Lajme nga Maqedonia

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë po mban seancën e dytë, ku pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e Qeverisë.

Talat Xhaferri, kryeparlamentari i Maqedonisë, seancën e filloi në gjuhën shqipe, raporton Alsat-M. Megjithatë u shpreh se deri në miratimin e ndryshimeve të ligjit për përdorimin gjuhëve, seancat do t’i udhëheq në gjuhën maqedonase.

Në seancë marrin pjesë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE që në fillim të seancës theksoi se Xhaferi me paraqitjen e tij në gjuhën shqipe ka shkelur kushtetutën dhe rregulloren për punën e Kuvendit.

Milloshoski gjithashtu theksoi se ky Kuvend dhe kjo seancë fillojnë me një njollë jodemokratike e cila do të rëndoj mbi Talat Xhaferin, sepse ai është i vetmi që pranoi të jetë kryetar i Kuvendit i zgjedhur në mënyrë jo-demokratike. Sipas Milloshoskit VMRO-ja nuk do e njoh Xhaferin për kryetar të Kuvendit por vetëm si deputet.

Xhaferi në kundërpërgjigjet e tij theksoi se ai është zgjedhur nga shumica parlamentare dhe si i tillë në mënyrë legjitime dhe në përputhje me kushtetutën, ligjet dhe rregulloren për punën e Kuvendit do ta ushtroj funksionin e tij, si kryetar i Kuvendit.

Ndërkohë Ilija Dimovski, kërkoi që në mënyrë urgjente të miratohen ndryshime dhe plotësime në Kodin Zgjedhor, që do t’i hapte rrugë mbajtjes së zgjedhjeve lokale në fillim të muajit tetor.

Ndërsa Goran Misovski, nga PRSD-ja theksoi se definitivisht pas 8 viteve nga foltorja me kënaqësi do ti drejtohet Kryetarit të Kuvendit. Ndërkohë që kundërshtoi propozimin e Dimovskit të VMRO-së, sepse sipas tij nuk mund të hapet debat për asnjë ligj derisa nuk formohen komisionet parlamentare.

“Gjithnjë derisa deputetët e VMRO-DPMNE-së bllokojnë formimin e grupeve parlamentare dhe trupave kuvendore, Kuvendi nuk mund të hapë debat për ndonjë propozim ligj”, tha Misovski.

Kryeministri i nominuar i Qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev, ka nisur prezantimin para deputetëve të programit të tij qeverisës, i cili duhet të marrë miratimin me shumicë votash të deputetëve.

Qeveria re do të angazhohet për integrim të vendit në strukturat euro-atlantike. Programi i qeverisë së re do të jetë lëndë debati këtu mes deputetëve por edhe mes qytetarëve. do të punojmë me shumë mund që ta përmbushim këtë program qeveritarë. Republika e Maqedonisë të hapërojë përpara dhe qytetarët e saj të kenë një jetë më të mirë.

Republika e Maqedonisë do të jetë shtet i të gjithëve. Marrim përgjegjësi që ti zbatojmë të gjitha reformat që janë pjesë edhe e Marrëveshjes së Përzhinës.

Fokus i qeverisë së re do të jetë edhe rritja ekonomike. Paga minimale që në vitin e parë të mandatit në mënyrë ligjore do ta rrisim në 12 mijë denarë. Paga minimale 16 mijë denarë.

prioritet i qeverisë së re do të jetë edhe mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nuk do të ndihmojnë edhe ndihmat e shtetit në këtë drejtim.

Qeveria e re do ta mënjanoj taksën radiodifuzive. Do t’i zvogëloj harxhimet gjyqësore, noteriale dhe të përmbaruesve.

Do ta zgjidhim çështjen e administratorëve që rijnë në shtëpi dhe marrin paga.

Qeveria duhet të zgjidhet dy ditë pas fillimit të seancës, respektivisht më së voni deri të mërkurën në mesnatë. Që ajo të zgjidhet, nevojitet të votojnë të paktën 61 deputetë.

