Llapi është mposhtur sot në Skenderaj nga Drenica me rezultat 3-0, në ndeshjen e dytë të IPKO Superligës së Kosovës në futboll, njofton Llapi.info.

Në pjesën e parë asnjëra nga skuadrat nuk gjeti rrugën e golit, por në pjesën e dytë vendasit ishin shumë efikas duke shënuar tre herë.

Harmon, Meziu e Elshani shënuan në këtë takim për t’ia siguruar pikët e plota Drenicës.

Pas ndeshjes, kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina nuk është ndarë i kënaqur nga paraqitja e futbollistëve të tij në duel me Drenicën. Fajtor kryesor për këtë disfatë tekniku llapjan mendon se janë pikërisht vendasit nga Skenderaj me lojën e tyre të ashpër që e aplikuan në këtë takim.

“Drenica e bëri diferencën me ashpërsinë e vet. Dy futbollistë na u lënduan për shkak të lojës së ashpër të futbollistëve të KF Drenicës në pjesën e parë të lojës. U detyruam t’i largonim dy sulmuesit kryesorë. Kur humbet dy futbollistët kryesorë brenda një pjese është e vështirë për një skuadër dhe e vështirë ishte edhe për ne, megjithëse u munduam të reagonim në pjesën e dytë”, deklaroi Tahir Batatina për “Super Sport Kosova”.

Më tej tekniku i KF Llapit foli edhe për paraqitjen e dobët të skuadrës së tij në “Bajram Aliu”, teksa beson se ekipi do të këndellet në javët në vazhdim.

“Nuk është pritur një humbje kaq e thellë, por sidoqoftë është vetëm ndeshja e dytë e kampionatit dhe ka shumë kohë për ndeshjet në vazhdim që ne të rikuperohemi dhe të shohim gabimet ku duhet përmirësohemi”, ka deklaruar tutje Batatina.

Llapi ka tashmë katër gola të shënuar dhe katër të pranuar brenda dy javësh ka të grumbulluar tre pikë.

Në ndeshjen e radhës, klubi nga Podujeva e pret në shtëpi Ballkanin, kurse Drenica udhëton te Trepça ‘89./Llapi.info