Sipas nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Besnik Bislimi, në Kosovë tash janë vetëm dy blloqe politike, VV-ja dhe të tjerët. Bislimi ka thënë se të gjitha partitë tjera janë të ngjashme.

Duke komentuar një sondazh të fundit të cilit VV-ja i është referuar duke thënë se kjo parti nëse mbahen zgjedhjet tash ka më shumë se 50 për qind të votave, Bislimi ka thënë se “numrat mund të përmirësohen edhe më tutje”.

“Fillimisht duhet ditur se sondazhi nuk i përfshin tri zhvillime. S’e përfshin diasporën, u bë para se të shkarkohet Vjosa Osmani nga LDK-ja dhe para se të dalin akuzat ndaj Thaçit e Veselit. Mund të kenë efekt brenda numrave. Ajo që vërehet është se shpërndarja e ulëseve nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani do të ishte 56 për VV-në, 18 për PDK-në dhe 18 për LDK-në me nga 15 për qind dhe 8 ulëse për AAK-në me shtatë për qind. Numrat mund të përmirësohen edhe më tutje vetëm nëse punojnë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Besoj se nëse ka pas një të mirë në këtë periudhë apo në tri gjërat e këqija që kanë ndodhur, 1. 25 marsi për shkarkim të qeverisë në mes të pandemisë, 2. aktgjykimi i Kushtetueses që nxori aktgjykim që Kushtetuta është në harmoni me dekretin e Thaçit dhe 3. krijimi i Qeverisë Hoti; tri vendimet pos që ekspozuan dallimin e madh të qeverisjes së VV-së me të tjerëve u ka dhënë hapësirë të tjerëve të tregojnë sa vlejnë e sa janë të gatshëm të shkojnë për pushtet”, ka thënë Bislimi në Deskun e KOHËS.

Sipas tij, në Kosovë ka blloqe false politike.

“Cili është dallimi mes Nismës e PDK-së, mes PDK-së e AAK-së? Jemi dy blloqe. Ata dhe ne. Është VV-ja dhe të tjerët. Të tjerët janë të ngjashëm. Pamë Bedri Hamzën e PDK-së që tha sot se kur t’ju duhen numrat jemi këtu. Është PSD.2” , ka thënë tutje ai.

Ai ka përsëritur qëndrimin që duhet të ketë zgjedhje në vend. Sipas tij, me vendimin që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në veri, “Qeveria Hoti tha se zgjedhjet mund të mbahen, por ne frikësohemi nga to”.