Lajme nga Bota

Lëvizja qytetare serbe “Pokret” ka nisur fushatën për të mbledhur para për ndërtimin e një monumenti për siç thonë në këtë lëvizje “viktimat serbe të gjykatës së Hagës”.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Tomislav Lovrekoviq ka thënë për mediat serbe se kanë plane që të mbledhin para duke organizuar një darkë të donatorëve.

Shoqata ka në plan që të ngris një monument në fshatin Gërbavicë, të Novi Sadit, transmeton Klan Kosova

Lovrekoviqi është i bindur së Kuvendi i qytetit të Novi Sadit do ta refuzojë këtë kërkesë të tyre por ata nuk do të heqin dorë.

“Ne do ta ndërtojmë këtë monument, ata mund ta rrëzojnë! Kjo është detyra jonë” ka shtuar ai, transmeton Klan Kosova.

Punëtorët në Greqi kanë lënë punën të premten, në shenjë proteste për reformat e reja për tatime dhe pensione.

Reformat janë pjesë e masave shtrënguese që duhet t’i zbatojë Athina, për t’u kualifikuar për fonde shtesë nga paketa e ndihmës ndërkombëtare.

Greva 48-orëshe, siç transmeton rel, ka nisur me urdhër të sindikatave të sektorit publik dhe privat.

Si pasojë e grevës, janë mbyllur disa shërbime, përfshirë udhëtimet me anije, mbledhja e mbeturinave dhe disa zyra të qeverisë.

Parlamenti i Greqisë duhet të votojë për riparimin e sistemit të pensioneve të dielën.

Nëse ligji kalon, Greqia do të rrisë kërkesat për kontributet në sigurimin social, do të rrisë tatimin e të ardhurave për njerëzit e pasur dhe do të krijojë një pension të ri kombëtar.

Masat shtrënguese kanë për qëllim të bindin kreditorët ndërkombëtarë për lirimin e parave shtesë për Greqinë.

Greva e punëtorëve do të kulmojë me protesta të dielën.

Qytetarët e Londrës sot do te votojnë për kryetarin e ri, ndërsa në pjesë të tjera të Britanisë së Madhe do të mbahen zgjedhjet lokale. Banorët e Londrës do të zgjedhin mes Sadiq Khan, i cili në rast të fitores do te bëhet kryetari i parë mysliman i kryeqytetit anglez , dhe luftëtarin për mbrojtjen e mjedisit Zak Goldsmith.

Fushata për zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë së Londrës u shënua nga një atmosferë negative, duke pasur parasysh se Goldsmith ka bërë përpjekje ta lidh Khanin me ekstremistët myslimanë, ndërsa Khan këto deklarata ka karakterizuar si dëshpëruese , njofton AFP transmeton Klan Kosova .

Khan 45 vjeçar është i biri i një emigranti pakistanez, shoferi i autobusëve, dhe ka hyrë në politikë, si mbrojtës i të drejtave të njeriut, ndërsa Goldsmith 41 vjeçar pasardhës i manjatit James Goldsmith, i cili vjen nga një prej familjeve më të pasura në Britani.

AFP thekson se rezultatet e zgjedhjeve të sotme do jenë si udhëzim në shtatë javët para përfundimit të fushatës për referendumin, për mbetjen ose daljen e Britanisë nga BE-ja.

Në fotografinë e tij më të fundit, Presidenti amerikan Barack Obama shihet duke përqafuar Mari Copeny, vajzën 8 vjeçe që i shkroi një letër presidentit për krizën e ujit të kontaminuar me plumb në qytetin e saj dhe e frymëzoi atë për të bërë atje një vizitë, transmeton Syri.

Vogëlushja, e cila mori dhe një letër nga Presidenti pasi i tregoi atij për ç’ka ndodh në Flint në Michigan, arriti ta përmbushë dëshirën e saj për ta takuar.

“Little miss Flint”, Mary Copeny, i shkroi presidentit para se ajo të udhëtonte 12 orë me autobus me një grup prej më shumë se 200 banorësh të Flint në një dëgjesë për krizën e ujit në Flint. Në letër, Mari e përshkruante veten si një nga fëmijët e prekur nga uji i ndotur.

Presidenti Obama që vizitoi Flint, e konsideroi krizën si të shkaktuar nga njerëzit dhe të shmangshme dhe u zotua për të dhënë mbështetjen e qeverisë për banorët e këtij qyteti të mërkurën. Ai tha se zyrtarët e qeverisë në të gjitha nivelet duhej ta kishin penguar furnizimin e Flint me ujë të kontaminuar me plumb.

Në vizitën e tij të parë në qytet qëkurse ka filluar kriza e ujit, Obama u informua nga zyrtarët lokalë dhe banorët dhe bëri dhe një inskenim me ujin e pijshëm të filtruar duke u thënë më shumë se njëmijë personave të mbledhur në një shkollë që ata meritonin më shumë nga liderët e tyre.

