Me rezultat të pastër, 2-0 është mposhtur sot Llapi si mysafir i Dritës në Gjilan, raporton Llapi.info.

Ani pse patën iniciativën gjatë pjesës së parë, mysafirët nga Podujeva s’arritën të realizonin gol, ndërsa nikoqirët shënuan të dy gola të fitores në pjesën e dytë, me anë të Betim Haxhimusës (75’) dhe Erjon Vuca (90’). Me këtë disfatë, Llapi ka vetëm një pikë nga 9 të mundshme në tri ndeshjet e fundit.

Edhe pse pas 16 javëve Llapi ka vetëm 24 pikë në vendin e pestë, gjasat sipas trajnerit të Llapit për t’u kurorëzuar me titull s’janë shuar. Por, për ta arritur atë, tekniku llapjan, Tahir Batatina ka thënë se s’mund të ndodh nëse shkojnë punët kështu me referim.

“Ne e ndëshkuam Dritën. E realizuam një gol të rregullt, por gjyqtarët na anuluan pa të drejtë. Ky është referimi më skandaloz që nga paslufta në futbollin kosovar. Që nga minuta e parë është vërejtur tendenca e gjyqtarëve për t’i dhënë fitoren skuadrës së Dritës. Jemi dëmtuar rëndë ndaj kundërshtarëve direkt për titull. Në Suharekë na është anuluar një gol i pastër, në Gjilan gjithashtu dhe nëse dikush e ka vendosur se kush do të bëhet kampion përpara kampionatit, atëherë është mirë që të na tregojnë neve të mos mundohemi kot”, ka thënë ai për SSK.

“Dhjetë pikë nuk janë shumë, pasi në pyetje janë tri ndeshje, por kështu si po shkon kampionati është e pamundur. Shpresojmë që ky kampionat të shkon mirë deri në fund, pasi kështu si ka filluar do të jetë shumë e vështirë”, deklaroi ai.

Pas kësaj humbje, Llapi vazhdon t’i ketë vetëm 24 pikë në vendin e pestë, kurse Drita arrin në kuotën e 31 pikëve.

Në xhiron e radhës, Llapi e pret në ‘Zahir Pajaziti’ Flamurtarin, kurse Drita udhëton në Mitrovicë për t’u ndeshur me Trepçën ’89./Llapi.info