Lajme nga Shqipëria

Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, ka zhvilluar një takim ditën e sotme në Pogradec për implementimin e reformës së pensioneve. Në këtë takim ishte e pranishme edhe drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, e cila në fjalën e saj theksoi se deri më tani ISSH ka bërë një punë të mirë në shërbim të qytetarëve. Ndërsa ministri Klosi nënvizoi se sistemi i pensioneve është m e rëndësi për buxhetin dhe se do të sjellë risi.

Kreu i LSI i është përgjigjur edhe pyetjes së gazetarëve lidhur me deklaratën e bërë një ditë më parë nga deputeti Spartak Braho, i cili tha se deputetë të majtë e të djathtë kanë përdorur drogë.

Meta tha se një deklaratë e tij bie në kontradiktë me formimin juridik të deputetit Braho, duke u shprehur se për këto çështje ai dhe kushdo tjetër duhet t’i drejtohet gjykatës.

“Së pari z.Braho është z.Braho, unë kam respekt për përvojën e tij, dhe do doja të kisha po këtë vlerësim edhe për punën e tij juridike. Deklarata më e fundit e tij mu duk në kontradiktë me formimin e tij juridik. Është e drejtë për të bërë lajme, skupe apo për të shtuar mjegullën në politikën shqiptare, por fatkeqësisht rruga më e vështirë e politikës shqiptare është për t’iu drejtuar drejtësisë, duke u ndalur tek rasti kur deputeti Braho tha atë që bëjnë sipas tij deputetë nga të gjitha palët. Do ta ftoja t’i drejtohej drejtësisë, dhe jo të krijohen mjegullnaja”, tha Meta.

Ka pasur disa momente tensioni seanca e sotme e Kuvendit, kur po diskutohej për çështjen e dekriminalizimit.

Kryeministri Edi Rama akuzoi deputetët e opozitës se po përdoren, kur vendosin të shpifin.

Ai u tha atyre se duket sikur kanë ardhur në seancë të dehur nga kanabisi.

Por Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, tha se është pikërisht Edi Rama që i ka zgjedhur njerëzit me precedentë kriminalë.

“T’u thaftë goja dhe të plastë koka që nuk the një fjalë të mirë,” i tha Ristani./Mapo.al

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, bëri publik një shqetësim të tij, i cili nëse rezulton i vërtetë do të përbënte një prej skandaleve më të mëdha qeveritare

Në emisionin Opinion ai tha institucione shtetërore janë angazhuar për të hetuar jetën e tij private.

“Kanë angazhuar institucione shtetërore për të hetuar jetën private të Presidentit të Republikës. Jeta ime private është qelibar. Unë e kthej kokën pas me shumë krenari.

Të gjithë këta individë janë përfshirë në këtë çështje kanë bërë një gabim fatal. Ka dëshmi, ka prova dhe drejtësia herët a vonë do të veprojë”, deklaroi presidenti Nishani.

Kreu i shtetit la të kuptohet se pas këtij akti të paprecedent qëndron qeveria. Ai tha se këtë shqetësim nuk ia kishte shprehur as Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak të mungesës së besimit.

“Për aq sa ç’mund të ofrojë në situatën që drejtësia të reflektojë një angazhim të pavarur kam qenë i rezervuar me prokurorin”, tha presidenti Bujar Nishani.

Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka marrë pjesë në tryezën e Komiteteve Olimpike

Rama tha se po investojnë shumë në fushën e sportit, duke e futur atë edhe në sistemin mësimor në shkolla.

Kryeministri tha se ajo që është bërë në këtë mandat qeverisës për sportin nuk është bërë në të gjithë viteve e kaluara, duke i dhënë komunitetit hapësira për aktivitete sportive.

Megjithatë, Rama tha se duhet përmirësuar infrastruktura sportive. ai tha se janë duke ndërtuar një qendër të re sportive.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me drejtues të qeverisë dhe të shoqatave të veteranëve morën pjesë në ceremoninë për 73-vjetorin e Konferencës së Pezës

Në kremtimin e kësaj dite para shtëpisë muze, ku 73 vjet më parë zhvilloi punimet Konferenca, kishin ardhur qindra veteranë të Luftës Antifashiste, banorë të zonës, si dhe mjaft qytetarë nga Tirana.

