Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se breshëri sot ka shkaktuar dëme në disa pjesë të kësaj Komune, raporton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se së shpejti, siç ka thënë ai, Komisioni do të dalë në terren për t’i evidentuar këto dëme për t’u kompensuar.

“Në disa pjesë të Komunës së Podujevës ka rënë sasi e madhe breshëri dhe kjo ka shkaktuar dëme të konsiderueshme sidomos në rendimentet bujqësore, Komisioni për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, së shpejti do të dalë në terren për të parë dëmet e shkaktuara nga breshëri dhe në bazë të mundësive buxhetore do ta bëjmë kompensimin për bujqit dhe familjet e prekura”, ka shkruar ai.

Llapi.info ka raportuar pak minuta më parë për reshjet e shiut dhe breshërit në Lluzhan, ku sipas pamjeve që kanë arritur në adresë të portalit, shihet se breshëri ka qenë i madh.

Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë kësaj jave do të mbaj mot i nxehtë.

Të hënën parashihet të ketë reshje shiu. Ndërsa temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 29-35 gradë Celsius.

“Masat e ajrit me presion të lartë atmosferik të cilat kanë përfshirë vendin do të mbesin të qëndrueshme. Kjo situate meteorologjike do të kushtëzoj mot të nxehtë dhe me vapë. Këto masa të nxehta kanë origjinë nga Afrika Veriore. Riga shiu parashihen ditën e hënë dhe të premten, ndërsa ditët tjera do të jenë me intervale të gjata me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-35 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja dhe juglindja me shpejtësi 1-6 m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së./Llapi.info

Breshër i madh në Lluzhan të Podujevës