Foto Ilustrim

Është shpallur fajtor i akuzuari Nystret Kastrati, i cili një ditë më parë pranoi fajësinë dhe kërkoi falje pasi punëtori i tij kishte vdekur si pasojë e mungesës së pajisjeve të sigurisë në punë.

Gjyqtari i çështjes Ahmet Rexhaj, i shqiptoi dënimin me burg, të premten, në kohëzgjatje prej 6 muajve i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Po ashtu vendosi që ky dënim mund të zëvendësohet edhe me dënim me gjobë me pëlqimin e personit të dënuar.

Ai gjithashtu obligohet që t’i paguajë edhe shpenzimet e tjera procedurale dhe paushallin gjyqësor.

Tutje, gjykatësi Rexhaj, ia refuzoi propozimin e prokurores Hamza, dënimin plotësues ‘’Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës’’ si të pabazuar për shkak se nuk ka bazë ligjore.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Nysret Kastrati po akuzohet se me 3 dhjetor 2018, në subjektin ekonomik N.T.SH “BETON PLUS” në Pejë, si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nga pakujdesia nuk instalon pajisjet mbrojtëse në këtë drejtim, si dhe nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës, përkatësisht nenit 5,6,7 dhe 13 të Ligjit për Sigurinë në Punë, nga çka ka rezultuar vdekja e personit tjetër dhe atë të viktimës Sh.F.

Në aktakuzë thuhet se duke u shkelur dispozitat e lartshënuara nga Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, vije deri tek lëndimi i rëndë në punë (amputimi i krahut të djathtë) i tani të ndjerit Sh.F, pasi që ky i fundit derisa ishte duke pastruar cilindrin rrotullues të shiritit transportues të peshores për përzierje e inerteve, shiriti rrotullues ia kapë mëngën e xhemperit, ia nxjerrë-këputë krahun e djathtë në mes të krahut dhe bërrylit. Si pasojë e lëndimeve, thuhet se me 5 dhjetor 2018, rreth orës 13:00, i njëjti ndërron jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.