Në Qeverinë e re ministra do të kenë LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat kanë shumicë prej 62 deputetëve në Kuvendin 120-anëtarësh.

Radmilla Shekerinskën është propozuar për ministre e Mbrojtjes, Oliver Spasovski – i Punëve të Brendshme, Dragan Tevdovski – i Financave, Nikolla Dimitrov – i Punëve të Jashtme, Renata Deskoska – e Arsimit dhe Shkencës, Goran Sugarevski – i Transportit dhe Lidhjeve, Lupço Nikollovski – i Bujqësisë, Mila Carovska – e Punës dhe Politikës Sociale, Damjan Mançevski – i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Robert Alagjozovski – i Kulturës. Koço Angjushev është propozuar për kryeministër i Çështjeve Ekonomike, ndërsa Edmond Ademi, Robert Popovski, Adnan Qahil, Samka Ibrahimovski, Zoran Shapuriq dhe Zorica Apostolovska për ministra pa dikaster.

Partneri i koalicionit Bashkimi Demokratik për Integrim, në seancën e kryesisë partiake vendosi që në kabinetin e ardhshëm të participojë me Hazbi Likën si zëvendëskryeministër të Sistemit Politik dhe Marrëdhënie me Bashkësitë, Bujar Osmanin – zëvendëskryeministër të angazhuar për Eurintegrime, Sadulla Duraku – ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ramiz Merko – ministër pa dikaster, Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë dhe Bylent Salihu – ministër i Drejtësisë.

Ministër i Vetëqeverisjes Lokale është propozuar Suhejb Fazliu, ndërsa ministër i Shëndetësisë Arben Taravari. Fazliu dhe Taravari janë propozime të Aleancës për Shqiptarët.

Nesër Gjykata e lartë do të vendos për ankesat e të dënuarve me burg të përjetshëm të cilët janë të dënuar për vrasjen e pesëfishtë afër Liqenit ”Smillkovci”, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Ngjarja e ndodhur më 12 prill të vitit 2012 ka lënë hapësira dyshimi pas ka edhe dëshmi nga familjarët e të vrarëve se nëpër burgje mbahen njerëz të pafajshëm.

Gjykata penale dha dënim me burg të përjetshëm për gjashtë persona. Gjykata e apelit, pas një viti e konfirmoi dënimin.

Qeveria e Maqedonisë tani ka përbërje të re! Pas gjashtë muajve antagonizmave dhe krizës së thellë institucionale dhe politike, partitë pjesmarrëse në qeveri (LSDM, BDI dhe Aleanca për shqiptarët) kanë prezentuar propozimet e tyre për ministra. Shqiptarët përfaqësohen me nëntë ministra, BDI me gjashtë dikaster, Aleanca për shqiptarët me dy dhe një ministër pa resor i propozuar nga LSDM-ja, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Më poshtë e keni listën e tërë të ministrave të propozuar nga organet e partive.

Kryeministër: Zoran Zaev

Zv.kryeministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndër-etnike: Hazbi Lika

Zv.kryeministër për euro-integrime: Bujar Osmani

Ministër i mbrojtjes: Radmila Sheqerinska

Ministër i punëve të jashtme: Nikolla Dimitrov

Ministër i punëve të brendshme: Oliver Spasovski

Ministër i shëndetësisë: Arben Taravari

Ministër i financave: Dragan Tevdovski

Ministër i ekonomisë: Kreshnik Bekteshi

Ministër i drejtësisë: Bylen Saliu

Ministër i arsimit dhe shkencës: Renata Deskoska

Ministër i punës dhe politikës sociale: Mila Carovska

Ministër i transportit dhe lidhjeve: Goran Sugarevski

Ministër i ambientit jetësorë dhe planifikimit hapësinorë: Sadulla Duraku

Ministër i pushtetit lokal: Suhejl Fazliu

Ministër i kulturës, rinisë dhe sportit: Robert Alagjozovski

Ministër i bujqësisë: Lupço Nikolovski

Ministër i shoqërisë informative dhe administratë: Damjan Mançevski

Ministër pa resor: Ramiz Merko

Ministër pa resor: Edmond Ademi

Ministër pa resor: Koço Angjushev

Ministër pa resor: Robert Popovski

Ministër pa resor: Adnan Qahil

Ministër pa resor: Samka Ibrahimovski

Ministër pa resor: Zoran Shapuriq

Ministër pa resor: Zorica Apostolovska.

