Byroja Hetimore dhe dekriminalizimi sjellin John Kerry në Tiranë

Zbardhen prapaskenat dhe pikat kulmore të vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, në Tiranë, vizitë e cila ka zënë në befasi, ka turbulluar dhe trazuar politikën e Tiranës.
Zyrtari i lartë i Uashingtonit do të vijë me një ultimatum përvëlues për politikën e Tiranës. Bien tezat e axhendës rajonale, e interesave strategjike dhe të influencave të shtuara ruse në Ballkan. Tezat në fjalë janë thjeshtë shpresa dhe ngushëllime për disa aktorë të politikës së Tiranës, karriera e të cilëve është shënjuar nga krimi dhe korrupsioni. Burimet e fundit konfirmojnë se boshti dhe kryefjala e vizitës së zyrtarit amerikan në Tiranë do të jetë çështja shqiptare, sfidat e Shqipërisë, në raport me avancimin në rrugën e integrimit, rrugë e cila kalon nga shembja e murit të pandëshkueshmërisë, në goditje të krimit dhe korrupsionit elitar etj.
Ashtu siç edhe parashikohej, misioni i zbarkimit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, në Tiranë, lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e qytetarëve shqiptarë dhe fatin e elitës politike shqiptare, fundi i së cilës fshihet pas reformës në drejtësi.
Sipas burimeve, John Kerry do të vijë në Tiranë për t’u komunikuar krerëve të politikës shqiptare një ultimatum të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për çështjen e dekriminalizimit të politikës dhe shtetit shqiptar dhe për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas burimeve, bëhet fjalë për të njëjtin ultimatum, i cili është komunikuar më parë nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, por që ka reflektuar me pritshmëritë dhe efektet e duhura në lëvizjet e krerëve të politikës.
E artikuluar nga John Kerry, mesazhi duket se do të marrë një peshë dhe valencë tjetër. Para disa ditësh, ambasadori Lu ka qenë në SHBA, ku është ankuar për murin e pakalueshëm të politikës shqiptare për reformën në drejtësi, Byronë Hetimore dhe dekriminalizimin.
Mungesa e bashkëpunimit dhe sabotimi nga politika shqiptare, ka detyruar ambasadorin Lu të kërkojë ndërhyrjen e sekretarit të shtetit, për të bërë të qartë se qëndrimi i Lu është qëndrimi i shtetit amerikan.