Bllokimi i një tuneli përballë marketit “Agnesa” në Podujevë po paraqet problem për një pjesë të banorëve përreth të cilët sot në orët e vona kanë tentuar ta hapin atë për depërtim të ujit, raporton Llapi.info.

Mirëpo, jo çdo gjë ka shkuar sipas planit të disa prej banorëve. Ata të cilët edhe janë të rrezikuar nga vërshimet shkaku i gypit të bllokuar, janë penguar nga disa pronarë të shtëpive afër këtij tuneli.

Për këtë është dashur edhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës pasi ka pasur edhe një konfrontim në mes banorëve të të dyja palëve.

Banorët thonë se lidhur me këtë rast janë të njoftuar edhe organet kompetente të komunës së Podujevës, mirëpo deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

Ata thonë se nëse komuna e Podujevës nuk ndërmerr masa për zhbllokim të gypit, në shenjë proteste edhe do ta bllokojnë magjistralen Podujevë- Prishtinë./Llapi.info