Ekipi nga Podujeva, KF Llapi, ka pësuar sot disfatën e radhës në Superligën  e Kosovës në futboll, duke u mposhtur si mysafir i Drenicës me rezultat 4-2, raporton Llapi.info.

Nga dy gola në të dyja pjesët e lojës mjaftuar që drenicasit t’i arkëtojnë pikët e plota dhe mjaft të rëndësishme në këtë xhiro.

Pas kësaj disfate, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se ekipi që drejton, siç është shprehur ai, nuk do të bie asnjëherë nga liga, duke shtuar se fokusin e kanë në finales e Kupës së Kosovës.

“Ndalëm shumë zëra se Llapi po luan me disa skuadra e ekipin e dytë dhe me disa të tjera me ekipin e parë. Luajtëm me ekipin e dytë edhe ndaj një kundërshtari direkt për mbijetesë siç është Drenica. Fokusi ynë është te kupa dhe këtë e kam thënë nga fillimi i pranverës. Ne do të synojmë që të marrim maksimumin e pikëve nga ndeshjet e mbetura, por tifozët e Llapit duhet të jenë të qetë, pasi që Llapi asnjëherë nuk do të largohet nga liga”, deklaroi Batatina.

Me këtë humbje, Llapi bie në pozitën e gjashtë në tabelë me vetëm 39 pikë, kurse Drenica ka 41 sosh dhe radhitet një pozitë më lartë se klubi nga Podujeva.

Në xhiron e radhës, Llapi pret në “Zahir Pajaziti” Besën e Pejës, derisa Drenica do të ketë punë me Arbërinë./Llapi.info