Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që të lehtësojnë kufizimet për udhëtime gjatë verës, duke lejuar turistët e vaksinuar plotësisht që të mos u nënshtrohen testeve për COVID-19 apo karantinave në rajonin e BE-së,.

Ambasadorët e 27 shteteve anëtare të BE-së kanë miratuar një propozim të modifikuar të Komisionit Evropian, ku thuhet se njerëzit që janë të vaksinuar plotësisht, mund të udhëtojnë lirshëm në shtetet e BE-së, 14 ditë pasi janë imunizuar kundër sëmundjes COVID-19.

Ndërsa, kufizimet për udhëtarët e tjerë duhet të bazohen në situatën epidemiologjike të shtetit prej nga ata vijnë.

Deri më tani, sipas të dhënave të BE-së, mbi 50 për qind e të rriturve në Evropë janë vaksinuar të paktën me dozën e parë, ku gjysma nga kjo shifër janë të vaksinuar plotësisht.

Udhëzimet e reja të BE-së vijnë në kohën kur blloku evropian prezantoi certifikatat për COVID-19, të cilat do të dëshmojnë nëse një person është vaksinuar ose nëse ka imunitet ndaj sëmundjes apo nëse ka dalë negativ për COVID-19.

Por shtetet e BE-së mund të vendosin vetë nëse nuk do të lejojnë udhëtarët që vijnë nga zonat që kanë shënuar numër të lartë të rasteve me koronavirus apo kanë raste me variantet e reja të Covid-19.

Të drejtë hyrjeje në vendet e BE-së kanë edhe turistët jashtë shteteve të BE-së, për aq kohë sa paraqesin dëshmi se janë të vaksinuar./rel