Biznesmenit i dalin telashe me emrin e çuditshëm, Raketë Hedhës

Biznesmeni Roket Atar (Raketa Hedhës), për shkak të emrit të pazakontë me të cilin e pagëzoi babai i tij dhe mbiemrit të çuditshëm është bërë temë kryesore në internet dhe rrjetet sociale, ndërsa çdo ditë njerëzit kureshtarë i bëjnë telefonata.

Atar, i cili është pronar i një kompanie e cila 16 vjet bën prodhimin e tekstilit për foshnja, në një bisedë për Anadolu Agency thekson se në botën e biznesit dhe në korrespondenca zyrtare njerëzit kur e shohin emrin “Roket” (Raketë) dhe mbiemrin Atar (Hedhës) në fillim qeshin dhe më pas duke mos besuar e shohin letërnjoftimin. “Kur e shohin se është e vërtetë më pyesin përse”, tregon Atar.

Ai shpjegon se në kohët kur ka shkuar në shkollë fillore nuk e ka ditur emrin e vet, sepse të gjithë e thërrisnin me emrin e babait të tij, Kamil. “Në moshat e vogla nuk e dija se ç’është raketa e as raketahedhësi. Kur erdhi koha e shkollës së mesme emri im u duk interesant, kështu që edhe mua m’u duk interesant. Më pas kuptova se emri im nuk është emër normal”, thotë ai.

Babai i tij ka menduar 28 ditë për këtë emër

Ai me kalimin e kohës e ka pyetur babanë e tij se përse i ka vënë emrin “Roket”.

“Babai im i ndjerë ushtrinë e ka kryer si rreshter. Ushtarëve të rinj u ka dhënë mësime të raketahedhësit. Një mik të cilin e ka dashur, babait tim i ka thënë, ‘Nëse të lind djal, a do ti vendosësh emrin Roket, gjithsesi edhe mbiemrin e keni Atar’. Babai im në atë moment ka thënë, ‘Nëse do të kem djalë do ti vë emrin Roket’. Pasi kam lindur babai im nuk e kishte harruar premtimin. Jam i lindur më 30 gusht, ndërsa më 28 shtator jam regjistruar. Babi im ka menduar 28 ditë vallë të më vendosë këtë emër apo jo”, thotë ai.

Roket Atar tregon se pasi që babai i tij e ka marrë konfirmimin nga Drejtoria e Popullsisë për këtë emër, emri i tij në regjistret e popullësisë ka hyrë si “Roket”.

Alo, a është Roket Atar (Raketa Hedhës)?

Atar thekson se për shkak të emrit merr shumë telefonata çdo ditë. “Shumë persona më lajmërojnë. Duan të mësojnë vallë nëse ky është apo jo emri im. Edhe unë me mirësjellje mundohem t’iu tregoj. Disa persona më lajmërojnë dhe më thonë: ‘Alo, Roket Atar (Raketa Hedhës) jeni ju?’ dhe pastaj duke qeshur e ndalin telefonin. Me disa qeshemi bashkë dhe bisedojmë. Ka disa tjerë që thonë ‘Nuk besuam prandaj ju telefonuam, më falni”, rrëfen Atar.

Ai për shkak të emrit u bë temë kryesore në internet, ndërsa në motorin e kërkimit të ‘Google’-s ka dhjetra shkrime në lidhje me emrin e tij.

Komandanti i tij: “Unë jam mitraloz antiajror”

Atar thotë se në raste të shumta e përdor avantazhin e emrit të tij dhe për shkak të interesit të njerëzve punët e tij kryen shumë shpejtë. “Kur isha në shërbimin ushtarak një ditë shkova te zyra e komandantit dhe e prezantova veten duke i thënë se quhem Roket Atar (Raketa Hedhës) nga qyteti Aydin. Ai ishte duke shkruar diçka dhe kur ma dëgjoi emrin e ngriti kokën ngadalë, dhe tha: ‘Unë jam mitraloz antiajror (uçaksavar) dhe filloi të qeshë. Në fillim mendoi se jam duke u tallur por kur e pa dosjen time e kuptoi se është emër i vërtetë”, tregon Atar.

Nuk iu dha vizë për udhëtim në Gjermani

Roket Atar madje tregon për ngjarjen e vetme në të cilën emri i solli disavantazh.

“Pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA-të, aplikova për vizë që të shkojë për punë në Gjermani. Më kishte thirrur një klient dhe doja të shkoja në Gjermani. Atë ditë kur unë shkova në konsullatën e Gjermanisë kishte ardhur një ekip special. Janë frikësuar se ‘Roket Atar’ (Raketa Hedhës) është ndonjë propagandë ose shenjë duke marrë masa të veçanta sigurie. Pasi u vërtetuan se emri im është i vërtetë u qetësuan por përsëri konsullata tha se ‘Për këtë emër nuk mund të japim vizë’ dhe nuk shkova në Gjermani”, thotë për AA, biznesmeni me emrin e çuditshëm.

Bashkëshortja emrin e tij të vërtetë e ka mësuar pasi janë fejuar

Bashkëshortja e tij Kudret Atar thotë se në fillim e ka njohur si ‘Kamil’ për shkak të këtij përdorimi brenda familjes. Mirëpo, tregon se emrin e vërtetë Roket e ka mësuar pas fejesës.

Ajo thotë se emri i burrit të saj ende i duket interesant. “Një ditë erdhi postieri dhe më pyeti ‘A është Roket Atar në shtëpi’. Kur i tregova se nuk është në shtëpi, tha: ‘Ah, unë desha ta takoj atë’. Raste të këtilla shpesh herë na ndodhin”, tha mes tjerash ajo.