Aleksandar Nikollovski nga OBRM-PDUKM, i ftuar në emisionin ‘Faktor 24’ me Gorazd Çomovski të TV24, ka folur tematika të ndryshme si dhe politikën aktuale në vend, përcjell Telegrafi Maqedoni.

‘OBRM-PDUKM nuk ka asgjë kundër shqiptarëve në RM, përkundrazi duan së bashku të ndërtojmë, është partneri më i mirë i tyre. Por gjithashtu OBRM-PDUKM nuk do të pajtohet asnjëherë të punojë në dëm të Kushtetutës dhe ligjeve të RM-së dhe në dëm të maqedonasve dhe etnive tjera në Maqedoni’, ka theksuar ndër të tjera Nikollovski.

Në selinë e LSDM-së do të vazhdojnë edhe sot bisedimet për formimin e Qeverisë së re.

Këtyre çasteve në selinë e LSDM-së pritet të arrijnë përfaqësues të Lëvizjes Besa.

Ende nuk dihet nëse në takim do jenë të pranishëm dy liderët e këtyre partive ose do të takohen vetëm grupet e punës.

Një ditë më parë kreu i LSDM-së Zoran Zaev u takua me kreun e BDI-së Ali Ahmeti.

Për takimin Zaev – Ahmeti, i cili zgjati rreth dy orë, zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov, deklaroi se të gjithë përkrahin idenë që zgjedhja e Qeverisë të ndodhë së shpejti. Por sipas tij, temë e takimit nuk ka qenë ndarja e mundshme e resorëve ministrore.

Kriza politike në Maqedoni ka nisur të shthuret me dhënien e mandatit liderit social-demokrat, Zoran Zaev, nga presidenti Gjorgje Ivanov.

Mirëpo, deri në zgjidhjen e saj ka ende punë, thonë njohësit e çështjeve politike duke komentuar zhvillimet e fundit, si zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, caktimin e mandatarit të ri, si dhe nisjen ndalimin dhe hetimin e personave të përfshirë në dhunën e 27 prillit në Kuvend, shkruan Rel.

LSDM-ja, si bartëse e procesit, ka nisur bisedimet me partitë shqiptare për formimin e Qeverisë së re, përkatësisht për përbërjen dhe ndarjen e dikastereve ministrore.

Analisti politik, Albert Musliu, thotë se Qeveria e re duhet të formohet sa më parë dhe se në bisedime më shumë rëndësi duhet t’i jepet vendimmarrjes konsensuale apo bashkëqeverisjes sesa ndarjes së posteve, pasi e kaluara ka dëshmuar se partitë më shumë kanë qenë të interesuara për favore apo poste që edhe kanë prodhuar kriza të ndryshme.

“Duke marrë për bazë eksperiencën e kaluar, për mua është shumë me rëndësi që partnerët e koalicionit të vendosin modelin e bashkëqeverisjes, domethënë të kemi një model të bashkëqeverisjes dhe jo model të ndarjes së pashallëqeve, por të kemi një qeverisje të vërtetë, pasi Maqedonia është në gjendje të rëndë edhe politike, por edhe ekonomike, andaj edhe ka nevojë për një harmoni në qeverisjen me vendin dhe të gjithë të jenë pjesë e realizimit të reformave që e presin vendin”, vlerëson Musliu.

Jove Kekenovski, njohës i çështjeve politike dhe ish-zyrtar i partisë VMRO DPMNE-sësë Nikolla Gruevskit, thotë se nisja e zgjidhjes së krizës është në radhë të parë rezultat i faktorit ndërkombëtar, para së gjithash atij amerikan. Ai beson se këto situata nuk do të përsëriten në të ardhmen.