Prej 3 ditësh Bashkia e Tiranës po organizon një sërë aktivitetesh në Pezë. Ditën e sotme është parashikuar panairi i produkteve vendase, ekspozitë fotografie dhe vizita në muzeun e Pezës.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, Veliaj theksoi se mesazhi që u dha 73 vite më parë qëndron aktual edhe sot.

“Konferenca e Pezës arriti të rendiste Shqipërinë krahas gjithë vendeve të tjera europiane që luftonin për këtë ideal dhe mesazhi i saj është po aq kuptimplotë edhe sot: Lipset bashkim dhe bashkëpunim i gjitha forcave politike që drejtojnë vendin drejt një qëllimi të përbashkët, zhvillimin dhe forcimin e shtetit shqiptar dhe renditjen e tij krahas vendeve të zhvilluara të familjes së madhe evropiane”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se kjo ceremoni zhvillohet për të përkujtuar luftën e tyre të madhe dhe për t’i falënderuar me premtimin se një gjeneratë e re ka ardhur për të punuar dhe për të luftuar në të njëjtin shembull.

“Do të jemi të bashkuar ne dhe ju, të dy gjeneratat, për të siguruar dhe zhvilluar të ardhmen për fëmijët e Shqipërisë.

Me të njëjtin frymëzim do të punojmë edhe në Bashkinë e re të madhe të Tiranës, që edhe vetë emri i këtij institucioni i ka rrënjët në fjalën bashkim”, tha Veliaj.

Më tej, ai theksoi se është një nga mënyrat më të mira për të falenderuar Pezën është zhvillimi i kësaj zone. Kryebashkiaku deklaroi se do të projektohen vepra konkrete që do të sjellin zhvillimin e kësaj zone, prodhimtarinë bujqësore dhe blegtorale, nevojat që kanë fermerët dhe ata që vendosin të jetojnë në zona rurale të Tiranës.

Janë rikthyer në punë 28 mësuesit e gjimnazit në Hotolisht, të cilët ishin pushuar nga puna me vendim të Drejtoreshës Arsimore të Librazhdit, Fatbardha Qatja

Rikthimi i mësuesve ka ardhur pas verifikimit të procedurës së ndjekur nga grupi i inspektorëve të ministrisë së Arsimit.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ishte e pranishme paraditen e sotme në Hotolisht për ti njoftuar kolektivit të mësuesve vendimin për rikthimin në punë.

“Diskutova me mësuesit për situatën e krijuar. Sqaruam një vendim drastik të marrë për shkollën e Hotolishtit. I gjithë kolektivi i mësuesve do t’i kthehet punës”, deklaroi Ministrja Nikolla.

Në një komunikim me mediat, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Regjistrimeve ka folur këtë të mërkurë në lidhje me ecurinë e procesit të regjistrimit të bizneseve në kuadër të operacionit antiinformalitet që ka nisur prej fillimit të këtij muaji.

Ndër të tjera Vjero theksoi se, nëse në 9 muaj ishin regjistruar rreth 23 mijë biznese gjithsej, vetëm përgjatë shtatorit janë regjistruar mbi 15 mijë biznese. Për këtë arsye, ajo njoftoi se nga e hëna e javës së ardhshme, të gjithë subjektet që kërkojnë të regjistrohen mund ta kryejnë këtë procedurë edhe te noterët, të cilët do të trajnohen mbi plotësimin e formularëve të regjistrimit të bizneseve, por mund të vazhdojnë edhe përmes metodës online.

“Regjistrimi përmes metodës online është më i shpejti dhe i vlefshëm me atë të regjistrimit në zyrat e QKR-së. Kjo metodë nuk shoqërohet me kosto shtesë, ndërkohë që një tjetër rrugëzgjidhje është propozuar regjistrimi përmes noterëve nëpër zyrat noteriale. Këto zyra do të hapen në të gjithë vendin në mënyrë që të shmangen radhët e gjata, si dhe do të shoqërohen me kosto modeste”, u shpreh Vasilika Vjero.

