Drejtori sportiv i Fortuna Duesseldorfit, Lutz Pfannenstiel, ka thënë se mesfushori Valon Berisha do të ishte synimi kryesor i ekipit gjerman nëse e siguron mbijetesën në Bundesligë. Berisha, te Fortuna është i huazuar nga Lazio deri në fund të këtij edicioni. Ai te Fortuna u huazua në fillim të këtij viti. Por, paraqitjet e futbollistit të përfaqësueses së Kosovës kanë bërë që drejtuesit e klubit gjerman ta negociojnë me skuadrën italiane blerjen e kartonit të tij.

“Berisha është duke luajtur shumë mirë. Ai e ka ngritur nivelin e ekipit. Nëse do të jemi pjesë e Bundesligës edhe sezonin tjetër, atëherë ai do të jetë synimi ynë kryesor, por ne nuk duam ta shfrytëzojmë të drejtën e blerjes, sepse kriza na ka goditur dhe gjithashtu edhe Lazio duhet të na takojë nëse e sheh të arsyeshme. Ai gjithashtu ka një pagë të lartë që është e papërballueshme për standardet tona, kështu që ai duhet të dëshmojë vetë nëse dëshiron të bëjë një sakrificë dhe të qëndrojë me ne”, ka thënë Pfannenstiel për “Radiosei”.

Berisha luajti 69 minuta të shtunën e shkuar për Fortunan, që barazoi pa gola ndaj Paderbornit. Ai në ndeshjen ndaj Paderbornit qëlloi dy herë shtyllën. Falë paraqitjes së mirë, Berisha është shpallur edhe lojtari më i mirë nga uebfaqja zyrtare e Bundesligës në ndeshjen e parë pas rifillimit të këtij edicioni i pezulluar në mars shkaku i koronavirusit. Futbollisti kosovar më herët karrierë si profesionist ka bërë te Egersundi dhe Vikingu në Norvegji, derisa ka luajtur edhe për Red Bull Salzburgun dhe Lazion. Te Lazio u transferua në vitin 2018 dhe ka kontratë deri në qershor të vitit 2023. Berisha, viteve të fundit, është përballur me probleme të shumta me lëndimet. Këtë edicion, me fanellën e Fortuna Duesseldorfit ka luajtur shtatë ndeshje.