Lajme nga Bota

Më shumë se 35 sulme ajrore kanë goditur caqet e ISIS-it në Siri gjatë natës, duke vrarë të paktën 12 persona dhe duke plagosur shumë të tjerë në qytetin e Raqqas.

Sipas grupeve monitoruese për të drejtat e njeriut në Siri, nuk duhet nëse avionët ishin rusë apo i takonin koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Së paku pesë anëtarë të grupit ekstremist militant vdiqën nga sulmet e djeshme në Siri”, thuhet në raport të organizatës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një projektligj i cili parasheh dhënien e hektarëve të tokës pa pagesë në Lindjen e Largët të Rusisë, në përpjekje për t’i tërhequr njerëzit në rajonin e harruar.

Ligji i ri u publikuar dje në gazetën zyrtare ligjore.

Oferta mbetet e hapur për të gjithë qytetarët rusë, me kërkesën e vetme që ata ta përdorin tokën.

Sipas ligjit, qytetarët rusë mund ta marrin nga një hektar tokë, pronë e autoriteteve komunale apo shtetërore, në rajone të Lindjes së Largët, si: Sakha-Yakutia, Kamchatka, Primorye, Khabarovsk, Amur, Magadan, Sakhalin,and Chukotka.

Ish-ushtari i UÇK-së Albert Spahiu, i cili është arrestuar para një jave në Cyrih të Zvicrës, nuk do të ekstradohet në Serbi.

Kështu raporton Radio Televizioni i Serbisë duke cituar mediat zvicerane.

Sipas RTS Spahiu që është nga Opterusha e Rahovecit është arrestuar me urdhër arrest të Serbisë për krime lufte ndaj civilëve serbë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas televizionit shtetëror të Serbisë, Albert Spahiu kërkohet për shkak të krimeve në fshatrat Reti dhe Opterushë në komunën e Rahovecit gjatë vitit 1998.

Në Zvicër po ashtu është arrestuar edhe Genc Zogaj, i cili sikurse Spahiu është arrestuar me urdhër arrest të Serbisë.

Shkencëtarët brazilianë deklarojnë se virusi Zika mund të jetë më i rrezikshëm nga sa është parashikuar deri tani.

Shqetësimi më i madh i mjekëve është për fëmijët bartës të virusit, që nuk japin simptoma të sëmundjes. Megjithëse numri i të prekurve ka rënë, kërkimet shkencore për gjetjen e një vaksine janë ende në etapat e para dhe Zika vijon të përhapet në shumë vende.

Virusi Zika mund të jetë shumë më i rrezikshëm nga sa parashikohej fillimisht. Këtë fakt e konfirmojnë shkencëtarët në Brazil, të cilët deklarojnë se dëmet neurologjike që shkakton ky virus mund të jenë shumë të rënda. Numri i të infektuarve në Brazil ka pësuar rënie kohët e fundit, kjo falë edhe shpërndarjes së informacioneve për mënyrën se si mund të parandalohet, megjithatë kërkimet shkencore për gjetjen e një vaksine janë ende në etapat e para dhe Zika vijon të përhapet në gjithë vendin.

Megjithëse një përqindje jo e lartë e fëmijëve që lindin me këtë sëmundje shfaqin deformime të kafkës, mjekët raportojnë se edhe nëse nuk kanë deformime por janë bartës të këtij virusi, dëmet neurlogjike janë të mëdha për të sapolindurit. Ky në fakt është shqetësimi më i madh i mjekëve në Brazil, pikërisht në lidhje me ata fëmijë që janë bartës, por që nuk dallohen në pamje. Kjo pasi ka raste tek të porsalindurit ku nuk shfaqet asnjë simptomë, megjithëse fëmija është i infektuar.

” Pas disa studimeve, vumë re efektin shkatërrues të këtij virusi. Ishim dëshmitarë se në çfarë mënyrë i dëmtonte qelizat e trurit dhe se si një numër i madh qelizash vdisnin “- u shpreh një prej shkencëtarëve, Patricia Garcez.

