Lojtari i Përfaqësueses së Kosovës Valon Berisha, ka shprehur mirënjohje për ndihmën që shteti i Anglisë i ka dhënë Kosovës gjatë luftës.

“Sot do të përballemi me njërin nga vendet që na ndihmoi të lirohemi nga okupatori”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se do të jemi mirënjohës gjatë gjithë jetës ndaj Anglisë dhe se do të jemi miq, pa marrë parasysh se kush do të fitoj sonte, transmeton koha.net.

“Do i jemi mirënjohës gjatë gjithë jetës Anglisë dhe do të jemi miq pa marrë parasysh se sonte kush fiton”, ka shtuar ai.

Ndërsa shkrimin e tij, të postuar në rrjetet sociale, e ka bashkangjitur me 2 fotografi, ku shihet ekipi i Kosovës paraluftës dhe ai sot, duke thënë se nuk do ta harroj të kaluarën, pasi duke e shikuar atë frymëzohet për të arritur suksese në të ardhmen.

“Fotoja e pare flet shume dhe tregon se ku kemi qenë dhe asnjëherë nuk do ta harrojmë të kaluarën pasi duke shikuar nga e kaluara, frymëzohemi për t’i arritur sukseset në të ardhmen”, thotë ai.

Ai, ka thënë se Anglinë do ta respektojmë gjatë gjithë jetës, por se “sonte do u tregojmë se çfarë kemi mundur të bëjmë dhe se kush jemi bërë nga përkrahja e tyre”.

“Kosova është një vend i vogël, por ka njerëz me zemër të madhe dhe asnjëherë nuk i harron ata që na ndihmuan të jemi këtu. Anglinë do ta respektojmë gjate gjithë jetës, por sonte do u tregojmë se çfarë kemi mundur të bëjmë dhe se kush jemi bërë nga përkrahja e tyre”, ka përfunduar ai.