Ndonëse gjatë vitit të kaluar ishte raportuar disa herë në media për numrin e madh të aksidenteve të ndodhura në trafik, të dhënat e Policisë së Kosovës flasin për rënie të numrit të aksidenteve me pasoja fatale.

E rënie e ndjeshme e aksidenteve me pasoja fatale ka pasur edhe në autostrada të cilat monitorohen dhe mbikëqyrën nga Njësiti i Autostradës në Policinë e Kosovës, transmeton Indeksonline.

Njësiti i Autostradës ka përmbyllur vitin 2018 me suksese. Zyrtarë në këtë njësi kanë thënë se nga 13 aksidente fatale të ndodhura në vitin 2017, vitin 2018 kanë ndodhur pesë aksidente fatale.

Gjendja në trafik ka filluar përmirësimin pas fillimit të zbatimit të nenit 43 të Ligjit për Automjete dhe pas rritjes së masave të sigurisë në komunikacion nga ana e Policisë së Kosovës, respektivisht nga Policia e Trafikut. Kjo e fundit është duke bërë një punë të mirë për parandalimin e aksidenteve.