Vlera e Xherdan Shaqirit ka marrë hov të madh pas transferimit nga Stoke City në Liverpool

Xherdan Shaqiri ia ka pa hairin transferimit në Liverpool, shkruan Gazeta Express.

Futbollisti kosovar ka shfaqur paraqitje të shkëlqyeshme me “Reds” dhe kjo ka bërë që vlera e tij të rritet dukshëm në harkun e një viti.

Në fakt, në janar të vitit 2018, 27 vjeçari vlerësohej 14,5 milionë euro, ndërsa tash vlera e tij është 53,2 milionë euro.

Këto statistika i ka publikuar kompania profesionale që merret me hulumtimin dhe vlerësimin e vlerave të futbollistëve në ligat më të forta evropiane.

Ekspertët nga Qendra Ndërkombëtare e Studimeve të sportit (CIES) me bazë në Neuchatel e kanë analizuar dhe vlerësuar paraqitjen e lojtarëve dhe kontributin e tyre për klubet dhe përfaqësueset përkatëse.

Ky vlerësim bëhet nga viti 2013.

Dhe, Shaqiri bëhet kështu futbollisti me rritjen më të madhe të vlerës prej futbollistëve nga Zvicra.