëllimit që kisha për të përcjellë në këtë vizitë: nderimin, vlerësimin, mirënjohjen e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, për vëllezërit dhe motrat tona, pata edhe një kënaqësi të veçantë në secilin takim, në Prishtinë, në Gjilan, Drenas, Prekaz, Deçan, Gjakovë, por edhe sot në Prizren, kurorën e diamantit të historisë shqiptare për ne shqiptarët. Ka qenë një pritje përtej çdo përmase që mund ta përshkruash, sepse sado i talentuar të jetë kushdo do ta kishte vështirë ta përshkruante. Unë e kam ndier dhe do ta mbaj brenda gjithë jetës”, tha Bujar Nishani, president në detyrë i Shqipërisë.

Në fjalën e tij, presidenti Nishani reagoi kundër dhunimit të ish-gazetares, Arbana Xharra, të cilin e quajti akt të rëndë dhe burracak.

Nishani përmbylli vizitën e tij të fundit në Kosovë, ku që prej së enjtes u takua me udhëheqësit shtetërorë dhe nderoi të rënët e luftës së fundit, si dhe bëri homazhe në varrin e presidentit Ibrahim Rugova.

Ashtu siç mund të pritej, protesta e opozitës do të kthehej në një provë force për nga pikëpamja numerike.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, dhe ish-kryetari i këtij subjekti, Sali Berisha, thanë se ishin 600 mijë të pranishëm.

Për disa media kjo ishte një shifër e ekzagjeruar.

Disa portale pranë të majtës publikuan një video të filmuar nga lart për të dhënë një ide të pranisë së vogël të njerëzve. Më vonë PD publikoi video e saj të mitingut.

Për më shumë, shikojini ato më poshtë.

Banka Botërore në raportin e fundit “Tregtia në Tranzicion”, evidenton se ekonomia e shtetit shqiptar ka shënuar rritje 3.2 për qind në vitin 2016, mbështetur nga kërkesa e brendshme e fuqishme.

Investimet private në dy projekte të mëdha të energjisë të financuara nga kapitali i huaj – gazsjellësi Trans-Adriatik dhe një hidrocentral – dhe një rimëkëmbje në konsumin privat e nxitën këtë rritje.

Rritja e konsumit privat u nxit nga përmirësimet në punësim dhe lehtësimi i kushteve të kredisë. Eksportet neto kontribuuan pozitivisht në rritje, të mbështetura nga shërbimet e turizmit, që u zgjeruan me 25.4 për qind, thuhet në raport.

Sipas BB, ecuria ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet në periudhën afatmesme. Rritja parashikohet në 3.5 për qind gjatë 2017-18 dhe pritet të rritet më tej në 3.8 për qind në 2019.

Ndërsa ekonomia vazhdon të përshpejtohet dhe tregjet e punës përmirësohen, priten përfitime të mëtejshme në uljen e varfërisë, thuhet në raport.

Tiranë, 12 maj Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se, nesër me 13 maj ne inagurojë republikën e re pasi është një popull i tërë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në fjalën e tij, Basha tha se ju përgëzoj nga zemra për këtë rekord të përballjes së javës së 12 të protestës tonë 24 orëshe në ditën e 83 që do të inaugurohen dhe përmbyllen sot, sepse nesër kjo qëndresë do të inaugurojë republikën e re nga bashkimi më i madh i shqiptarëve në historinë e tyre. “Nesër nis rrugëtimi i bashkimit të shpresave të çdo shqiptari të ndershëm për një të ardhme më të mirë” tha ai.

Basha shtoi se, “Nesër bashkohen në këtë shesh si kurrë më parë shqiptarët, bashkohen të papunët që u përbuzën dhe u nëpërkëmbën sepse parat i përpiu kuçedra e oligarkisë. Mirë se vini nesër të papunë, sepse nesër merr fund papunësia. Nesër, bashkohen qindra të mijëra të reja, studentë dhe gjimnazistë për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme për t’i hapur rrugë një arsimi dinjitoz. Me ne, bashkohen nesër qindra e mijëra sipërmarrës të vjetër që kanë provuar terrorin, taksa të larta e presione. Republika e re, sjellë me vetë premtimin çlirimin tuaj, çlirimin e biznesit të vogël”.

“Nesër, bashkohen me ne qindra fermerë të lënë në dëshpërim, zero subvencione dhe investime, konkurrencë të pandershme, por nesër, fermerë bashkohen dhe nga ky shesh me votën e lirë dhe republikën e re, do t’u kthejmë jo vetëm shpresën, por sumvecionet në bujqësinë. Nesër bashkohen 650 mijë pensionist dhe republika e re, brenda katër viteve pensioni minimal do të jetë 250 mijë lekë”, tha Basha.

Më tej Basha shtoi se, “nesër me ne bashkohen qindra të përndjekur politik jo vetëm për shlyerjen totale të borxheve të mbartura, por mbi të gjitha për të madhin shpagim, atë moral, që republika e re do ta ketë në themelin e saj për të përndjekurit politik për pronarët e ligjshëm. Shqiptarë të cilët duke u bashkuar nesër në manifestimit, votojnë për hedhjen poshtë të ligjit komunist, sepse prona do dëmshpërblehet sipas vlerës së tregut”.

“Nesër bashkohen me ne socialistët e ndershëm, shqiptarë që njësoj si ne duan një Shqipëri që vendoset nëpërmjet votës dhe jo krimit dhe duan ta pastrojnë të majtën nga krimi. E kështu, së bashku me ne bashkohen intelektuale, akademikët, sportistët, truri i kombi, elita e kombi e cila rrinë përdhe se është zëvendësuar nga krimi. Ja pse e nesërmja do hyje në historinë kombëtare në një ndër ditët më të mëdha të kombit shqiptarë me një qëllim sigurimin e të ardhmes së shqiptarëve”, tha Basha.

Në fund të fjalës së tij, Basha theksoi se, “nesër do të derdhet Shqipëria në këtë shesh të lirisë. Do t’i mbledhim shqiptarët në këtë bashkim në ditët e parë të republikës së re dhe realitetit të ri që nuk ka kthim dhe askush nuk e ndal. Mirësevini nesër në orën 12 në sheshin e historisë, në sheshin e vlerave të të ardhmes europiane”.

Policia në Shkodër ka arrestuar në flagrancë dy persona, si dhe ka konfiskuar 90 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva dhe një armë zjarri.

Policia e Shqipërisë njofton se u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Alavana”, ku u bë e mundur arrestimi i P.Ç, 54 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, për veprat penale ”Prodhim e shitje të lëndëve narkotike” dhe ” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit“, si dhe M.M, 51 vjeç, banues në fshatin Xhan, Njësia Administrative Pult, Shkodër, për veprën penale ”Prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.

“Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi gjatë kontrrolleve të ushtruara në banesën e shtetasit P.Ç, në vendin e quajtur Alavana, fshati Xhan, Njësia Administrative Pult, Shkodër, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis Sattiva, dhe një armë zjarri tip pushkë 20-she, me një krëhër me 20 fishekë. Gjithashtu gjatë kontrolleve të ushtruara në afërsi të banesës së shtetasit M.M, në vendin e quajtur Tebreg, fshati Xhan, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 81 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis Sattiva”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.