Skuadra e Tahir Batatinës, Llapi, ka pësuar humbje në udhëtim te Ballkani me rezultat 1-0 në kuadër të xhiros së 31-të të Superligës së Kosovës në futboll, raporton Llapi.info.

Golin e vetëm në këtë ndeshje, ku u ndëshkuan me karton të kuq tre lojtarë, e shënoi Blendi Baftiu, për t’ia siguruar Ballkanit pikët e plota në këtë ndeshje dramatike.

Trajneri i ekipit nga Podujeva, Tahir Batatina, është shprehur i indinjuar me referimin në këtë takim. Ai ka thënë se kjo ndeshje, sipas tij, nuk është fituar nga Ballkani, po që siç ka thënë ai, nga gjyqtarët.

“E kemi ditur që do jetë një ndeshje e fortë. Kemi luajtur futboll. Në Suharekë nuk u luajt futboll. Nuk na mposhti Ballkani, por arbitrat, është e para që po ankohem sivjet. E pamë që synimi ishte të largohet Januzi nga ndeshja që Ballkani ta fiton ndeshjen. Ne e meritojmë vendin e parë, jo Ballkani. U dëmtuam me një penalti, me një faull, u dëmtuam shumë. Organizimi katastrofal i Ballkanit. Të fyhet të shahen trajnerët e skuadrave tjera. Kjo është në dëm të futbollit. Kjo skuadër mendon të dal në Evropë, por me këtë organizim nuk i duhet as titulli dhe as Evropa. Urime Besfort Kasumit tre pikët”, ka thënë tekniku llapjan.

Pas kësaj humbje, Llapi vazhdon të jetë në pozitën e pestë me 39 pikë të tubuara, ndërkohë që Ballkani kryeson në tabelë me 67 sosh.

Në xhiron e radhës, Llapi pret në “Zahir Pajaziti” Prishtinën, kurse Ballkani i shkon Drenicës./Llapi.info