Dy të akuzuarit që bënë pazare për ta arratisur Mario Millosheviq nga burgu i sigurisë së lartë në Dyz të Podujevës, pasi e pranuan fajësinë, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 6 muaj burgim.

Petrit Mustafa i cili njëherit ishte zyrtar në Ministrinë e Diasporës, u dënua me 6 muaj burgim, dënim ky i cili i me pëlqimin e tij i zëvendësohet me gjobë në shumë prej 2800 euro.

Ndërsa gardiani në burgun e sigurisë së lartë Stefan Veliqkoviq, kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë e shtetit dhe u dënua me 6 muaj burgim dhe 4000 euro gjobë.

Petrit Mustafa akuzohet se me qëllim që t’i mundësonte Mario Millosheviqit arratisjen nga burgu, i ka ofruar dy herë nga 1500 euro dhe një telefon Nokia dhe një Iphone, gardianit Veliqkoviq.

Ndërsa Veliqkoviq akuzohet se në cilësinë e gardianit në burgun e sigurisë së lartë, ka marrë ryshfet nga Petrit Mustafa me qëllim që t’ia mundësonte arratisjen nga burgu Mario Millosheviqit.

Në aktakuzë thuhet se ai pranoi dy herë nga 1500 euro dhe 2 telefona, një Iphone 5S, dhe një telefon Nokia.

Mario Millosheviq ishte arrestuar në korrik të këtij viti së bashku me tre persona të tjerë në një aksion në Prishtinë, si të dyshuar për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të substancave narkotike lidhur me kërkesën ndërkombëtare nga INTERPOL-i dhe armëmbajtje pa leje./kallxo.com