Balerina shqiptare nën direktivat e koreografes me nam në Paris

Balerina shqiptare nën direktivat e koreografes me nam në Paris

Teatri Kombëtar i Chaillot në Paris prezantoi krijimin më të vjetër dhe atë më të riun solo të koreografes me nam Carolyn Carlson.

Në vitin 1973, Carlson krijoi solon “Density 21.5”, kur Rolf Liebermann ishte drejtor i Operës së Parisit, i cili kishte kërkuar që ajo të kontribuonte në ngjarjen e organizuar për nder të kompozitorit Edgar Varèse, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e blouinartinfo.

Asaj iu deshën dy muaj që ta krijonte veprën shtatëminutëshe që është realizuar mbi kompozimin e Varèses për flaut (e kompozuar në vitin 1936), të cilën ai e emëroi në bazë të densitetit të platiniumit në instrument – 21.5 gram në centimetër kub. E inspiruar nga romani filozofik i Friedrich Nitzsche, “Thus Spoke Zarathursta” (1883 – 1891) kjo është pjesë e baletit “The Seven Seals” që njihet si një prej pjesëve më me jehonë në këtë vepër.

E shfaqur për herë të parë në qershor të vitit të kaluar, kjo është rivënia e parë me balerinën shqiptare Isida Micani, e cila iu bashkua “Carolyn Carlson Company” në vitin 2005. Micani paraqitet si zog mitologjik, e kur zbret në skenë ajo rrëshqet me heshtjen sikur të ishte duke lundruar mbi det teksa shtrin duart lart dhe bën me shenjë nga qielli. Ngjason me zogun mitik Halcyon.

Kur flautisti Timon Nicolas zbret në skenë luan melodinë e kompozimit të Varèse. Krijohet vazhdimësi polifonike që mishërohet nga Micani teksa transformohet në zog. Pavarësisht interpretimit të saj rigoroz, ajo humbet në sensualitetin shkëlqyes të kornizës rrezatuese të Carslon. Kur Carlsonit i ishte kërkuar që të shkruante një prozë nga Pompidou Centrem, për një piktor ajo zgjodhi “Untitled (Black, Red over Black on Red)” (1964) të Mark Rothko. Kjo kulmoi në librin e saj “Dialogue With Rothko” (2012). Një vit më pas Carlson e përshtati atë në pjesë solo me të njëjtin titull. Një udhëtim vizualisht poetik që e çon shikuesin në botën e piktorit më radikal të abstraksionit kromatik.

Skena kompletohet nga dizajni i Rémi Nicolas duke qenë se përbëhet nga dy katrorë të bardhë që duken si dy piktura të bardha e që ngjasojnë me hapësirën e studios së artistes. Poshtë skenës ajo ka vendosur Jean-Paul Dessy, i cili luan një kompozim hipnotik në çelo. Prapa audiencës, me një fustan të bardhë me shpinë të hapur, Carlson iluminon hapësirën. Ajo është 72-vjeçare dhe aura e saj reflekton maturi artistike ngjashëm me fuqinë e shprehëse të Kazuo Ono. Carlson ngul sytë në skenën “tabula rasa”, e ecën ngadalë drejt saj.

Gradualisht krahët e saj të gjatë bëhen si brushat e pikturimit të artistit, derisa ajo krijon forma të rrumbullakëta në ajër. Ka momente të frustrimit, mendimit dhe ëndërrimit. Secila lëvizje në skenë krijon hamendësime kur Carlson frenon pjesën e poshtme të trupit dhe bën hapa shumë të vegjël në skenë. Teksa ngre bustin dhe anon nga dyshemeja, e rikujton ecjen gjeometrike në “Quad” të Samuel Beckettit. Teksti i folur e i lexuar paraprakisht – fragmente nga libri i Carslon – shpon hapësirën e zërit: “Një vepër arti nuk tregon, por ajo thotë gjithçka”, “Cila është melodia e të zezës dhe të kuqes?”, “E zeza është shikimi në përjetësi”, “Kjo është ajo, kjo është ajo”. Trupi i saj krijon forma gjeometrike sikur të ishte në një vallëzim imagjinar duet me Rothko, ku ngjallet vepra e tij “Slow Swirl at the Edge of the Sea” (1944).

Në “Untitled (Black, Red over Black on Red)” të Rothkos, blloqet e kuqe paraqiten në hapësirë të sheshtë, ani pse nuk peshojnë dhe duken sikur po lundrojnë kundër sfondeve solide dhe krijojnë iluzionin e thellësisë infinite. E Carslon sikur i përgjigjet kësaj me pjesën katrore e të bardhë. Ajo e shfrytëzon si mbështetëse në të cilën ulet e më pas e vendos rreth vetes, vallëzon me të, e bart në shpinë dhe lundron në ajër. Kur largohet nga skena, çelisti vazhdon të luajë në skenë i vetëm. Audienca mbetet duke shikuar ata katrorë të bardhë ku mund t’i projektojnë mendimet e tyre të brendshme. Qëllimi i Rothkos që të mbushë zbrazëtirën shpirtërore të njeriut mund të krahasohet me qëllimin e Carlsonit. Përgjatë viteve ajo ka folur për vetminë dhe gëzimin e krijuar në dy perspektiva të ndryshme. Christopher Rothko, i cili së fundmi foli për trashëgiminë e babait të tij në “Mark Rothko:From the Inside Out”, ka shkruar: “Ai gjithmonë ka pikturuar i vetëm. Gjithmonë”.

Carlson kthehet në skenë e veshur me fustan të zi nën të cilin shihen pantallonat e kuq, teksa në dorë mban një leckë të pikturuar me të kuqe në skaje dhe me të zezë në anën e kundërt. Ajo e bart atë të pashpalosur në shpinë që i bën duart e saj të duken si krahë. Silueta e saj krijon një kryq teksa duket si zog në gjysmëfluturim para se të bjerë në dysheme, shkel në të dhe e tërheq me këmbë derisa ngadalë shkon në pjesën tjetër të skenës. Ajo bëhet vetë pikturë derisa personifikon tensionin, iluzionin dhe ëndrrën që sjell me koreografi.