Duke qenë se ende nuk ka një vaksinë, pacientëve u këshillohet të pushojnë dhe të konsumojnë shumë lëngje. Megjithëse numri I personave të diagnostikuar me sëmundjen e Zikës është në rënie, kjo nuk është reflektuar në qytetet e varfra të Brazilit.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe, planifikon ta vizitojë Rusinë këtë javë për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin, për bisedime që kanë për qëllim arritjen e një traktati formal të paqes me Moskën.

Abe u tha gazetarëve në Japoni , para nisjes në turneun e tij evropian, se ai do të diskutojë me Moskën për mosmarrëveshjet territoriale që kanë për Ishujt Kurile (katër ishuj që ndodhen jashtë bregut verior të tokës kryesore japoneze, të cilët u pushtuan nga Bashkimi Sovjetik gjatë ditëve të fundit të Luftës së Dytë Botërore).

Të dyja palët asnjëherë nuk nënshkruan një traktat formal të paqes pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme rreth ishujve Kurile.

Kremlini tha se Abe pritet të arrijë në qytetin rus të Sochit më 6 maj dhe do të diskutojë me Putinin për bashkëpunimin tregtar, dhe çështje të tjera ekonomike, e po ashtu edhe “çështje të rëndësishme ndërkombëtare.”

Vizita e Abes në Sochi është ndalesa e tij e fundit në kuadër të turneut evropian, pas vizitave të planifikuara në Francë, Belgjikë, Gjermani dhe Britani të Madhe.

Qyteti jugor afgan i Kandaharit është shndërruar në arenë të përleshjeve të ashpra të armatosura mes forcave afgane dhe militantëve talebanë, ndërsa në mesin e militantëve të vrarë është edhe njëri nga udhëheqësit e lëvizjes talebane, i cili llogaritej si “guvernatori në hije”.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë në Kandahar, Zija Durrani për AA tha se konfliktet e armatosura ende vazhdojnë, dhe se në përleshjet e djeshme janë vrarë të paktën 47 militantë.

Durrani tha se forcat afgane të sigurisë në përleshjet e djeshme në Sheikh Velikot është vrarë Hayatullahu i famshëm, të cilin talebanët e kanë quajtur si “guvernatori i Kandaharit” dhe miku i tij i afërt dhe njëherësh edhe ndihmësi i tij.

Organizatorët e Botërorit të futbollit “Katar 2022”, kanë thënë të dielën se janë duke hetuar rastin e vdekjes së një punëtori indian në një nga vendet e ndërtimit të infrastrukturës për Botëror, por kanë mohuar se arsye e vdekjes kanë qenë kushtet jo të mira të punës.

Pos akuzave për korrupsion gjatë kandidimit për të marrë të drejtën e organizimit të Kupës së Botës, Katari është përballur tash e sa kohë edhe me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut për abuzim me punëtorët e huaj. Javën e kaluar FIFA i ka bërë thirrje Katarit që të përmirësojë kushtet për ndërtimtarët në zonat e Kupës së Botës dhe njoftoi se do të monitorojë gjendjen.

Katari, një vend i pasur me naftë, po ashtu është në presion nga Kombet e Bashkuara që t’i adresohet çështjes së të drejtave të punëtorëve para kulmit të ndërtimeve për Kupën e Botës në vitin 2017, raporton Reuters.

Puntori Jaleshwar Prasad 48-vjeçar ka humbur ndjenjat të mërkurën derisa po punonte në stadiumin Al Bayt në Al Khor, rreth 50 kilometra në veri të kryeqendrës Doha, ka thënë një dëshmitar, përcjell Koha Ditore.

Organizatorët kanë thënë se vdekja nuk është shkaktuar nga kushtet e punës.

“Spitali në Al Khor ka raportuar se arsyeja e vdekjes ishte sulmi në zemër”, ka njoftuar komiteti organizativ. “Familja e Z. Prasad është njoftuar menjëherë. Është duke u bërë një hetim i plotë”.

Angazhimet e Katarit për t’u bërë vendi i parë organizator arab janë goditur nga akuzat e shumta, përfshirë edhe nga ato se punëtorët e huaj janë duke u detyruar të jetojnë në kushte të mjerueshme dhe nuk kanë as ushqim dhe ujë mjaftueshëm dhe nuk paguhen mirë… (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Sipas NDB-së, në Zvicër janë rreth 400 xhihadistë potencialë, që vëzhgohen nga ky shërbim.

