Avokati Besnik Berisha, i cili është mbrojtës i njërit nga të dyshuarit për rastin e kokainës së konfiskuar në Lipjan, ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë duke thënë se ajo nuk ka asnjë provë të vetme që e vërteton se të pandehurit kanë lidhje me ato 400 kg kokainë.

Në një konferencë për media, avokati Berisha gjatë tërë kohës mohoi se ndonjëri nga të arrestuarit të ketë pasur njohuri për kokainën e gjetur, duke i quajtur të pandehurit fatkeqinj.

“Me përgjegjësinë më të madhe profesionale po e them që asnjë nga të pandehurit nuk kanë qenë në njohuri, qoftë edhe një shkronjë e vetme të gjendet se këta kanë qenë në njohuri se aty ka pasur kokainë, këta janë gati të hynë 50 vjet në burg”, tha Berisha.

Dy ditë më parë, në Lipjan janë konfiskuar nga Policia 400 kg kokainë, e cila është gjetur në një kamion që transportonte lloje të ndryshme të mishit të pulës.