“Mendoj se gjithë këto ngjarje dhe presioni i fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare kanë bërë që më në fund të kemi një rrugëdalje nga kriza e thellë. Presidenti më në fund u detyrua t’i japë mandatin Zoran Zaevit për formimin e Qeverisë, i cili tashmëka nisur bisedimet me partnerët e koalicionit për ndarjen e posteve qeveritare”.

“Duke marrë parasysh çfarë kemi kaluar në të kaluarën vlerësoj se Qeveria e re duhet formuar sa më parë që të jetë e mundur. Ajo nuk do të jetë e qëndrueshme sa duhet, duke marrë parasysh numrat, por besojmë se pa probleme do të kalojë 100 ditshin që më pas të mund të bëhet një rekapitullim i punës së saj. Pavarësisht kësaj, mendoj se Maqedonia po kalon në një fazë të zhvillimit të saj, të demokracisë dhe më duhet të them se pritjet e njerëzve janë të madha”, thotë Kekenovski.

Ai mendon se Qeveria e re fillimisht duhet të merret me disa nga çështjet themelore, që nënkuptojnë edhe kthimin e vlerave elementare të demokracisë në një shtet që pretendon perëndimin.

“Kthimi i shtetit të kapur në duart e qytetarëve, vendosja e shtetit ligjor, rimëkëmbja e ekonomisë dhe ulja e varfërisë. Këto vlerësoj se duhet të jenë ato prioritetet kryesore në punën e saj. Qytetarët janë të lodhur nga varfëria dhe korrupsioni, ata duan të ardhme më të mirë dhe perspektivë për fëmijët e tyre”, vlerëson Kekenovski.

Bisedimet për Qeverinë e re aktualisht janë duke u zhvilluar ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së dhe sipas njoftimeve të fundit, ato pritet të përfundojnë javën që vjen.

Nuk dihet nëse pjesë e qeverisë do të jetë edhe Lëvizja Besa që ka pesë mandate, ndërsa për Aleancën për Shqiptarët thuhet se ajo me gjasë do t’i bashkohet koalicionit, i cili në këtë rast do të kishte 62 vota në Kuvend, apo vetëm një më shumë se numri i nevojshëm për të votuar Qeverinë.

“Edhe nëse ndodh që të gjitha të mos marrin pjesë, do të paraqesë një defekt, por nuk do ta pamundësojë qeverinë e ardhshme që të funksionojë normalisht. Uroj që edhe nëse të gjitha partitë nuk hyjnë në Qeveri, së paku duhet të jenë korrekt para elektoratit dhe të japin sqarime të qëndrueshme dhe jo sqarime të përgjithësuara apo për pikë politike”,shprehet analisti Albert Musliu.

Sipas paralajmërimeve nga LSDM-ja, Qeveria e re pritet të votohet deri në fund të muajit, ndërsa bashkë me të do të miratohet edhe vendimi për shtyrjen e mandatit të kryetarëve të komunave dhe shpalljen e zgjedhjeve lokale nga mesi i muajit tetor.

Mandatari për formimin e qeverisë së Maqedonisë, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti diskutuan të premten për parimet e bashkëpunimit, reformave qeveritare dhe hyrjen në BE dhe NATO.

Kjo është bërë e ditur nga partia e Zaev, pas takimit të parë zyrtar për formimin e koalicionit qeveritar, i cili zgjati dy orë e gjysmë.

Pas takimit në selinë e LSDM-së, dy liderët nuk kanë dhënë detaje për takimin.

Është bërë e ditur se do të ketë ende bisedime, edhe të LSDM-së dhe BDI-së, por edhe me dy partitë tjera shqiptare Besa dhe Aleanca për shqiptarët, të cilat i kanë dhënë mbështetje qeverisë së ardhshme të Maqedonisë dhe më pas do të kalojë në ndarjen e ministrive.

Pasi mori mandatin për formimin e qeverisë, Zoran Zaev tha se pret që të tri partitë shqiptare do të jenë pjesë e qeverisë së tij të reformuar.

