Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka bërë të ditur se oborri i kësaj Komune do të lëshohet si parking për mërgimtarët, shkruan Llapi.info.

Ai nën një postim në Facebook ka thënë se parkingu për veturat me targa të huaja do të jetë falas, ndërkohë që ky vendim do të vlejë deri më 30 shtator.

“Sikurse në sezonen dimërore në prag të festave të fundvitit edhe tash në sezonen e pushimeve verore, ne si institucion kemi vendosur që oborri i Komunës, pjesa e përparme të shfrytëzohet pa pagesë për veturat me targa të huaja, nga data 1 korrik deri më 30 shtator. Të dashur mërgimtarë, kjo është më e pakta që mund të bëjmë për ju. Puna dhe kontributi juaj për atdhe nuk mund të shpaguhet, por ne si institucion për të nderuar dhe vlerësuar kontributin tuaj për Kosovën tonë, si simbolikë po e lëshojmë hapësirën e oborrit të Komunës për parking për veturat tuaja 24h”, ka shkruar ai./Llapi.info