Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe kandidat i AAK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Besnik Tahiri, ka prezantuar sot edhe një kandidate për asamble komunale, njofton Llapi.info.

Tahiri, në një postim në Facebook, ka thënë se Lirie Hoti do të jetë kandidate për asamble komunale në zgjedhjet që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Hoti, siç ka thënë Tahiri, është nga fshati Bradash dhe e njëjta është profesoreshë e gjuhës angleze.

“Lirie Hoti, ka lindur në Bradash, është studente e magjistraturës në Lund Universitetit të Suedisë, përfituese e Bursës së Institutit Suedez. Ajo është profesoreshë e gjuhës angleze e diplomuar me notën mesatare 10-të, si dhe është në vitin e fundit në Juridik, po ashtu me rezultatet më të larta. Liria do të jetë pjesë e ekipit, përgjegjëse për marrëdhënie me jashtë ‘City to City Cooperation’ si dhe kandidate për asamble komunale. Lirie Hoti ka marrë pjesë nëpër disa konferenca dhe gara të rëndësishme ndërkombëtare, si garën për Ndërmjetësim në Lituani dhe konferencën ndërkombëtare ( Harvard National Model United Nation) të mbajtur në Harvard University në shkurt të këtij viti. Fal saj, dhe ekipit që ajo ka udhehequr, Kosova hyri në finale dhe mori çmimin e garës. Liria, është tregim i sukseshëm jo vetëm për komunën tonë, por për gjithë vendin dhe më gjerë”, ka shkruar Tahiri.

Deri më tani, vetëm Tahiri ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për të parin e Komunës së Podujevës, ndërkohë që një gjë të tillë ende s’e kanë publikuar LDK, PDK dhe VV./Llapi.info