Berberët në Komunën e Podujevës kanë vendosur t’i rrisin çmimet, raporton Llapi.info

Ky vendim për rritjen e çmimeve pritet të nis që nga 15 shkurti i këtij viti. Berberët për Llapi.info kanë thënë se ky vendim është diskutuar të dielën. Llapi.info mëson se nga ky takim është krijuar edhe një këshill i përbërë nga katër persona dhe është diskutuar se rritja e çmimeve do të ndodh nga 15 shkurti.

“Jemi takuar, është formuar edhe këshilli prej katër personave. Ky vendim vjen pasi që nuk po mundemi me i mbulu shpenzimet. Në qytet uji, rryma e bërlloku po duhet me i pagu më shtrenjtë. Nga 15 shkurti pritet të vendoset, por që të gjithë janë të pajtimit. Ngritja do të bëhet nga 2 euro në 3 euro dhe ata që e kanë ka 1 euro t’u bëhet 2 euro”, ka thënë për Llapi.info një berber në kushte anonimiteti.

Mirëpo, një rritje e tillë e çmimeve, bazuar në një marrëveshje në mes të bizneseve, është e ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Neni 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, e ndalon marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, caktimin e çmimit të shitjes apo shërbimeve.

“Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marrura ne mes te shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që: 1.1. caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”, thuhet në nenin 4 të këtij Ligji.

Kujtojmë, një rritje e tillë e çmimeve ka ndodhur në vitin 2017 edhe në Komunën e Lipjanit./Llapi.info