Kryetari i Komunë së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë ndryshimi i qeverisjes në zgjedhjet e 29 nëntorit, sipas tij, kanë sjellë freski tek qytetarët llapjanë, shkruan Llapi.info.

Në emisionin “Pressing” në T7, Bulliqi ka thënë se ky ndryshim, siç ka deklaruar ai, ka qenë i domosdoshëm në këtë Komunë pas një qeverisje 20-vjeçare të LDK-së.

“Fitorja e 29 nëntorit s’është e Shpejtim Bulliqit, fitorja është e VV-së dhe qytetarët e Llapit. Ata kanë vendosur për këtë çështje. Janë qytetarët e Llapit që kanë dashur ndryshimin. Pas një periudhe 20-vjeçare, vërtet ka pasur nevojë për ndryshim, e ky ndryshim duhet të ndodhë në shumë Komuna të Kosovës, pasi ai sjell freski”, ka thënë ai.

“Prapë do ta fitojmë Komunën e Podujevës, me kismet. Respekt për të gjithë kandidatët tjerë, gara është garë. Janë djem të mirë, besoj që do të bëjmë një garë fer, ndërsa fituesi nuk ka dilema se kush të do të jetë”, është shprehur Bulliqi.

I pari i Podujevës ka thënë se përgjatë këtyre gjashtë muajve, sipas tij, është ndaluar korrupsioni.

“Për këta gjashtë muaj, ma gjeni vetëm një element të një korrupsioni. Po u bëj me dije se më në Komunën e Podujevës nuk ka korrupsion. Tash nuk vidhet në zyre të kryetarit, në drejtorë të drejtorive dhe punëtorëve tjerë komunalë. Tani shërbimet po kryhen në afatin më të shpejtë për qytetarët”, ka thënë ai./Llapi.info