Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur i bindur në fitoren e tij në zgjedhjet që do të mbahen më 17 tetor, raporton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se në këtë ditë, sipas tij, do të ndodhë ndryshimi i madh, ndërkohë që ka shtuar se do të ketë investime në Llap.

“17 Tetori, do të shënoj ditën, kur Podujeva do ta bëjë ndryshimin e madh, duke lënë prapa historinë e inateve, konflikteve politike, e për t’u vendosur në synime të qarta për një qytet modern e të zhvilluar. Do të investojmë gjithë potencialin që kemi për t’i shërbyer ndryshimit të kësaj gjendje, e kemi pranuar me respekt dhe përkushtim këtë angazhim të ri që të dizajnojmë një program që sjell zhvillim. Unë, ekipi im do të rrugëtojmë drejt mundësisë, shpresës, progresit dhe dijes, ku në qendër jeni ju dhe zgjidhjet e problemeve tuaja, drejt zgjidhjeve të mëdha për qytetin.
Ne do të ndryshojmë rrënjësisht qasjen në takime, debate e prezantime, duke ofruar program e zgjidhje konkrete, madje në themel. Së pari në fushatë. Pastaj në Qeverisje. Ne nuk japim zgjidhje të lehta për problemet e vështira, por ofrojmë program të qartë, drejt zgjidhjes konkrete, e dëshmojmë me përkushtim”, ka shkruar ai.

“Fushatat dinë të jenë të zhurmshme me aq shumë fjalë, me aq shumë premtime, saqë në vend të qartësimit sjellin konfuzion mes ofertave të mirëfillta e deklaratave e fletushkave partiake. Një besim e një ndëshkim, e jo cilësi e dëshmuar, ky ishte cikli i deritashëm zgjedhor. S’kemi si të mos habitemi me fjalët e reja për premtimet e vjetra, andaj na duhet që të besojmë vetëm në program e ekip, që ky cikël të marrë fund. Në këto zgjedhje na duhet zgjidhje, mundësi të reja për rrugëtim që hapin shtigje për zhvillim”, tha Tahiri.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimit me subjektet politike më 2 qershor 2021 dhe në mbështetje të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës ka caktuar 17 tetorin 2021, datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale./Llapi.info