Zaev tha se dëshiron që sa më parë të formojë qeverinë dhe se nuk do t’i jenë të nevojshme 20 ditët e kërkuara me ligj, por synon që ta përfundojë për dhjetë ditë, ndoshta edhe më herët.

BDI nuk ka zbuluar se cilat do të jenë kuadrot e tyre në qeverinë e ardhshme, por thonë se do të jenë kuadro me përvojë dhe kompetente.

Afati kushtetues për formimin e qeverisë së re është më 6 qershor.

Shumica parlamentare ka gjithsej 67 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë, i cili ka 120 vende. LSDM ka 49, BDI 10, Besa 5 dhe Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë.

Për promovimin e objekteve kulturore-historike dhe për orientim më të lehtë të qytetarëve dhe të turistëve, qyteti i Shkupit ka vendosur tetë tabelat orientuese, në tetë lokacione në qendër të qytetit, njofton Koha. Si pjesë e projektit “Vendosje e tabelave turistike njoftuese” në tetë shtylla me nga tre tabela njoftuese, të cilat do t’ju shërbejnë vizitorëve dhe qytetarëve më lehtë të orientohen dhe ta vizitojnë objektin e dëshiruar kulturor-historik ose lokalitetet në rajonin qendror të qytetit.

Këto tabela turistike janë vendosur në sheshin “Fili i Dytë”, kundrejt kishës “Shën Dimitri”, sheshi “Maqedonia”, Shtëpia përkujtimore e Nënë Terezës dhe Çarshia e Vjetër ec Shkupit. Është vendosur tabelë në sheshin “Filipi i Dytë” deri te Ura e Gurit e Qytetit të Shkupit, Çarshia e Vjetër e Shkupit dhe Kalaja e Shkupit, pastaj në sheshin “Maqedonia” deri te pallati Riistik, Muzeu i Qytetit të Shkupit, Shtëpia përkujtimore e Nënë Terezës dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit.

Tabelë është vendosur kundrejt Portës Maqedonia, Shtëpisë përkujtimore të Nënë Terezës, Sheshit “Maqedonia” dhe Çarshisë së Vjetër të Shkupit, pastaj kundrejt Kuvendit të Rm-së, Çarshisë së Vjetër të Shkupit, Sheshit “Maqedonia” dhe Shtëpisë Përkujtimore të Nënë Terezës. Tabelë turistike njoftuese është vendosur midis hotelit “Holide In” dhe urës, të Sheshit “Maqedonia”, Urës së Gurit dhe Çarshisë së Vjetër të Shkupit, pastaj në rrugën “Maqedonia” te “Rekordi”, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, Muzeu i Qytetit të Shkupit dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit. Nga Qyteti i Shkupit informojnë se tabela turistike janë vendosur edhe në “Rruga Maqedonia”, vendi për këmbësorë në rr. “Dame Gruev”, Muzeu i Qytetit të Shkupit, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës dhe Ura e Gurit.

Foto ilustrim

Shkollimi në gjuhën amtare për nxënësit që u përkasin etniteteve jo shumicë në një pjesë bukur të madhe të shkollave fillore në Maqedoni realizohet vetëm në nivelin bazik, respektivisht në ciklet e ulëta të arsimit nëntëvjeçar, shkruan gazeta KOHA.

Në masë të konsiderueshme ndodh që brenda sistemit arsimor “pakica” të shkrihet te “shumica”, edhe atë që në nivelet e avancuara të arsimit fillor. Pasi kryejnë dy ciklet e para të arsimit nëntëvjeçar ose vetëm ciklin e parë, ndodhë shpesh herë që nxënësit të vazhdojnë shkollimin fillor në gjuhën maqedonase. Pra, të nisin shkollimin në gjuhën shqipe, turke apo boshnjake dhe ta mbarojë nëntëvjeçaren në gjuhën maqedonase.

Një analizë e bërë nga ana e USAID-it për shkollat fillore shumë-gjuheshe, tregon se në shkollat e Maqedonisë nuk ka stabilitet gjuhësor. Konkretisht, gjuhët e përfaqësuara në arsimin fillor nuk kanë vijë të njëtrajtshme në të gjitha vitet e shkollimit.

