Seancat e Kuvendit të Shqipërisë edhe këtë të enjte vijon me anormalitet. Basha bllokoi foltoren e Kuvendit pasi i ndërpreu fjalën Ruçi. Ai kërkoi pezullimin e seancës, duke e quajtur papërgjegjshmëri mungesën e Ramës dhe Xhafajt.

“Pezullo seancën, të vijnë këtu Rama dhe Xhafaj”. Kjo ka qenë kërkesa e Lulzim Bashës drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, pasi në punimet e seancës mungonin kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Pezullo seancën, të vijnë këtu Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj. Nëse kanë vendosur të mos vijnë, le ta çojnë deri në fund”, citon “Shqiptarja” Bashën.

Por kreu i Kuvendit i ndërpreu fjalën Bashës pasi kërkesa e tij ishte jashtë rendit të ditës dhe në shkelje me Rregulloren e Kuvendit.

“Bëj kërkesë dhe Kuvendi do ta shqyrtojë”, – ndërhyri Ruçi.

Për një moment kjo solli irritimin e deputetëve demokratë, të cilët u mblodhën në foltore duke përsëritur të njëjtin skenar si katër javët e fundit, por këtë herë Basha i largoi opozitarët, duke qëndruar i vetëm në foltore.

Insistimi i Bashës për të mos u larguar nga foltorja, bëri që Ruçi të ndërpresë punimet e Kuvendit për 10 minuta deri në rikthimin e normalitetit.