Sa i përket sporteleve të hapura në ambientet e Tatimeve, janë 11 të tilla njoftoi Vjero, e cila bëri thirrje për vazhdimin e formalizimit të biznesit në Shqipëri në kuadër të nismave të fundit të marra nga qeveria. E pranishme në këtë konferencë për shtyp ishte edhe Mimoza Sadushi, kryetare e Dhomës së Noterëve, e cila ritheksoi faktin që regjistrimet mund të bëhen edhe nëpërmjet noterëve, por me një kosto thuajse të papërfillshme./TopChannel

Gjykata e Lartë ka shtyrë sërish shqyrtimin e rekursit të Prokurorisë për një vendim të dhënë nga Apeli i Krimeve të Rënda për të akuzuarin, Dritan Dajti.

Gjykata e Apelit vendosi në dhjetor të vitit të kaluar rikthimin për shqyrtim të dosjes “Dajti” në Gjykatën e Shkallës së Parë, duke argumentuar vendimin e vet me shkeljet e shumta proceduriale, që nga mungesa e avokatit gjatë gjithë procesit.

Procesi ndaj tij u kthye në një serial pa fund që eci përmes 278 seancave, por krijoi edhe preçedentin e mosgjetjes së një avokati, si dhe pati edhe gjyqtarë të kërcënuar, disa prej të cilëve gjatë atij gjykimi u morën në mbrojtje.

44-vjeçari, i shpallur fajtor nga shkalla e parë për vrasjen e katër oficerëve të polcisë, me justifikimin se nuk kishte forcë ekonomike të përballonte një mbrojtës vuri në lëvizje të gjitha autoritetet e drejtësisë për gjetjen e një avokati kryesisht, por askush nga kjo listë nuk pranoi ta mbronte atë.

Për këtë vendim të Apelit të Krimeve të Rënda, Prokuroria iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë, e cila ka dështuar edhe këtë herë në nisjen e seancës së parë për këtë çështje.

Dritan Dajti është dënuar nga Shkalla e Parë për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 7 gusht të 2009-ës në qytetin e Durrësit./TopChannel

“Vendimet arbitrare të drejtësisë dhe gjyqtarët e korruptuar po pengojnë ekonominë dhe zhvillimin e saj”.

Ky ishte mesazhi i përcjellë nga kryeministri Edi Rama në tryezën e përbashkët të organizuar mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë mbi sfidat ekonomike që ka vendi dhe kreditimin.

“Është mungesë e rëndësishme ajo e kryetarëve të gjykatave këtu sepse nëse ka një shembull kuptimplotë për faktin sesi një drejtësi e korruptuar mund të pengojë një ekonomi dhe zhvillimin e ekonomik, na e jep sjellja arbitrare e gjykatave dhe gjykatësve të korrutpuar në raport me vendimet për kolateralin”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, zhbllokimi i kanalit të drejtësisë për t’i mundësuar bankave ekzekutimin e kolateralit dhe çlirimi i bankave nga kthetrat e korrupsionit të drejtësisë, është një hap i rëndësishëm për zhbllokimin e kredive.

“Që në fillim i kemi marrë me shqetësim kreditë e këqija, si shprehje e një ekonomie në krizë, por mbi të gjitha e një gjendjeje financiare kaotike”, deklaroi kryeministri.

Rama përmendi një sërë reformash dhe vendimesh të qeverisë për t’i dhënë hov kreditimit të ekonomisë, mes të cilave ai për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit që Qeveria trashëgoi, si një masë dhe mundësi për të ulur kreditë e këqija.

Ndërkohë, në fjalën e hapjes, Guvernatori Genti Sejko deklaroi se pavarësisht se mbeten në shifra relativisht të lartë, kreditë e këqija nuk kanë cënuar sistemin bankar në vendin tonë.

“Ritmi i rritjes së kredive me probleme është ngadalësuar, shpenzimet vjetore të bankave kanë rënë dhe kredia e re, ajo në lek ka qënë e qëndrueshme”, tha Sejko.

Sejko sugjeroi ndryshime ligjore për të përshpejtuar dhe thjeshtuar procesin e shqyrtimit dhe ekzekutimit të kolateralit nga ana e gjykatave.

“Problematika kryesore dhe një nga pengesat më të rëndësishme që kemi patur kanë qenë pengesat me procesimin e rasteve në gjykata, vonesat që kanë ardhur nga gjykatat, në raste që do të ekzekutonin kolateralin dhe Zyrat e Përmbarimit”, tha ai./topchannel