Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka uruar maturantët për provimin e maturës, së cilit do t’i nënshtrohen së shpejti maturantët.

Në një postim në Facebook, Bytyqi ka shkruar se provimi i Maturës Shtetërore është një instrument matës për të gjithë maturantët e Kosovës, transmeton Indeksonline.

Ky është postimi i Bytyqit:

Të nderuar maturantë,

Së shpejti do t’i nënshtroheni Provimit të Maturës Shtetërore, ku do tregoni aftësitë dhe shkathtësitë tuaja, të cilat i keni përvetësuar gjatë dymbëdhjetë viteve të shkollimit, e me rezultatet e arritura do të pajiseni me CERTIFIKATË, dokument ky që do të jetë kusht për pranim në studime, në institucionet e arsimit të lartë.

Provimi i Maturës Shtetërore është një dëshmi se, Ju jeni të gatshëm qe të përballeni me sfidat e jetës dhe jeni të përgatitur për të vazhduar studimet e mëtejme në arsimin e lartë.

Jeni para një sprove dhe para një momenti të rëndësishëm, nga se rezultatet tuaja të gjertanishme në shkollë dhe rezultatet që do ti tregoni në provimin e maturës, do t’ju bëjnë të mundur që të vazhdoni arsimin e lartë atje ku ju dëshironi dhe e meritoni.

Provimi i Maturës Shtetërore është një instrument matës për të gjithë maturantët e Kosovës.

Ne do t’ju krijojmë kushte që Ju të tregoni dijen që posedoni dhe ta kaloni këtë provim me sukses. Në këto situata, pranë jush do të jenë mësimdhënësit, prindërit, DKA-të, MASHT-i dhe shoqëria në përgjithësi. Rezultatet e mira do t’ju bëjnë që të ndiheni mirë dhe krenarë gjatë gjithë jetës.

Republika e Kosovës synon të shndërrohet në një shoqëri të dijes, një shoqëri me aftësi dhe shkathtësi të shekullit 21.

Në emrin tim personal dhe në emër të Qeverise së Republikës së Kosovës dhe MASHT-it, ju uroj që të arrini rezultate sa më të larta.

Suksese!