Ministri i Financave Bedri Hamza dhe Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën Marco Mantovanelli, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen për financimin e projektit të Ekonomisë Digjitale në Kosovë që do të implementohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Vlera e përgjithshme e Marrëveshjes është 20.7 milion Euro me një normë të interesit vjetore 1.25%, grejs periudhë 5 vite, dhe afat të shlyerjes 25 vite.

Me këtë rast ministri Bedri Hamza bëri të ditur se qëllimi i projektit është që të zhvillojë infrastrukturën ndërlidhëse brezgjerë në viset e pambuluara, forcimin e kapitalit njerëzor dhe mbështetjen e bizneseve për të futur Kosovën në ekonominë digjitale të së ardhmes.

“Krijimi i kushteve të përshtatshme përmes shtrirjes së infrastrukturës përkatëse të rrjetave dhe mundësimi i shërbimeve brezgjerë do të përmirësojë qasjen në tregje ndërkombëtare dhe zhvillim të modeleve të reja të biznesit. Kështu, do të krijohen mundësi për qytetarët (me fokus të veçantë të rinjtë, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara) dhe bizneset të angazhohen pavarësisht lokacionit dhe me orar fleksibil, duke fituar shkathtësitë e duhura për të përfituar nga digjitalizimi i aktiviteteve ekonomike”, shtoi ministri Hamza.

Ai theksoi se përveç qasjes në tregjet e punës, do të mundësohet edhe qasja në burimet globale të dijes përmes institucioneve arsimore, dhe gjithashtu do të mundësohet lidhja ne rrjetin e internetit e shërbimeve publike të zonave rurale. Sipas ministrit Hamza ky investim do ta pozicionojë më mirë Kosovën që të përfitojë në mënyrë më gjithëpërfshirëse nga mundësitë digjitale dhe globalizimi i ekonomisë.

Ndërsa, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën Marco Mantovanelli, tha se “Projekti do të ketë spektër të gjerë përfitimesh për popullin e Kosovës, duke e lidhur atë me informacione, shërbime dhe vende të punës. Duke zhvilluar dhe forcuar infrastrukturën digjitale të Kosovës, ky projekt do të thellojë lidhjet e Kosovës me ekonominë globale, që është me rëndësi kritike për rritjen dhe zhvillimin në të gjithë vendin”.

Mantovanelli me këtë rast gjithashtu theksoi se Kosova është e para në rajon që po lëviz në këtë drejtim, dhe është një sinjal i mirë. Kjo më bënë mua dyfish krenar për shkak se është Kosova ajo që po ju tregon vendeve të tjera rrugën në këtë drejtim.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka falënderoi Bankën Botërore për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që i ka dhënë Kosovën në fushën e ekonomisë digjitale.

“Përmes këtij projekti Kosova synon që të jetë një ndër vendet e para në Evropë më të ndërlidhura përmes rrjetit brezgjerë të frekuencës. Kjo do të thotë se çdo vend çdo cep i Kosovës do të ketë qasje në shpejtësi të madhe të internetit dhe do të ketë mundësi që përmes pjesës shtesë të projektit që është zhvillimi i shkathtësive, të ndërtojnë shkathtësi në atë formë që të do të krijojmë vetëpunësime nga këta persona që i krijojnë këto shkathtësi”, shtoi ministri Lluka.