E bija, Sabrina Lekaj, 20 vjeç, u gjet e vdekur në një makinë rreth 250 metra larg nga shtëpia

Në muajin korrik 20-vjeçarja shqiptare Sabrina Lekaj u gjet e vrarë në Adelaide të Australisë dhe i dyshuar për këtë krim ishte babai i saj, Petrit Lekaj. Mësohet se gjatë seancës gjyqësore të së hënës, Lekaj ka pranuar vrasjen e së bijës.

Ajo u gjet e therur me thikë në sediljen e pasagjerit brenda një makine “Mercedes”. Pranë saj në vendin e shoferit ishte i plagosur babai Petrit Lekaj, i dëmtuar në pjesën e barkut.

Ngjarja kishte ndodhur pranë shtëpisë së familjes Lekaj. Pasi mori trajtimin e nevojshëm mjekësor në spital, Lekaj u mbajt në paraburgim dhe më pas u dërgua në një institucion të shëndetit mendor.

Pas seancës gjyqësore të kësaj të hëne, ku 49-vjeçari pranoi krimin, pritet të dalë sërish para gjykatës më 25 Nëntor. Kjo datë është caktuar pasi prokurorët kërkuan një shtyrje 12-javore për shkak të hetimeve.

20-vjeçarja Sabrina Lekaj studionte për mjekësi me rezultate shumë të larta. Mikesha e saj e ngushtë 21-vjeçarja Kat Valstar është shprehur më herët për mediat, se e ndjera ishte e shqetësuar pasi priste të debatonte me të atin.

Diçka e tillë do të ndodhte se Sabrina së bashku me shoqet e saj kishin dalë në një lokal nate dhe u kthyen për të fjetur në shtëpinë e Kat.

Ajo u shqetësua kur Sabrina nuk i përgjigjej në telefon dhe ditën tjetër mësoi lajmin e tmerrshëm se ajo kishte ndërruar jetë shkruan Opinion.al