Pas sulmit të djeshëm me armë kimike të regjimit të Bashar al Asadit në rajonin e Gutës Lindore në Siri, Britania e Madhe u bën thirrje regjimit dhe përkrahësve të tij që t’i japin fund dhunës ndaj civilëve të pafajshëm.

Në një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe në lidhje me sulmin me armë kimike në rajon thuhet se “Në qoftë se lajmet për sulmet me armë kimike ku ka shumë të vdekur janë të vërteta, atëherë këto paraqesin edhe më shumë dëshmi për brutalitetin e Asadit ndaj civilëve të pafajshëm dhe mosrespektin e përkrahësve të tij ndaj rregullave ndërkombëtare”.

“Hetimet duhet të nisin urgjentisht dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të japë përgjigje. U bëjmë thirrje regjimit të Asadit dhe përkrahësve të tij që t’i japin fund dhunës kundër civilëve të pafajshëm”, thuhet në deklaratën e MPJ britanike, shkruan AA.

Sipas informacioneve të ndara në rrjetet sociale nga Ekipet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Gutën Lindore, në sulmin me armë kimike të regjimit të Asadit ndaj vendbanimeve civile në qarkun Duma, të paktën 40 civilë kanë humbur jetën ndërsa qindra të tjerë janë prekur nga gazi.

Në qarkun Duma, e cila është pika e fundit nën kontrollin e opozitarëve në Gutën Lindore, aktualisht rreth 100 mijë persona jetojnë nën rrethim.