“Kam ardhur këtu për t’ju thënë që nuk ju kemi kthyer shpinën, por që ne jemi duke i kushtuar vëmendje,” i tha Obama turmës që thërriste me zë të lartë. “Unë nuk do të gjej prehje dhe kam ndërmend të sigurohem se çdo nivel i qeverisjes nuk do të pushojë derisa çdo pikë uji në shtëpitë tuaja të jetë e pastër për t’u pirë, për të gatuar dhe bërë banjë, sepse kjo është pjesë e detyrimeve bazë të një qeverie të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

NATO-ja ka komandant të ri suprem, puna e të cilit është ta forcojë atë si aleancë mbrojtëse, pas viteve të reduktimit të trupave amerikane në Evropë.

“Përballemi me një Rusi të rigjallëruar dhe me sjelljen e saj agresive, e cila sfidon normat ndërkombëtare”, ka thënë gjenerali i ushtrisë amerikane, Curtis Scaparrotti, pasi ka marrë komandën e forcave të SHBA-së në Evropë.

Ai ka shtuar se forcat e aleancës atlantike duhet të jenë “gati për të luftuar nëse përmbajtja dështon”.

Scaparrotti është bërë komandant suprem për Evropën më 4 maj.

Emërimi i tij është bërë në kohën kur aleanca e konsideron Moskën si kërcënim për stabilitetin, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Scaparrotti ka thënë se do të kërkojë nga Uashingtoni që të stacionojë brigadën e tretë të përhershme të trupave amerikane në Evropë, transmeton rel. Dy brigada aktualisht ndodhen në Gjermani dhe Itali.

Gjatë katër vjetëve të kaluar, Uashingtoni ka çaktivizuar dy brigada në Evropë për shkak të presioneve të buxhetit dhe kërcënimeve të reja në Lindjen e Mesme dhe Azi.

Sot, janë më pak se 65,000 ushtarë amerikanë, të stacionuar përgjithmonë në Evropë, nga afro 300,000 sa kanë qenë gjatë Luftës së Ftohtë.

Dëshira e Scaparrottit për më shumë trupa në Evropë i bën jehonë edhe qëndrimit të komandantit në largim të NATO-s, gjeneralit amerikan, Philip Breedlove.

Uashingtoni synon të sigurojë aleatët e NATO-s që janë të shqetësuar prejse Rusia ka anekuar Krimenë e Ukrainës në vitin 2014 dhe vazhdon të mbështesë separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës. Ankthi nga Rusia mbetet veçanërisht i lartë në vendet baltike dhe në Poloni.

Dhe, sfidë e menjëhershme e Scaparrottit do të jetë përcaktimi i vijave të kuqe, përtej të cilave NATO nuk do të tolerojë ngacmimet nga forcat ruse.

Avionët luftarakë rusë, në mënyrë rutinore, fluturojnë pranë vendeve baltike dhe mbi Detin e Zi. Fluturimet e tilla kanë rritur shqetësimet se mund të vijë deri te konfrontimi i drejtpërdrejtë.

Scaparrotti, qysh në seancat dëgjimore të muajit të kaluar, u ka thënë senatorëve amerikanë se këto fluturime të Rusisë janë provokuese dhe të rrezikshme.

Ai ka thënë se Rusia duhet ta dijë se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin masa, nëse amerikanët rrezikohen.

Scaparrotti ka thënë se një nga detyrat e tij të para si komandant suprem i NATO-s do të jetë të rishikojë rregullat e angazhimit të SHBA-së dhe të forcave aleate në lidhje me atë se kur duhet të përgjigjen me forcë për të mbrojtur sigurinë e tyre.

Scaparrotti vjen në postin e lartë ushtarak të NATO-s pasi ka shërbyer si shef i forcave amerikane në Korenë e Jugut.

Para kësaj, ai ka shërbyer në Irak dhe në Afganistan.

Një numër shumë i vogël i migrantëve kanë mbërritur në Greqi gjatë muajit prill, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pasi hyrjes në fuqi të marrëveshjes mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë për përkufizimin e valës së refugjatëve.

”Vetëm 3 469 persona kanë mbërritur në Greqi nga Turqia në prill, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i tyre ishte 13 556 persona”, njoftoi sot Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë dhe Shërbimi Grek për Menaxhimin e Krizës së Refugjatëve.

Përafërsisht, 155 000 migrantë dhe refugjatë mbërritën në Greqi nga fillimi i janarit deri në fund të prillit të këtij viti. Në këtë periudhë, në Evropë kanë mbërritur 183 017 migrantë, ku shumica në Greqi, 154 661, pastaj pasojnë Italia 27 265, Spanja 1 063 dhe Qiproja 28.

Gazeta greke “Kathimerini” publikoi se prej dje deri sot në mëngjes në Greqi nuk ka mbërritur asnjë migrant ose refugjat. Në ishullin Lesbos për pesë ditë me radhë nuk ka mbërritur asnjë varkë me migrantë.

Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes mes BE-së dhe Turqisë në tre ishujt greke Lesbos, Hios dhe Samos kanë mbetur gjithsej 7 044 migrantë dhe refugjatë.

