Bastisje në 18 lokacione të Kosovës për kontrabandë barnash

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganat e Kosovës dhe Inspektoratin Shëndetësor, referuar urdhëresës së gjykatës kompetente, kanë realizuar një operacion policor të bastisjeve në tri regjione të ndryshme të Kosovës për kontrabandë barnash.

Operacioni është shtrirë në regjionin e Prishtinës, Ferizajt dhe të Gjilanit, duke përfshirë tetëmbëdhjetë (18) lokacione të ndryshme. Si rezultat i operacionit policor, në cilësinë e personave të dyshuar janë arrestuar pesë persona; A.M. (m) E.R. (m), S.I. (f), D.A. (m) dhe A.A. (m), thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Këta persona dyshohet se në mënyrë të organizuar dhe bashkëpunim kanë kontrabanduar barna të ndryshme duke dëmtuar buxhetin e Kosovës, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe duke konsumuar kështu veprat penale: “Kontrabandim me mallra”, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” , si dhe ”Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike.

Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar sasi e konsiderueshme e barnave të pa kontrolluara dhe të pa verifikuara me prejardhje kryesisht nga Serbia, të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara në mënyrë ilegale për në Republikën e Kosovës.

Dy nga te arrestuarit janë punonjës të shëndetësisë, dhe të njëjtit dyshohen se kanë konsumuar vepren penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare”.

 

Image