“Më pak se gjysma e shkollave nuk ofrojnë mësim në të gjitha gjuhët mësimore gjatë gjithë viteve shkollore. Ata funksionojnë si shkolla dygjuhëshe vetëm në vitet e para shkollore (në nivel të arsimit fillor) dhe vazhdojnë si shkolla njëgjuhëshe në të gjitha vitet tjera shkollore. Kjo vlen pothuajse për të gjitha shkollat fillore të gjuhës maqedonase dhe turke, si dhe për gjysmën e shkollave fillore maqedonase dhe shqipe”, qëndron në analizën që USAID e ka bërë vitin 2016 enkas me Projektin “Integrimi ndëretnik në Maqedoni”.

Analiza gjithashtu vëren se këto raste “zvogëlojnë mundësinë e bashkëpunimit të përditshëm ndërmjet mësimdhënësve dhe nxënësve nga gjuhë të ndryshme”.

Nga gjithsej 49 shkolla fillore ku mësimi zhvillohet në dy gjuhë: maqedonisht dhe shqip, në 25 prej tyre ky model ndiqet në të gjitha vitet e arsimit fillor, ndërsa në 24 shkollat e mbetura mësimi në gjuhën shqipe ndërpritet në ciklin e dytë ose të tretë të arsimit nëntëvjeçar.

Ndërkaq, nga 16 shkolla me tre gjuhë mësimi: shqip, maqedonisht dhe turqisht, 14 prej tyre vazhdojnë deri në fund me këtë përbërje gjuhësore, përderisa në 2 shkolla ndërpritet modeli i shkollave tre gjuhësore. Në maqedonisht, shqip dhe serbisht është vetëm një shkollë fillore, por jo me vite të plota, ndërsa maqedonisht, shqip dhe boshnjakisht një shkollë me vite të plota shkollimi tre gjuhësor.

Ajo që bie në sy në Analizën e USAID-it është se ndërprerja e shkollimit në gjuhën amtare ndodh kryesisht në shkollat fillore qendrore pa njësi rajonale. Konkretisht, nga 48 shkolla fillore ku ndërpritet arsimi shumë-gjuhësor, 44 janë shkolla qendrore pa njësi rajonale, ndërsa 4 shkolla periferike pa njësi rajonale. Ndërkaq, në 45 shkolla të tjera (29 qendrore dhe 16 periferike) arsimi përfundon në gjuhën në të cilën nxënësit e kanë nisur arsimin fillor nëntëvjeçar. Në Maqedoni janë gjithsej 93 shkolla fillore ku mësimi zhvillohet në dy dhe tre gjuhë të ndryshme.

Rastet e mos-përfundimit të arsimit fillor në gjuhën amtare, i janë të njohura opinionit edhe përmes sensibilizimit në gazetën KOHA të problemeve me shkollimin e shqiptarëve në Idrizovë të Shkupit, shumë fshatrave të Velesit, Prilepit, Prespës e kështu me radhë.

Në shkollën fillore “Petar P. Njegosh” të Komunës “Gazi Babë”, disa dhjetëra nxënës shqiptarë pasi mbarojnë klasën e pestë në gjuhën shqipe, vazhdojnë të shkollohen në gjuhën maqedonase nga klasa e gjashtë deri të nëntën. E, thënë ndryshe, në këtë shkollë shumë-gjuhësore bëhet asimilim gjuhësor i “pakicës”. Praktika të këtilla kanë qenë të shpeshta në kohën e sistemit monist, kur edhe shkollimi i “pakicave” ishte shumë herë më i kufizuar se tani kur pretendohen si vlera të veçanta arsimi i integruar dhe shoqëria multietnike.

