Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë, duke akuzuar Komunën e Podujevës për keqqeverisje, ka kërkuar nga që më shpejtë të shpallen zgjedhjet për kreun e kësaj komune, raporton Llapi.info.

Deputeti i kësaj partie dhe kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, duke prezantuar raportin e Auditorit, ka thënë se këtë komunë që udhëhiqet nga LDK-ja është nxjerr si komuna më e dobët në Kosovë nga performanca.

Sipas Bulliqit, pjesa më problematike e këtij raporti është prokurimi. Ai ka përmendur edhe rastin e publikimit të videos së një zyrtari komunal, i cili bënte presion tek një kompani që të tërhiqet nga tenderi, në mënyrë që, siç ka thënë Bulliqi, t’i jepet një kompanie të afërt me pushtetin.

“E para është paaftësia e menaxhmentit dhe stafit të kësaj zyre, e cila karakterizohet me planifikime te gabuara dhe jo profesionale, ku për pasojë vonohen punët dhe rritet kostoja financiare e projekteve. E dyta, tendencat për t’ia përshtatur tenderët kompanive të afërta me partinë në pushtet, pastaj tejkalimi i kontratës kornize në shumë raste, në kundërshtim me ligjin, në dëm të parimit të konkurrencës së lirë në mes të operatorëve ekonomik dhe në dëm të buxhetit publik, ndryshimi i projekteve në kundërshtim me kontratën dhe planifikimin, si dhe pa aprovim të ZKA”, ka thënë Bulliqi.

Bulliqi tha se edhe Zyra e prokurimit ka hasur në shumë probleme e që një prej tyre është edhe qasja në dokumentet e tenderëve. Në një konferencë të mbajtur për medie, Bulliqi ka ftuar prokurorinë që t’i hetojë këto raste.

Për më tepër, ai ka bërë të ditur se në raportin e auditorit janë gjetur planifikime të gabuara të shpenzimeve të cilat paraqiten çdo vit, si dhe ka ndikuar që mjetet të mos shpenzohen sipas planit buxhetor, dhe përgjegjësit kryesorë janë ish-kryetari dhe nënkryetari i kësaj komune.

“Për të gjitha këto lëshime personat përgjegjës duke filluar nga ish- kryetari e tani, nënkryetari, të cilët asnjëherë nuk i kanë adresuar këto probleme dhe nuk janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmirësimin e situatës”, tha ai.

Ai ka kritikuar ekzekutivin e kësaj komune për mostransparencë, duke shtuar se mbi 100 kontrata s’janë publikuar fare.

“Nga gjithsej 179 kontrata të lidhura, 105, nuk janë fare të publikuara, ndërsa 69 janë të publikuara, por duke mos përfshirë pjesën kryesore të Kontratës që është Paramasa dhe Parallogaria”, ka thënë Bulliqi.

Bulliqi ka thënë se mangësia e kontratave për shërbime të veçanta, mungesa e planit për subvencionimin e OJQ-ve, mungesa e projekteve ekzekutive të ndërtimit janë vetëm disa prej të dhënave që tregon raporti i auditorit për keq-menaxhimin e komunës nga ana e ish-kryetarit Agim Veliu dhe nënkryetari Nexhmi Rudari, dhe ka bërë thirrje prokurorisë që të merret me këto raste.

Kandidati për “bajraktarin” e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi e ka quajtur vendim kryekëput politik mos organizimin e zgjedhjeve në këtë komunë.

“Komuna e Podujevës ka nevojë për një qeverisje tjetër e cila është transparente dhe e përgjegjshme para qytetareve. Një qeverisje lokale qe puna e saj bazohet mbi nevojat dhe interesat e qytetareve”, përfundoi ai./Llapi.info

Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë mban konferencë për medie

Gepostet von Llapi.info am Montag, 14. September 2020