Gjykatësit e apelit po përgatiten të japin një vendim kundër ish-udhëheqësit ushtarak serb Ratko Mlladiq, duke i dhënë fund gjyqit të fundit të gjenocidit boshnjak përpara gjykatës së OKB-së për ish Jugosllavinë.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, Mlladiq, 78, udhëhoqi forcat Serbe të Bosnjës gjatë Luftës së Bosnjës 1992-95.

I njohur si “Kasapi i Bosnjës”, ai u dënua në vitin 2017 me akuzat e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës duke përfshirë terrorizimin e popullatës civile të kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë, gjatë një rrethimi 43-mujor dhe vrasjen e më shumë se 8,000 burrave myslimanë në Srebrenicë, Bosnjë, në vitin 1995.

Kjo ishte masakra më e rëndë në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore dhe mbetet episodi i vetëm i gjenocidit në kontinent i njohur nga dy gjykata ndërkombëtare.

Gjykimi i së martës një panel me pesë gjyqtarë po drejtohet nga Gjyqtarja Kryesuese, Prisca Matimba Nyambe.

Ndërkohë, nënat dhe gratë e veja të disa viktimave të vrara kur trupat serbe të Bosnjës pushtuan Srebrenicën ishin jashtë gjykatës në Holandë, ku kanë bërë thirrje për drejtësi.

Avokatët e Mlladiqit apeluan dënimin e tij dhe argumentuan se ish gjenerali nuk mund të konsiderohej përgjegjës për krimet e mundshme të kryera nga vartësit e tij. Ata kërkuan një pafajësi ose një rigjykim.

Ndërsa prokurorët duan që dënimi i Mlladiq të përkrahet, së bashku me dënimin e tij të përjetshëm.

Mlladiq u akuzua për herë të parë në korrik të vitit 1995.

Pas përfundimit të luftës në Bosnjë, ai u fsheh dhe më në fund u arrestua në vitin 2011 dhe iu dorëzua Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë nga qeveria e atëhershme pro-perëndimore e Serbisë.