Mirëpo, ja që edhe pas thuajse tre dekadave të shembjes së sistemit monist, në Maqedoni ka ende prirje të ndiqen praktikat e diskriminimit etnik të nxënësve, me tendencën për të rritur numrin e atyre që mësojnë në gjuhën maqedonase dhe zvogëluar numrin e atyre që mësojnë në gjuhën shqipe apo ndonjë gjuhë tjetër jo maqedonase. Edhe në shumë shkolla tjera fillore të rrethit të Shkupit, Velesit apo Prilepit nuk mungojnë raste të këtilla.

Nxënës kryesisht shqiptarë, turq apo boshnjakë nisin të shkollohen në gjuhën e tyre amtare dhe në vijim e sipër të shkollimit të tyre fillor, detyrohen të ndryshojë gjuhën e mësimit dhe të shkollohen në gjuhën maqedonase.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ia ka dorëzuar mandatin për formimin e Qeverisë së re, liderit të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, pasi ka marrë, siç tha, garancitë e kërkuara për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit.

“Janë tejkaluar të gjitha pengesat për dhënien e mandatit. Sot po i qasemi përmbushjes së nenit 84 alineja 1 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë për ndarjen e mandatit për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja e cila ka shumicën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, ka propozuar zotin Zoran Zaev që të jetë kandidat të cilit do t’i ndahet mandati për formimin e Qeverisë së Maqedonisë”, tha Ivanov.

Ndërkohë Zoran Zaev, i cili kryeson me shumicën parlamentare të përbërë nga partia që e drejton, LSDM-ja dhe partitë politike shqiptare, ka theksuar se në emrin e shumicës parlamentare, ashtu siç ka premtuar edhe përpara qytetarëve edhe Presidentit të shtetit, këtij të fundit i ka dorëzuar një letër si garanci se “zotohet për mbrojtjen e unitetit, sovraniteti, pavarësisë dhe multietnicitetit të shtetit”, shkruan rel.

“Garantojmë respektimin e rendit aktual kushtetues, por dhe mbrojtjes territoriale të Republikës së Maqedonisë. Garantojmë mbrojtjen e interesave shtetërore”, ka theksuar Zaev, menjëherë pas marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë.

Zaev ka thënë se “asnjë dokument, platformë, deklaratë, akt ose veprim që do të ishte kundër të lartpërmendurave nuk mund të jetë kusht për formimin e Qeverisë”.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, pasi ka dalë nga Presidenca para gazetarëve është zotuar se si mandatar dhe kryeministër i ardhshëm do të angazhohet që Qeveria e ardhshme reformuese, do të ndërtojë një Maqedoni unitare, qytetare dhe evropiane.

“Të gjitha forcat do t’i orientojmë për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Të sigurojmë kushtet për jetë kualitative për të gjithë qytetarët në Republikën e Maqedonisë me mirëkuptim të ndërsjellë”.

“Respektimin e multietnicitetit në shtet dhe marrëveshjen kornizë. Në këtë mënyrë do t’i hapim perspektivat e vërteta për të ardhmen e qytetarëve si dhe perspektivat për një Maqedoni moderne dhe euroatlantike”, ka theksuar Zoran Zaev.

Lideri social-demorkat tha se menjëherë do të fillojë bisedimet me të gjitha partitë politike shqiptare, Bashkimin Demokratik për Integrim, Aleancën për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë.

“Dëshiroj që të gjitha këto parti, Bashkimi Demokratik për integrim, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme”, ka thënë Zaev duke nënvizuar se do të angazhohet që Qeveria e ardhshme të formohet në një afat edhe më të shkurtër se që është përcaktuar me Kushtetutë prej 20 ditësh.

“Nuk do të presim afat 20 ditor, menjëherë do të fillojmë bisedimet me partitë që i kanë dhënë 67 nënshkrimet për mandatin dhe do të mundohemi që në afat prej më pak se 10 ditëve ta formojmë kabinetin qeveritar dhe ta dorëzojmë propozimin në Kuvend”, është shprehur Zaev pas marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë.

Ai njëherësh ka nënvizuar se shpreson që qeveria e ardhshme të formohet para 1 qershorit që me kohë të shfuqizoj testimin ekstern për nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme ashtu siç ka premtuar.