Kandidati i AAK-së për kryetar të Podujevës, Besnik Tahiri, ka prezantuar kandidaten për asamble komunale, Qëndresa Musa Sheholli, njofton Llapi.info.

Duke prezantuar kandidaten për asamble, Tahiri ka thënë se Administrata komunale, sipas tij, do të kthehet në model të ofrimit të shërbimeve dhe gjenerator i zhvillimit

“Qëndresa Musa Sheholli, është një profesioniste e përkushtuar për familjen dhe biznesin. Ajo ka mbaruar studimet për Administratë Publike, po ashtu është në vitin e fundit në Fakultetin e Fizikës. Qëndresa, aktualisht udhëheq administratën në biznesin e familjes dhe është në proces të licencimit për instruktore. Qëndresa do të jetë pjesë e ekipit për administratë dhe kandidate për asamble komunale. Në fokus të analizës në fushën e administratës do të trajtohet lidhja e sistemeve brenda komunës; sistemi i integruar i shërbimeve; digjitalizimi i kërkesave dhe shërbimeve; standardizimi dhe kodimi i shërbimeve. Administrata komunale do të kthehet në model të ofrimit të shërbimeve dhe gjenerator i zhvillimit. Qendresa dhe ekipi  ynë i profesionistëve të rinj do të instalojë një menaxhim modern dhe evropian, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Podujevës”, ka shkruar Tahiri.

Deri më tani, vetëm Tahiri ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për të parin e Komunës së Podujevës, ndërkohë që një gjë të tillë ende s’e kanë publikuar LDK, PDK dhe VV./Llapi.info