Dy barazime dhe tri humbje është bilanci i klubit nga Podujeva, KF Llapi, në pesë xhirot e para të Superligës së Kosovës në futboll, raporton Llapi.info.

Ekipi nga “Zahir Pajaziti” është mposhtur sot nga Ballkani me rezultat 2-0, me dy golat vendimtarë të realizuara nga Ermal Krasniqi.

Kjo ndeshje u shoqërua edhe me ndërprerje e tensione, me tifo-grupin “Xhebrailat” që u përjashtuan nga stadiumi. Ata ofenduan dhe fyen trajnerin e Llapit, Tahir Batatina, pas një “përplasje” që kanë pasur mbrëmë po ashtu në rrjetet sociale.

Pas disfatës, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se kjo ndeshje, sipas tij, në këto rrethana nuk do të duhej të zhvillohej fare.

“Së pari në këto kushte nuk është dashur të zhvillohet ndeshja, me gjithë këta tifozë, me gjithë këto ndërprerje dhe sharje e ofendime gjatë gjithë takimit. Kjo sjellje nuk i ka hije as Kosovës dhe as Suharekës. Ofendimet e tyre tregojnë organizimin e klubit dhe respektin e tyre. Gjyqtari kryesor i kësaj ndeshjeje është dashur të mos e zhvillojë këtë takim. Gjatë tërë ndeshjes ka pasur hedhje të gjësendeve të forta, por ndeshja nuk u ndërpre. Sa i përket ndeshjes e kemi dominuar gjatë gjithë kohës, por kemi pësuar dy gola nga gabimet tona. Llapi është “Bossi” i Superligës”, tha Batatina për ArtSport 1.

Pas kësaj disfate, ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina ka vetëm dy pikë në pesë xhirot e para dhe pozicionohet në vendin e parafundit, kurse Ballkani ka 11 sosh dhe radhitet në pozitën e parë.

Ndeshjen e radhës Llapi e luan në shtëpi ndaj Drenicës, ndërkohë që Ballkani i shkon Malishevës./Llapi.info