Njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jusuf Buxhovi, u përball me një mori kritikash, pas deklaratave të tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe për vrasjet e veprimtarëve të LDK’së, të cilat i ka ndërlidhur me UÇK’në.

Por, disa ditë pas paraqitjes së tij në emisionin “Rubikon” të KTV’së, dhe pas reagimeve të shumta ndaj tij nga figura të ndryshme, ai është munduar të arsyetohet.

Buxhovi ka dhënë një intervistë për “Zërin e Amerikës”, të mërkurën, duke mohuar se ka deklaruar se UÇK’ja i ka vrarë njerëzit e LDK’së.

“Askund unë nuk kam thënë se janë vrarë aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, është shprehur ai.

Buxhovi madje ka akuzuar Gazetën Express për shtrembërimin e deklaratave të tij, duke thënë se ato i janë nxjerrë nga konteksti.

Por, çfarë saktësisht kishte deklaruar Buxhovi në “Rubikon”, më 11 korrik?

Gazeta Express i ka transkriptuar deklaratat e tij, e madje edhe e ka shkëputur pjesën e emisionit, ku ai ka folur për luftën e UÇK’së dhe për vrasjet e aktivistëve të LDK’së, për t’ia kujtuar Buxhovit se çfarë ka thënë vetë.

Buxhovi: “102 aktivistë të LDK’së janë vrarë nga përfundimi i luftës deri në vitin 2002… Këto janë të dhëna zyrtare…”

“Ka vazhduar qërimi i hesapeve edhe pas luftës. Ishte një luftë e papastër, dhe kjo e demanton edhe gjithë ato që janë thënë edhe më vonë se ka qenë një luftë e pastër”.

“Lufta e UÇK’së, dhe në përgjithësi rezistenca e armatosur, që është e lidhur me atë instuticonale, ka qenë e drejtë, kurrkush nuk e mohon atë dhe s’mund ta mohojë”.

“Por, gjithkush duhet ta dijë se në çdo luftë ka elementë të papastër. Ka faktorë, nga ata kriminalë, deri te tyxharët e ndryshëm”.

“Problemi ka qenë se menjëherë, edhe qeveria e përkohshme, por edhe në të gjitha prononcimet që i shënoj, që janë kritik ndaj atyre zhvillimeve, kreu i UÇK’së i atëhershëm nuk është distancuar prej atyre veprimeve”.

“Bile-bile ka pasur edhe trimërime, kemi edhe deklarata të njerëzve të rëndësishëm, që kanë qenë edhe në kreun e PDK’së, të cilët në mënyrë decidive kanë deklaruar se ata që e kanë filluar luftën duhet ta vendosin edhe paqen”.

“Janë deklarata edhe të Jakup Krasniqit, edhe të Hashim Thaçit e të tjerëve. I ka përkrahur edhe Rexhep Qosja, dhe disa intelektualë në thonjëza”.

“Një ditë diskursi i çlirimtarëve ka krijuar heronjtë, ka krijuar heroizmin.”

“Në të njëjtën kohë, ke antipodin tjetër. E ke tradhtarin, atë që është përgjegjës. Dhe dihet këto si kanë shkuar”.

“Shoqëria jonë është polarizuar në mënyrë të panevojshme mbi dy kundërthënie shumë tragjike, që kanë qenë me pasoja të rënda. Janë vrarë 600 e sa vetë për dy vjet”.

“Ka vazhduar kjo qasje edhe në aspektin edhe politik”.