Prodhuesi i njohur gjerman i veturave luksoze, BMW, e ka prezantuar modelin më të ri të X3-shit, atë X3 M Competition. Kjo veturë ka motor me vëllim 3.0 litra dhe gjashtë cilindra.

Motori i modelit të ri është i përforcuar me turbo të teknologjisë “M Twin Power Turbo” dhe ka sisteme të reja të ftohjes së motorit dhe të furnizimit me vaj. Vetura BMW X3 M do t’i ketë 480 kuaj fuqi, ndërsa X3 M Competition do t’i ketë 510 kuaj fuqi.

Shpejtësinë nga 0 deri 100 kilometra në orë modeli X3 M e arrin për 4.2 sekonda, ndërsa modeli X3 M Competition për vetëm 4.1 sekonda. Përndryshe, shpejtësia maksimale e veturës është e kufizuar në mënyrë elektronike në 250 kilometra në orë. Sidoqoftë, me kërkesën e blerësit, kjo shpejtësi mund të rritet në 280 kilometra në orë për modelin X3 M dhe në 285 kilometra në orë për modelin X3 M Competition.

Vetura e re është e pajisur me ndërruesin automatik me tetë shpejtësi, ndërsa vozitësit mund t’i zgjedhin tri modele të ndryshme të ndërrimit të shpejtësive. Modeli i parë i ndërrimit të shpejtësive shërben për vozitje ekonomike, modeli i dytë e bën veturën më sportive, ndërsa modeli i tretë shërben për ndërrimin më të shpejtë të shpejtësive dhe e bën veturën edhe më agresive.

Modelet X3 M dhe X3 M Competition janë vetura që tërheqin me të gjitha rrotat, por fuqia mund të dërgohet më shumë në një rrotë të caktuar në mënyrë elektronike. Vetura ka tri modele të vozitjes: Comfort, Sport dhe Sport+.