Llapi e ka pësuar edhe humbjen e pestë në kampionatin kosovar në futboll, ku së fundi u mposht në “Zahir Pajaziti” nga Prishtina me rezultat 1-4, njofton Llapi.info.

Nga dy gola për secilën pjesë mjaftuan që mysafirët të kthehen me pikë të plota në kryeqytet.

Endrit Krasniqi, Ahmet Haliti, Ahmed Januzi dhe Armend Thaçi shënuan për fitoren e kryeqytetasve, ndërsa për nikoqirët golin e vetëm e realizoi Kastriot Selmani.

E pas disfatës së thellë të pësuar në Podujevë, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka theksuar se futbollistët e tij ishin të kënaqur me barazimin që morën ndaj Ballkanit në mesjavë.

“Lojtarët patën vetëbesimin e ndeshjes me Ballkanin, ndërkohë që kjo ndikoi që ne sot ta humbasim ndeshjen. Kjo nuk iu falet lojtarëve, por në ditët në vijim do ta bëjmë analizën e lojës dhe të shohim se ku kemi gabuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, Llapit i mungojnë dy lojtarë, e njëri prej tyre një golashënues në fazën e sulmit.

“Na mungon një lider në repartin defansiv dhe një golashënues në repartin e sulmit. Sebino Plaku është jashtë elementit për lojë, ai ka menduar që në Kosovë do ta ketë shumë lehtë, por këtu luhet futbolli shumë i fortë dhe ai nuk po mund të adaptohet”, ka deklaruar Batatina për “Super Sport Kosova”.

E pas humbjes së pësuar përpara tifoëzve llapjanë, Batatina ka akuzuar dy lojtarë.

“Jemi munduar ta mbajmë ekipin me këmbë tokë, të shfaqim maksimumin, por nganjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç e ke parashikuar. Gjërat na u kanë vështirësuar që nga lëndimi i Bujar Idrizit dhe ‘gardianit’ Bledar Hajdini, pozita të cilat vazhdojnë të jenë kyçe për ne, sidomos në portë. Nuk mund të them që fajtor kryesor është portieri, por neve na nevojitet një portier cilësor”, përfundoi Batatina.

Ndërkohë, pas kësaj disfate Llapi vazhdon t’i ketë 24 pikë në vendin e pestë, kurse Prishtina me këtë fitore arrin në kuotën e 27 pikëve të arkëtuara dhe radhitet në pozitën e katërt.

Në ndeshjen e radhës, Llapi do të udhëtojë në Gjilan për t’u përballur me Dritën, ndërsa Prishtina do ta presë Trepçën ’89./Llapi.info