Problemet me zjarre nuk kanë të ndalur gjatë ditës së sotme. Pas raportimit për zjarr e tym të zi në Obiliq, e më pas edhe në Arbëri të Prishtinës, zjarr i madh ka përfshirë edhe disa fshatra të Komunës së Podujevës.

Disa banorë të shqetësuar të fshatrave Katunishtë e Bradash të Podujevës kanë dërguar fotografi në redaksinë e Koha.net nga zona përreth fshatrave të tyre ku shihet t’i jetë vënë flaka një hapësire të gjerë afër shtëpive.

Ata thonë se po ndihen të rrezikuar pasi zjarri vazhdimisht po vjen duke iu afruar shtëpive.

Image

Nazmi Elezi, nga Komuna e Podujevës, ka thënë për Koha.net se nuk ka rrezik nga këto djegie të fushave, pasi një gjë e tillë ndodh çdo vit, zakonisht para sezonit të mbjelljes së grurit.

Edhe Milaim Ajvazi, shef i shërbimit të Zjarrfikësve në Podujevë, ka thënë për portalin se janë njoftuar për këtë rast, dhe për raste tjera, mirëpo gjithçka ka kaluar pa ndonjë rrezik të madh për banorët.

“Më serioze ishte ajo në fshatin Metehi, me ç’rast janë djegur rreth 1 mijë dujë të kashtës, një makineri bujqësore – presë, dhe një shtyllë elektrike”, ka thënë Ajvazi.

Image

Ai theksoi se zjarre ka pasur edhe në lokacione tjera, por gjithashtu edhe në Katunishtë e Bradash.

“Ekipet e zjarrfikësve janë duke punuar në terren. Nuk ka ndonjë rrezik për banorët”, tha Ajvazi për Koha.net, ndërsa theksoi se shkaktar është faktori njeri.

Shefi i shërbimit të zjarrfikësve në Podujevë tha po ashtu se ky rajon shpesh preket nga zjarret pasi është zonë që zjarret përhapen shumë lehtë si pasojë e erëra të fuqishme.