Gjykimi ndaj ish- komandantit të UÇK- së dhe ish deputetit të PDK-së, Azem Syla, dhe të akuzuarve tjerë në lidhje me tjetërsimin e pronave në rastin e njohur si “Toka”, do të vazhdojë në muajin qershor.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi, Mirlinda Gashi zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Lënda ku i akuzuar është A.S, etj. seanca është caktuar të mbahet më 29.06.2018, ora 09.00”, tha Gashi.

Syla u lirua nga paraburgimi më 12 mars, pak kohë pasi EULEX-i hoqi dorë nga gjykimi i tij dhe të tjerëve, duke ua lënë rastin vendorëve.

Kjo është seanca e parë qysh pas transferimit të rastit “Toka”, nga EULEX-i te vendorët. Gjyqtari Beqir Kalludra do ta gjykojë Rastin “Toka”.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.