Një zjarr kolosal, një “mur gjigand zjarri” siç është përshkruar nga mediat, detyroi autoritetet kanadeze që të evakuojnë rreth 60 000 njerëz nga Fort McMurray, e gjithë popullsia e këtij qyteti kanadez.

Flakët kanë shkatërruar me dhjetëra shtëpi, ndërsa kanë mbuluar me hi rrugët e këtij qytetit në provincën e Albertës, transmeton TCh raportimet. Mësohet se mijërat e njerëzve në arrati nga flakët kanë shkaktuar shumë probleme dhe bllokime në trafik, megjithatë, deri tani, fatmirësisht nuk ka raporte për viktima. Zjarri shpërtheu në pyjet në afërsi të qytetit dhe, sipas autoriteteve, erërat e forta i shtynë flakët drejt zonave të banuara.

Me qindra zjarrfikës janë angazhuar në betejën kundër flakëve, por sipas disa ekspertëve, një zjarr i tillë ndalet kur vendos vetë. Mediat raportojnë se autoritetet druhen që flakët mund të shkrumbojnë të gjithë qytetin, ose të paktën një pjesë të madhe të tij. Evakuimi i qytetit Fort McMurray është më i madhi në historinë e Albertës dhe mbase të Kanadasë për shkak të një zjarri.

Banorët e qytetit thanë se kur sasia e hirit nisi të shtohej ndjeshëm mbi çatitë e shtëpive të tyre, atëherë e kuptuan se zjarri ishte afruar rrezikshëm dhe duhej të largoheshin. Sipas meteorologëve, erërat e forta dhe thatësira e kohëve të fundit në zonë kanë bërë që flakët të gjejnë terren shumë të përshtatshëm për t’u përhapur me shpejtësi të madhe.

Prej kohësh praktikë e zyrave arkaike, vula prej gome për aprovimin e dokumentacionit po hiqet nga përdorimi në Kroaci e cila po synon thjeshtimin e procedurave biznesore dhe tërheqjen e investitorëve.

Biznese të huaja shpesh e kanë shmangur Kroacinë, duke u ankuar se ka shumë procedura administrative, ka kornizë jostabile rregullatore dhe barrë të lartë të taksave, raporton Reuters.

Ndërsa tani, qeveria e qendrës së majtë, e cila mori drejtimin e vendit në janar, po zotohet se do të përmirësojë klimën investuese.

Kryeministri Tihomir Oreskoviq ka thënë se Kroacia ka qenë në mesin e gjashtë vendeve të fundit në BE që ka përdorur sistemin që konsumon shumë kohë të procesimit të faturave, kërkesave dhe dokumenteve tjera, transmeton Koha.net.

Edhe ministri i Ekonomisë, Tomislav Paneniq, e ka vlerësuar këtë hap.

“Hapi i parë, deri në fund të vitit, është shmangia e nevojës për përdorimin e vulave në sektorin privat. Deri në fundvit, do të përgatitemi që të njëjtën ta bëjmë edhe në sektorin publik”, ka potencuar Paneniq.

Një vajzë shtatë muajshe ka arritur të shpëtojë nga pjesët e mbetura të shembjes së ndërtesës, që ndodhi katër ditë më herët në kryeqytetin kenian, Nairobi.

Ndërtesa gjashtë katëshe u rrëzuar si pasojë e shiut të madh, duke lënë të vdekur 22 persona, shkruan BBC.

Shumë të tjerë besohet se janë nën rrënoja, por shpresat që të gjenden të gjallë po zhduken.

Ndërtesa ka qenë e rezervuar për prishje ndërsa pronari i saj do të paraqitet në gjykatë të martën nën akuzën për vrasje pa paramendim.

Samuel Karanja Kamau u arrestua të hënën. Kurse zyrtarët thanë se ai nuk ka pasur leje që të lëshojë me qira 119 dhomat e ndërtesës.

Mbreti i Spanjës Felipe VI, shpërndau parlamentit dhe shpalli zgjedhjet për 26 qershor, pasi që nuk është arritur marrëveshje për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit që shkoi.

Mbreti e nënshkroi dekretin për shpërndarje të Parlamentit pasi që më 2 maj ka skaduar afati ligjor për formimin e Qeverisë. Është hera e parë që në Spanjë duhet të përsëriten zgjedhjet.

Në zgjedhjet parlamentare në dhjetor, Partia Konservative Popullore, që ka qenë në Qeveria katër vjet, ka marrë më së shumti vota, mbi 28 përqind (123 deputetë) por të pamjaftueshëm që ta formojë e vetme Qeverinë.

Në vendin e dytë kishte dalë partia Socialiste, pastaj Podemos dhe Qytetarët. Asnjëra nga këto tri parti nuk ka dashur që të formojë Qeverinë me Partinë Popullore.

Mbreti spanjoll javën e kaluar ka bisedua edhe me liderët politikë të partive në tentimin e fundit që ta zgjedh krizën katër mujore dhe të gjejë kandidatin që mund ta formojë Qeverinë në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e reja parlamentare.

Megjithatë mbreti pas bisedimeve me liderë politik ka konstatuar se asnjë kandidat për mandatar nuk e ka marrë mbështetjen për formimin e Qeverisë.