Sulmet terroriste në Paris dhe në Bruksel kanë vërtetuar arsyen për frikë që e kishte shprehur Shërbimi Informativ Federal (NDB). Pra, edhe për Zvicrën rreziku nga terrori mbetet i lartë, shkruan NDB në raportin e tij mbi gjendjen aktuale me titullin “Siguria në Zvicër”, transmeton albinfo.

Sipas NDB-së, në Zvicër janë rreth 400 xhihadistë potencialë që vëzhgohen nga ky shërbim. Kështu ka thënë shefi i NDB-së, Markus Seiler me rastin e prezantimit të raportit vjetor para mediave.

Shërbimi në fjalë bën vëzhgimin e paraqitjeve të tyre në mediat sociale dhe pastaj në vlerësimet e veta niset nga “udhëtimet xhihadiste”, gjegjësisht vëzhgimi i atyre që udhëtojnë drejt zonave të konfliktit.

Deri tash janë regjistruar 73 udhëtarë të tillë, ndërsa nga fillimi i këtij viti nuk është shënuar asnjë udhëtim drejt zonave të përmendura, ka thënë Seiler.

Ai ka theksuar se situata politike e sigurisë po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Vazhdojnë të mbeten aktuale kërcënimet për firmat dhe universitetet zvicerane nga spiunazhet. Për këtë arsye NDB dëshiron të sensibilizojë edhe më tutje me këtë temë subjektet e kërcënuara.

Dy miq palestinezë, ish-të burgosur në burgjet izraelite, vendosën që të fillojnë biznesin e tyre dhe nga furgoni të bëjnë restorant, i cili në rrugët e Ramallahut do të punonte me energji diellore.

Haldun al-Bergus (43) dhe Abdurrahman al-Libi (35) gjatë qëndrimit të tyre në burgjet izraelite kishin ëndërruar të kenë restorant, ndërsa kjo u bë realitet pas lirimit të tyre.

“Restoranti në rrota”, siç e quajnë miqtë restorantin e tyre, përdor energji nga panelet diellore të instaluara në kulmin e veturës.

Bergusi, baba i gjashtë fëmijëve Bergus në burgjet izraelit ka kaluar tetë vjet, dhe këtë vit u lirua.

“Ndërsa ishim në burg, ne mendonim se si të sigurojmë ekzistencën pasi të jemi njerëz të lirë. Ne hulumtonim për diçka të re dhe të paparë. Atëherë na erdhi ideja për ‘restorantin në rrota'”, tregon Bergus, duke shtuar se para se të burgosej kishte shitur sanduiçe para Universitetit të Jerusalemit në Ramallah.

Ai theksoi se partneri i tij al-Libi, gjatë vuajtjes së dënimit kishte punuar në kuzhinën e burgut, raporton AA.

“Abdurrahman gjatë vuajtjes së dënimit në burg, përgatiste ushqim për gati një mijë njerëz. Me këtë përvojë ai u bë mjeshtër i gatimit”, tha Bergus, i cili theksoi se autoritet palestineze ndihmuan për të përmbushur ëndrrën dhe për të filluar biznesin e tyre.

Forcat ushtarake irakiane kanë rimarrë qytetin e njohur turkmen të Bashirit nga luftëtarët e Shtetit Islamik.

Sipas zyrtarëve kurdë forcat kurde Peshmerga dhe ato paramilitare shiite, të përkrahura nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga SHBA dje kanë marrë qytetin verior irakian, pasi fillimisht e kishin rrethuar atë.

Këtë e ka konfirmuar edhe Këshilli Rajonal i Sigurisë i Kurdistanit

Asso Mamand, një zyrtar nga Unioni Patriotik i Partisë së Kurdistanit, tha se disa fshatra të afërta gjithashtu janë liruar nga luftëtarët e IS-it, përfshirë Albu Mafraj dhe Mazargay Imam.

Zyrtarët irakianë kanë thënë se Bashiri ishte përdorur nga luftëtarët e IS-it në muajin mars për ta nisur atë që zyrtarët e kanë quajtur sulm kimik, në afërsi të qytetit Taza, duke vrarë të paktën tre njerëz dhe lënduar shumë të tjerë.