Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka pritur sot kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq. Temë e pashmangshme sigurisht ishte Kosova.

Mediat serbe citojnë kancelaren gjermane të ketë thënë se “duhet të vazhdohet procesi i zgjidhjes së problemit të Kosovës dhe ai të shkojë përpara, në mënyrë që të arrihet zgjidhja”.

Ato kanë biseduar edhe për situatën dhe bashkëpunimin në rajon, transmeton Koha.net.

Ndërkaq kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi pas takimit, se “çështja e Kosovës ishte e vetmja pikë mosmarrëveshjeje dhe mospajtimi në mes të Serbisë e Gjermanisë”, por shtoi se “me rëndësi është të bisedohet rreth kësaj teme, meqë pa një zgjidhje afatgjatë të qëndrueshme të këtij problemi dhe të pajtimit midis serbëve e shqiptarëve nuk do të ketë ardhmëri afatgjatë për Ballkanin.

“Çështja e Kosovës e Metohisë është padyshim një pikë mospajtimi dhe moskuptimi, por për ne Gjermania është një nga partnerët më të rëndësishëm dhe pavarësisht se nuk pajtohemi në disa çështje, me e rëndësishmja është që me Gjermaninë të bisedojmë, të dëgjojmë mendimin e saj dhe këshillat, të paraqesim qëndrimin tonë dhe të shohim nëse së bashku mund të përafrojmë qëndrimet dhe të arrijmë në një zgjidhje afatgjate të qëndrueshme”, tha ajo.

Kryeministrja serbe ka shtuar pa një zgjidhje të tillë dhe pa pajtim historik mes serbëve e shqiptarëve nuk do të ketë të ardhme tjetër për Ballkanin.

Bërnabiqi ka ftuar kancelaren gjermane për një vizitë në Serbi.