Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, është shprehur i befasuar me kallëzimin penal të bërë ndaj tij nga presidenti Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Bahtiri ka thënë se ka pritur që presidenti i vendit do t’i ngrinte kallëzim penal Dick Martyt e jo atij.

“Jam i befasuar me veprimin e bërë nga presidenti Thaçi, pasi që unë kam prit se ai do t’i bënte kallëzim penal Dick Martyt, e jo mua. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam kërcënuar askënd personalisht, e aq më pak familjen e askujt. Unë jam i gatshëm 24 orë në ditë që t’i jap sqarime organeve të drejtësisë, pavarësisht se një herë veçse kam dhënë deklaratë”, tha Bahtiri në reagimin e tij.

Tutje, ai tha se pavarësisht kësaj, ai po e vazhdon angazhimin për t’iu qëndruar pranë qytetarëve të Mitrovicës në këtë kohë të vështirë që po kalon bota me pandeminë e koronavirusit COVID-19.

“Gjithë angazhimi im do të jetë i fokusuar në lehtësimin e jetesës së qytetarëve, ndërsa atyre që merren me ndryshim të kontekstit të deklaratave të mia, ju them që është më mirë që këtë energji negative ta shndërroni në energji pozitive për Kosovën”, theksoi Bahtiri.

Gjatë ditës u raportua se presidenti Thaçi kishte bërë kallëzim penal ndaj Bahtirit për një deklaratë të bërë kohë më parë ku kishte përmendur edhe fjalën “vëllavrasje”.